E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Preshevën protestohet edhe në SHBA

Drejtuesit e disa shoqatave dhe partive politike nga komuniteti shqiptaro – amerikan sot në selinë e Federatës Panshqiptare “Vatra” shpalosën qëndrimet e tyre dhe reagimet lidhur me aktin vandal të autoriteteve serbe për heqjen e monumentit përkujtimor të UÇPMB-së në Preshevë.

Organizatorët theksuan se do të përgaditet një Memorandum special lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe represionin serb në këtë trevë, i cili do të drejtohet Kombeve të Bashkuara dhe administratës amerikane në Uashington, informon INA.

Diaspora shqiptaro - amerikane ka paralajmëruar agjendën e protestave dhe marshit protestues para OKB-së, misionit diplomatik të Serbisë në Nju Jork si dhe protesta sensibilizuese në Uashington.

Vendimi për të gjitha këto është marrë gjatë një takimi, që u mbajtë mbrëmë me disa veprimtarëve të dalluar të komunitetiti dhe liderëve politikë të disa shoqatatve dhe organizatave, pas aksionit të xhandarmërisë serbe, e cila largoi me dhunë lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës në shenjë kërcënimi dhe vërgëllimi të armëve të policisë dhe xhandarmarisë serbe.

Kryetari i kësaj nisme, veprimtari Shaban Mehmeti në një konferencë me gazetarët informoi mbi agjendën e protestave dhe reagimeve që dënojnë veprimin represiv të autoriteteve të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Sipas tij, në këtë takim janë mbështetur deklaratat zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës për dënimin e aktit vandal të serbëve. Në deklaratë gjithashtu u theksua formimi i grupit të punës që do të merret me sensibilizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës.

“Ne me këto protesta do të sensibilizojmë gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të çojmë çështjen përpara për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve atje”, ka theksuar veprimtari Ramadan Gashi.

Kryetari i “Vatra”,Gjon Buçaj theksoi se sa më shpejt duhet të formohet grupi i punës për organizimin e protestave në Uashington, por edhe në Nju Jork.

“Ne të gjithë e pamë se si Presheva, dje u mbulua me uniforma të zeza nga Qeveria e Serbisë. Ky vend po shihet qartë se është i vetmi që i ka mbet Serbisë pas Kosovës që të ushtron dhunë ndaj shqiptarëve. Këtu nuk po pushon dhuna, terrori spastrimi njësojë si në kohën e Millosheviqit, tha ai duke shtuar se përgjigja nga ne shqiptarët e Amerikës do të jetë masovike, si në New York dhe Washington", ka theksuar Buçaj.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, shkrimtari dhe poeti i njohur nga Presheva, me banim në SHBA, Adnan Mehmeti, në fjalën e tij në këtë tubim theksoi rëndësinë që ka media në këtë protestë, dhe të rinjët e të rejat studentët.

Ai theksoi krijimin e një lidhje më efikase midis lidershipit të Luginës së Preshevës dhe shoqatave të diasporës në SHBA. Në këtë takim kanë folur edhe veprimtarë të tjerë të komunitetit, duke i dhënë mbështetje nismës për sensibilizimin e çështjes së Luginës së Preshevës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›