Për UNMIK-un diskutohet më 17 janar në Bruksel

Një nga temat e takimit të 17 janarit në mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, do të jetë edhe financimi i administratës së UNMIK-ut në veri të Kosovës.
Institucionet kosovare, që kishin për obligim ta financojnë këtë administratë, në qershor kanë ndërpre pagat për stafin lokal të kësaj administrate dhe në të njëtën kohë kanë hapur Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës, në përpjekje për të bartur përgjegjësit nga UNMIK-u te kjo zyrë në veri të Mitrovicës.
Zëvendësdrejtori i Zyrës së Serbisë për Kosovë, Kërstimir Pantiq, ka deklaruar për gazetës “Politika” se për problemin e financimit të UNMIK-ut do të bisedohet në takimin e radhës në Bruksel.
Sipas kësaj gazete, gjysma e shteteve anëtare të OKB-së nuk po i paguajnë kontributet për UNMIK-un, ndërkaq kosovarët dhe SHBA-të po bëjnë presion që zyra e kësaj administrate në veri të mbyllet.
Mbi 100 punëtor të UNMIK-ut në veri nga 31 dhjetori nuk u janë vazhduar kontratat pasi që institucionet kosovare nuk e kanë financuar këtë administratë.
Përfaqësuesit e katër komunave veriore kanë biseduar me shefin e UNMIK-ut, Farid Zarif, po nuk është gjetur ndonjë zgjidhje./Indeksonline/