E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllaznimi mbetet në Superligë

Vëllaznimi do të jetë pjesë e elitës së futbollit kosovar edhe sezonin e ardhshëm. Klubi gjakovar e siguroi mbijetesën në Superligë të mërkurën, pasi e mposhti Besianën me rezultat 2:0 në ndeshjen e barazhit, e cila u zhvillua në Mitrovicë. Gjakovarët ishin më të mirë se llapjanët dhe fituan me meritë. Në pjesën e parë, kuqezinjtë patën një rast të mirë përmes Robert Gjerajt, i cili nuk arriti ta konkretizojë.

Atë që nuk e bëri në pjesën e parë, Vëllaznimi e bëri në të dytën. Atdhe Gashi ka qenë hero i gjakovarëve, pasi realizoi të dyja golat: të parin në minutën e 57-të, kur mori një top nga e majta dhe e plasoi topin në rrjetë nga afërsia, ndërsa për herë të dytë e mposhti portierin Latifi në minutën e 73-të, gjithashtu nga afër. Duhet cekur se verdhekaltrit nga minuta e 62-të luajtën me 10 futbollistë, pasi që Hysni Veliu u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Vëllaznimi e kishte përfunduar sezonin vjeshtor në fund të tabelës, ndërsa në pranverë, me 28 pikë sa grumbulloi, e siguroi pozitën e 10-të që çonte në ndeshjen e barazhit. Aty u tregua më i suksesshëm sesa Besiana, e cila megjithatë edhe sezonin e ardhshëm do të vazhdojë të garojë në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Sfida e ardhshme e gjakovarëve do të jetë të dielën, kur do të përballen me Lirinë në finale të Kupës së Kosovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›