E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Tomën dhe mendime të tjera

arben-idrizi1-300x206Nga Arben Idrizi*

Një rrëfim dhe vrojtim se si nacionalizmi serb dhe ai shqiptar kanë të njëjtat qëndrime dhe sjellje në përgjithësi dhe konkretisht të njëjtat qëndrime dhe sjellje ndaj shkrimtarëve e intelektualëve të cilët nuk e mbështesin dhe përbëjnë shpirtësinë përkatëse; si dhe mendime të tjera mbi luftën

***

Tomislav Markoviq është poet, serb. Së shpejti do të botohet edhe në shqip, në përkthimin e Fadil Bajrajt.

Për një javë të tërë e ndamë një apartament në Sarajevë, në rezidencën e Tradukit dhe PEN-it të Bosnjës, jo vetëm si një serb dhe një shqiptar, por mbi të gjitha si dy poetë. Si dy poetë që për më tepër kohëve të fundit kishim pasur, në të njëjtën kohë, çfarë rastësie, telashe të caktuara në atdhetë tonë, për shkak të mendimeve tona. Ai më shumë se unë. Por jo pse atdheu i tij është më kafshëror se imi. Është thjesht, mendoj, çështje rastësie. Të gjithë atdhetë janë kafshërorë, në mënyrën e tyre, edhe për poetët dhe intelektualët në përgjithësi. Aq kafshëror, mbase tani edhe kemi një prirje bukur egoistike ta themi këtë, sa të njollosin, të përbuzin, të përqeshin, të poshtërojnë, të përndjekin, të keqtrajtojnë, të thyejnë, të burgosin, të internojnë dhe në fund tamam të vrasin. Shembujt nga historia janë të panumërt, ama në këtë rast ne na intereson ai i Tomës.

***

I jam lutur Tomës të ma rrëfejë me pak fjalë se çka, si dhe pse i ka ndodhur. Ja edhe rrëfimi i tij: Poezia ime Shpirtësia serbe fillimisht doli në faqen e parë të web faqes intermagazin.rs (pa impresum, por në pronësi të Radomir Dmitroviqit, luftënxitës prej viteve të 90-ta dhe tani kryeredaktor i të përditshmes Ve&#269;ernje novosti). Me foton time nën të cilën shkruante >Ky është Tomislav Markoviç<, si thirrje troç për linçim dhe transkriptin e poezisë së specifikuar, u publikua edhe një tekst i panënshkruar me titullin: >Nëse nuk e dini se si duket urrejtja më e tmerrshme kundrejt serbëve, ja ku e keni rastin ta shihni dhe la lexoni<, në të cilin shkruhej se >Kjo poezi e Tomislav Markoviqit thërret në shkatërrimin e popullit serb, ky është një fjalim motivues përpara fillimit të një gjenocidi, kjo është amnisti për secilin që vendos të vrasë serbë<.

Pastaj komentuesit nisën të më quajnë tradhtar, psikopat, të çmendur, maniak që e urren popullin e vet, filluan të më kërcënojnë me dëbim, me gjymtim, me therje, shkulje të gjuhës, vrasje. Atë tekst e publikuan edhe webfaqet e tjera patriotike, te të cilat edhe më shumë shpërtheu urrejtja dhe thirrja për vrasje. Shumë shpejt në adresën e e-novine-s(portali ku punon Toma – vrj. ime) filluan të arrijnë kërcënime, të cilat rregullisht i botonim. Tirada zgjati me ditë të tëra dhe unë ndihesha si një kafshë e persekutuar dhe isha i sigurt vetëm se isha në një hapësirë të mbyllur.

E gjithë kjo për shkak të një poezie, që merret kryesisht me faktet dhe lidhjet që ekzistojnë ndërmjet të të ashtuquajturës shpirtësi serbe dhe krimeve të luftës që u kryen nga ushtria dhe policia serbe në Bosnjë, Kosovë dhe Kroaci.

Të djathtët e kuptuan këtë poezi si: >Ti thua që disa serbë janë kriminelë, ne jemi serbë dhe mendojmë se kjo që thua ti është fyerje për të gjithë serbët, prandaj do të të vrasim që të dëshmojmë se nuk jemi vrasës<.

Në lidhje me rastin tim, fillimisht u prononcua Shoqata e gazetarëve të Serbisë dhe pastaj në redaksinë tonë erdhën policia për tu interesuar në lidhje me rastin. Është interesante se elita kulturore nuk reagoi në këtë tiradë të drejtuar kundër një poezie, lirisë së fjalës dhe të të shprehurit.

Nuk reaguan as institucionet që në përshkrimin e punës së vet, dhe mos të them, në arsyen e ekzistimit e kanë denoncimin e rasteve të tilla, sikur PEN qendra dhe shoqatat e shkrimtarëve. Të vetmit që u prononcuan ishin disa shkrimtarë, që shkruan tekste në mbrojtjen time dhe disa gazetarë të Serbisë dhe të rajonit që më morën në intervistë«.

***

Poezia Shpirtësia serbe, një satirë e mahnitshme, është e ndërtuar në dhjetë strofa, me gjithsej 54 vargje. Në të mësojmë se »Shpirtësia serbe« është »mbretëria shtazore«, »e pastër etnikisht«, »ku gjithmonë luftohet«, me fjalë të tjera, vendi prej nga aq shpesh fqinjëve iu kanë ardhur dhjetëra lufta të përgjakshme, që kanë rezultuar me miliona viktima. E gjithë kjo ka bërë vaki mbi të gjitha falë asaj »shpirtësie serbe« që »përgjon« mbi qytetarët e vet si »bombë e kurdisur që pret dakikun e vet«. E se kur do të shpërthejë, atë e dinë sall»etërit e kombit«, të cilët nuk kanë lënë rast, kohë as vend pa ua punuar të gjitha të zezat jo vetëm fqinjëve, por edhe vetë qytetarëve të vet. E sidomos fqinjëve, prandaj (gjithnjë në përkthimin e Bajrajt): »Shpirtësia serbe dëgjohet nga Kosova. / Kutërbon në mish të djegur njeriu. / Të cilit në mënyrë drastike i ka rënë çmimi, / nuk shërben më as si mjet për allishverishe. / Shpirtësia serbe është autobus që i bart të burgosurit / për ti ekzekutuar në Potoçar. / Është kamion frigorifer cit më cit me kufoma shqiptare. / Tren, i ndaluar në Shtrpce. /Buldozer që zhvendos mbetjet e trupave njerëzor. / Shpirtësia serbe është gjithmonë në lëvizje«.

Shpirtësinë serbe e ndërtojnë dhe e përbëjnë, »në lëvizje të përhershme« heronjtë e kombit (sidomos e gjithsesi ata që të tjerët i konsiderojnë ndër kriminelët më të pështirë që ka njohur bota); elitat intelektuale, fetare dhe ushtarake. Në të vërtetë, e ndërton dhe e përbën në njëfarë mënyre edhe vetë masa (ashtu siç secila masë e vendeve fqinje e ndërton dhe përbën shpirtësinë përkatëse: masa shqiptare shpirtësinë shqiptare, masa kroate shpirtësinë kroate, masa maqedonase shpirtësinë maqedonase, etj.).

***

E pamë se në rastin e Tomës është pikërisht kjo lloj turme e shpirtësisë, e nxitur dhe e mbështetur nga intelektualë e media (kujtojeni masën e ndërsyer që kryen ekzekutimin kolektiv, të trajtuar nga Canetti në Masa dhe pushteti), e cila kërkon të ndëshkojë, në mënyrën e vet, deri edhe me linçim, dikë që guxon të vër në dyshim të mirën dhe domosdoshmërinë e asaj shpirtësie, dhjetë urdhëresat, të përcaktuar nga vetë ata, në mënyrë arbitrare dhe natyrisht kafshërore. Aq më tepër nëse ai është poet.

Ngase, sipas bindjeve të asaj turme, poetët e vërtetë, e për këtë ka shembuj sa të doni, e përbëjnë dhe njëkohësisht ushqejnë atë shpirtësi, ata janë etër dhe bij të saj në të njëjtën kohë. Poeti duhet ta mbrojë shpirtësinë. Ai nuk mund ta thotë të vërtetën, ta zëmë, se shpirtësia serbe i ka keqtrajtuar, poshtëruar, burgosur dhe vrarë shqiptarët e Kosovës. Sipas

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›