E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Superligë

Të mërkurën do të zhvillohet ndeshja e barazhit ndërmjet Vëllaznimit, i cili edicionin e rregullt e përmbylli në vendin e dhjetë në Superligë, dhe Besianës, që u radhit në pozitën e tretë të Ligës së parë.

Ky takim do të zhvillohet në terren neutral, përkatësisht në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. Skuadra që triumfon në këtë sfidë, në edicionin e ardhshëm do të garojë në Superligën e Kosovës.

Kuqezinjtë nga Gjakova, të cilët ishin shumë të rrezikuar për të rënë nga elita, besojnë se do ta mposhtin ekipin nga Llapi, me qëllim që të paktën edhe një vit të garojnë në Superligë.

“Kemi pasur një seri shumë të mirë që nga ndeshja me Prishtinën. Në pranverë jemi njëra prej skuadrave më efikase. Nuk e nënçmojmë kundërshtarin. Unë besoj se me një angazhim maksimal të futbollistëve të mi, te të cilët kam besim të madh, do ta vazhdojmë serinë pozitive edhe ndaj Besianës dhe të mbesim në Superligë. Më pas do të përqendrohemi në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës”, deklaroi për Express, kryetrajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli.

Në anën tjetër, Besiana dëshiron të kthehet në elitën e futbollit kosovar, prej ku qe larguar para një viti.

“Si pasojë e terrenit të keq që ka Besiana, ekipi ynë u radhit në vendin e tretë në tabelë, sepse ndoshta do të hynim në Superligë direkt. Meqenëse luajmë në një terren shumë të mirë, Besiana do të tregohet e fortë dhe do të përpiqemi të fitojmë. Do të jetë vështirë ndaj Vëllaznimit, për të cilin ekip kemi respekt të madh. Mirëpo, për të dyja ekipet gjasat për fitore janë 50 me 50 për qind”, tha për Express, trajneri i Besianës, Emin Ajvazi.

Ky takim zhvillohet prej orës 16:00 dhe pritet të mbledhë një numër bukur të madh të shikuesve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›