Kaçe, UÇK dhe absurditeti në një vend të BE-së!
I shtrënguar nga presioni psikologjik dhe pasioni për futbollin, por edhe një jetë më të mirë përmes të ardhurave nga sporti, futbollisti i PAOK-ut dhe kombëtares, Ergys Kaçe, pranoi fajësinë për foton me bluzën e UÇK-së.
E mirëkuptoj diplomacinë e Kaçes, edhe pse do doja që ai të mbronte opinionin e tij, që personalisht nuk besoj është aq naiv dhe e dinte se çfarë po bënte kur ai veshi atë bluzë.
Do të doja që me një gjest ti jepte një mësim mentalitetit të ndryshkur që fatkeqësisht mbizotëron në një vend të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por Kaçe i di më mirë punët e tij sesa çdo grek, qofshin këta edhe drejtues të futbollit grek.
Pezullimi i Kaçes më shumë flet, jo për të, sesa për psikologjinë dhe absurdin që ekziston në një vend të Bashkimit Evropian.
Ai madje shkon deri në institucionalizim të racizmit, madje edhe në shkelje të të drejtave të njeriut.
Kaçe bëri jo në fushën e lojës, por jashtë saj atë që bën çdo njeri i lirë që përzgjedh të vishet siç ai ose ajo e sheh të arsyeshme.
Talebanizmi grek ndaj një futbollisti që mban një bluzë të një organizate, që në fund të fundit u mbështet në luftën e saj çlirimtare të një kombi nga fuqia më e madhe ushtarake si NATO, ku bën pjesë edhe Greqia, e jo kundër po them Qipros, por në Kosovë, e bën akoma më absurd si fenomen.
Kam frikë dhe bindje se gjesti i Kaçes nuk do shkaktonte një reagim të këtillë, në rast se ndonjë futbollist serb do kishte mbrojtur Arkanin apo Millosheviçin, edhe pse s’ka paralelizëm mes pushtuesit dhe çlirimtarit.
Nëse vendosen standarde të tilla në futbollin evropian, ku futbollisti do duhet të paramendojë dhe të kërkojë leje se çfarë duhet të veshë dhe çfarë nuk duhet, lind nevoja e krijimit në Greqi të Policisë së Virtytit si në Afganistanin e para pushtimit amerikan.
Që një linçim i tillë ndodh në një vend që është pjesë e BE-së dhe NATO-s, është më poshtëruese dhe vetëdemaskuese për grekët, ose atë pjesë të shoqërisë greke që mbështet gestapoizim të tillë.
Habitem sesi instanca më të sofistikuara të shtetit grek dhe shoqërisë civile greke nuk reagojnë dhe i vënë kapak ndaj një fyerje të mendjeve të errëta dhe ndryshkura, që e kanë njollosur dhe errësuar emrin dhe dinjitetin grek në botë, po aq sa edhe “agim-artët” e neonazizmit grek.
Evropian nuk të bën as monedha, as pasaporta, as të mosqënit në krizë ekonomike. Por padyshim antievropian të bën kriza në subkoshiencën qytetare dhe mentaliteti që të zbulon edhe kur historia të ofron mbulesë qytetërimin e vjetër, i shndërruar praktikisht në mentalitet të ndryshkur dhe vjetëruar oriental.
Ndjesa formale dhe e detyruar nga motive pasioni dhe kontrate, që mbetet realisht e pasinqertë, e Kaçes, mund ti sigurojë atij vazhdimësinë në karrierë dhe për këtë nuk duhet paragjykuar.
Fatkeqësisht kjo ndjesë nuk i vjen në ndihmë një shansi për një korrigjim të një sjellje mesa duket të institucionalizuar racizmi, dhe një ndërhyrje nga organizmat e specializuara evropiane apo ndërkombëtare të këtij sporti, që do duhej të vinin duart në kokë me ndëshkime dhe pezullime të tilla, që janë reminishencë e kohërave të errëta të historisë evropiane, me të cilat kontinenti u nda një gjysëm shekulli më parë.
