Për Shtetin e së Drejtës, përgjim-mediat duhet të shkelen me këmbën e ligjit
Leksioni që po jepet nga Britania, pas seancave të para të çështjes gjyqësore “Murdoch”
Në shtetet perëndimore, aty ku sundon “diktatura” e shtetit të së drejtës dhe ligjit, është ngritur në brigjet më të lartë liria e individit, e derivuar nga Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së dhe teoritë filozofike të Rusoit, sipas të cilës njeriu lind i lire. Nga kjo rrënjë, u zhvillua një pemë demokratike, në degët e së cilës u konsoliduan më tej liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të jetës, të pronësisë, të fjalës së lirë, të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore, të drejtës për të gëzuar një jetë private... Lidhur me këtë të fundit, me avancimin e teknologjisë, pra shpikjet e aparaturave të sofistikuara fotografike dhe atyre audio dhe video, si dhe me abuzimet që bënin mediat nga përdorimi i tyre për të prodhuar lajme, u zvogëlua mburoja konstitucionale për të garantuar këtë të drejtë. Britania, si një nga shtetet ku janë ngritur dhe konsoliduar parimet themelore demokratike, u gjend përballë një biodiversiteti precedentësh ku mediet vazhdimisht shkelnin të drejtën e “privacy-s” së individit. Në rrethana të tilla, në vitin 1998, parlamenti britanik miratoi Aktin e të Drejtave të Njeriut, në të cilën u sanksionua garantimi i të drejtës së privatësisë në raport me mediat, akt ky në të cilën është përfshirë edhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilën Shqipëria e ka thirrur drejtpërdrejt në Kushtetutën e saj. Me miratimin e këtij Akti, mjaft medie të shkruara dhe vizive të cilat kishin krijuar një klishe të re për lajmin- lajmi më i mirë, del nga përgjimet- u dënuan ashpër, dënime të cilat rezultuan në mbylljen e tyre, pagimin e shpërblimeve ndaj personave të prekur, madje edhe burgime. Që të mos hallakatemi me këta precedentë të largët në kohë, do të analizojmë precedentin e “freskët” të muajit korrik 2011, ku u zbulua se suksesi i lajmeve të perandorisë mediatike të Rubert Murdokt-u, vinte nga burime të cilat përbënin kuintesencën e shkeljeve të së drejtës së privacy-s. Arsyeja tjetër e analizimit të këtij precedenti, është për të ballafaquar kujdesin që tregon shteti i së drejtës ndaj fenomeneve të tilla-që përdhosin të drejtat dhe liritë e individit- me neglizhencën e drejtësisë shqiptare, sidomos të organit të akuzës, Prokurorisë, por edhe të papërgjegjshmërisë të disa emisioneve të disa mediave shqiptare. Në korrik të 2011, perandoria mediatike e Rupert Murdoch-ut u përfshi në një skandal përgjimesh. Punonjës të lartë të tabloidit “News of the World” si dhe tabloidë të tjerë britanikë të “News Internationale”, degë e “News Coopartion” të drejtuar nga Rubert Murdok, u akuzuan se kishin kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, njëkohësisht shkelje konstitucionale, konkretisht të së drejtës së “privacy-s” Nga hetimet e zhvilluara nga 2005-2007 u arrit në përfundimin se aktivitetet e gazetës dhe lajmet e saj bazoheshin në përgjimet që u ishin bërë të afërmve të viktimave të ushtarakëve britanikë të vrarë në Afganistan dhe Irak, si edhe familjarëve të viktimave të sulmeve terroriste të 2 korrikut të 2005-s në Londër. Ndaj një skandali kaq të madh dhe ofendues për personat e prekur nga përgjimet, shteti ligjor britanik veproi në proporcion me epitetin e skandalit, i cili rezultoi në mbylljen e tabloidit që printohej prej 168 vitesh, dhënien e dëmshpërblimit për viktimat e prekura, arrestime të funksionarëve të lartë të gazetave. Serioziteti dhe kujdesi që tregoi Britania për këtë skandal- me anë të së cilave afirmoi se është shtet i së drejtës dhe “diktaturës” ligjore - shikohet edhe tek kalimi i kësaj çështje në instancat parlamentare, tek Komiteti i Mediave, Kulturës dhe Sporteve i Dhomës së Deputetëve. Për fat të keq, sinteza e mësipërme e çështjes “Murdoch”, demaskon neglizhencën e Prokurorisë shqiptare, e cila lejon mediet të abuzojnë me lirinë që u është dhënë.
Por ç’ndodh realisht në Shqipëri? Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, është simotra e kushtetutave perëndimore dhe si e tillë ajo garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. E drejta e “privacy-s” gjendet në pjesën e parë të Kreut II të Kushtetutës, konkretisht në nenet 35,36,37. Fakti që Kushtetua jonë e përfshinë atë në Kreun II, e amplifikon garancinë për respektimin e saj, pasi ndodhet brenda pjesës së “SuperKushtetutës”- quhet e tillë pjesa nga Kreu II deri në Kreun VI, pasi parimet e përfshira brenda tyre kanë një rëndësi aq të madhe, saqë ndryshimi i tyre do të thotë krijim i një Kushtetute të re. Arsyeja pse parashtrova këtë mini-leksion konstitucional, është për të treguar rëndësinë që ka e drejta e privacy-së, por nga ana tjetër, për të treguar sesa të rënda janë shkeljet që i bëhen asaj. Është i pamohueshëm konstatimi se disa emisione të disa mediave shqiptare, të cilat përdorin përgjues audio apo video, të njohura me emrin si çimka, përbëjnë një alarm të vërtetë për shtetin ligjor shqiptar, apo më mirë të themi fiks fare se e shkelin rëndë të drejtën e privacy-së. Megjithëse fuqia e ligjit në vendet perëndimorë lidhur me çështjet e përgjimeve kanë rrëzuar presidentë dhe perandori mediatike, në Shqipëri fuqia e ligjit bën invalidin, të verbrin ndaj fenomeneve të tilla. Kësisoj, një sjellje e tillë neglizhuese, në mënyrë të tërthortë, i nxit akoma më shumë këto medie në përdorimin e çimkave në mënyrë të paligjshme për të nxjerrë një lajm. Them e paligjshme pasi përdorimi i çimkave është i ligjshëm vetëm kur kryhet nga një organ i rendit, i shoqëruar me një vendim gjykate e cila e legjitimon një veprim të tillë. Media ka një rol influencial në një shoqëri demokratike, kësisoj përbën pushtetin e katërt, e cila ulet në një tryezë të rrumbullakët me pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Të veshur me mantelin e “pushtetit të katërt”, e kemi parë median mjaft kritike ndaj tre pushteteve të tjera, çka është gjë e mirë pasi demaskon abuzimet që mund të bëjnë ato. Pra, kur pushteti legjislativ shkel Kushtetutën ose abuzon me pushtetin e tij, mediet në mënyrë figurative e akuzojnë për “oligarki”, kur abuzon pushteti ekzekutiv, e cilësojnë “diktaturë”, ndërsa kur abuzon pushteti gjyqësor e quajnë, “tirani”. Po kur abuzon media, me çfarë epiteti duhet ta shoqërojmë atë? Mendoj se epiteti që duhet ta shoqërojë atë duhet të jetë një hibrid midis, oligarkisë, diktaturës dhe tiranisë, pasi e përbashkëta e këtij “triumvirati” regjimesh, është shkelja e te drejtave të njeriut. Fakti pse në Shqipëri ndodh një gjë e tillë, është sepse Prokuroria shqiptare, edhe pse merr denoncime nga njerëz që preken në intimitetin e tyre nga sytë dhe veshët e çimkave, nuk ndërmerr ndonjë masë, të krijojë një precedent ku të dënojë një media, i cili do të shërbejë si “edukatë” për mediet e tjera. Nga ana tjetër, kjo edukatë tek mediet, do të shërbejë si një katarsis për vetë gazetarinë, e cila është njollosur nga përdorimi i këtyre çimkave. Për aq kohë sa Prokuroria do të mbyllë veshët dhe sytë, për aq kohë do të hapen veshët dhe sytë e çimkave mediatike, të cilat do ta bëjnë më të ekspozuar jetën private dhe intimitetin e individit shqiptar.