Karabinieria e Romës shoqëron Ramën në stacionin e policisë
Skandal i kryetarit të PS-së në aeroportin e Fiumiçinos në Romë. Edi Rama kundërshton qëndrimin në radhën e kontrollit të pasaportave dhe bërtet me të madhe kundër një “shteti që ka marrë fund”. Dy karabinere-gra e shoqërojnë atë në stacionin e Policisë, bashkëshortja Linda provon ta mbrojë, por gjithsesi ruan gjakftohtësinë. Edvini lirohet vetëm pasi ndërhyjnë autoritetet
Edi Rama është bërë dje në mbrëmje protagonist i një incidenti të turpshëm në aeroportin e Fiumiçinos në Romë. Duke e përdorur aeroportin si tranzit për në Paris, Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda janë vënë në radhë, por për shkak të ngarkesës së madhe në sportelin e pasaportave, durimi i tij i pakët ka mbaruar krejt. Pritja është shoqëruar me klithmat e tij me zë të lartë, të cilat denonconin “Italinë e dhjerë të Berluskonit”, aeroportin që ngjan si “aeroporti i Sandrit në Tiranë”, “këtë vend që ka marrë fund dhe e tregon veten veç me shqiptarët” dhe të tjera formula që klasifikohen rëndom tek racizmi, ksenofobizmi dhe anarkizmi. Kur autoritetet e aeroportit vendosën të hapnin edhe një sportel tjetër për përpunimin e pasaportave të udhëtarëve që vinin tranzit nga Tirana, Edi Rama, që s’duron dot radhët (incidenti me Edith Harxhin në Rogner tashmë është i njohur për publikun), ka shpërthyer në protesta publike, duke klithur: “a e dini se kush jam unë?”. Karabinierët pranë vendit të ngjarjes, që rasti e deshi që kanë qenë që të dyja gra, kanë ndërhyrë dhe e kanë shoqëruar kandidatin për rrugaç për në stacionin e policisë. Klithjet solidare të Lindës se ai ishte kryetari i opozitës së Shqipërisë s’kanë bërë fajde, pasi edhe vetë sjelljet rrugaçërore s’linin asnjë hapësirë për një mundësi të tillë. Edhe përmendja shpeshherë e versionit të Edvinit “Jam shkrimtar, sapo kam botuar Kurbanin” s’ngjiste dot dhe të pranishmit s’arrinin dot t’u shpjegonin karabinereve se ç’ishte Kurbani i Edi Ramës. Terminologjia i çonte karabinieret në rrafshin oriental e islamik të çështjes, çka e ka komplikuar edhe më tej situatën dhe ka vulosur ndalimin e tij.
Ndalesa në stacionin e policisë ka zgjatur disi dhe vetëm ndërhyrja e autoriteteve ka bërë të mundur lirimin. Edi Rama e ka vijuar gjithsesi mbrëmë gjatë natës udhëtimin e tij për në Parisin misterioz, që duket se i rigjeneron energjitë e kurbanizuara pas humbjes së 8 majit, por në imazhin e autoriteteve italiane ka mbetur i pashlyer turpi që na lë trashëgim një njeri që pretendon të drejtojë opozitën shqiptare, por që s’qendron dot në radhë, s’merret dot vesh me gratë e s’pranon t’i nënshtrohet verdiktit të votës së lirë.