E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për ata që vajtojnë pemët.

Share

Nga Mimoza Dervishi

Qysh në fillim ta them, i dua pemët, jetoj në një vend me shumë pemë, nuk shoh druvarë t’i presin, as ti djegin. Pemët ma bëjnë jetën më të bukur. Kaq për këtë temë. Pjesa më poshtë s’ka më lidhje me pemët…..

Organikisht do bashkohesha me cdo njeri që mbron ambjentin, me cdo nisëm, lëvizje, gërthitje, vajtim që do të ndalojë masakrat si ato që po ndodhin në Tiranë. Por e kam të vështirë të bëj sikur pemët janë e keqja dhe masakra më e madhe, që i ka ndodhur Tiranës dhe Shqipërisë, sidomos të bëj sikur nuk e dija qe do ndodhte pikërisht kështu.  Më duket hipokrite, që pikërisht ata, që nuk vajtuan sharrimin në mes të bulevardit të njerëzve të pafajshëm në 21 janar 2011, vajtojnë tani për sharrimin e një lisi. Po aq sa është hipokrite, që të huajt, të shfryjnë tani kundër KQZ- së së Ristanit për mos ndjekje procedurash për ambjentalistët, kur më parë nuk u shprehën kaq hapur a kaq zemëruar, kur po kjo KQZ, në formën dhe përmbajtjen e një pijaneci xurxull, që s’i shihnin më sytë, fuste duart dhe vidhte ashiqare votat e Tiranës. Të huajt nuk na kanë asnjë faj, për pemët qajnë shumë në vendet e tyre, se votat nuk ua vjedh kush, ndaj për pemët duan të flasin dhe në Tiranë. Por nëse larg qofte u shkon mendja ti bien pragut të dëgjojë dera, ta mendojnë prapë, se kjo është një metaforë pa kuptim në Shqipëri. Sa për shqiptarët nuk ka nevojë për më shumë sqarime. Ata tashmë e dinë se Shqipëria e tyre është një vend, ku jo vetëm nuk duhet të merresh me pragun, por as derës nuk duhet ti biesh, atë duhet ta rrëzosh përtokë me shqelma.

E pra sofisticizmat e shoqërisë që vajton për pemët, nuk i kanë hije hic batakut shqiptar. Sqima dhe qibarizmi i të quajturve intelektualë që gjoja na u merziskan për lisa e plehra, duket qesharake në një vend ku po bëhet kiameti.

Fatos Lubonja është aktiv për pemët, dhe të gjithë po thonë si lajm të madh se është i mërzitur dhe kjo mërzitje i lexohet hapur. Unë e besoj që është i mërzitur, por nuk ja kuptoj arsyet me thënë të drejtën. I kishte bërë një letër të hapur atyre 30 intelektualëve që mbështetën Bashën, dhe ja kërkonte atyre llogarinë për masakrën e parkut. Unë ndërkohë vendos tja kërkoj pikërisht Lubonjës këtë lloj llogarie. Dhe a e dini pse? Sepse ata intelektualët, në qofshin a s’qofshin të tillë dreqi e di, mua as më bënë përshtypje fare kur mbështetën Bashën. Thjesht Shqipëria vazhdon të prodhojë njerëz të tillë, si zgjatim i komunizmit dhe ish organizatave të lagjes. Të tillë firmëtarë i kam parë kundra grevës së urisë së socialistëve e kundra cdo lloj opozite tjetër. Ata janë shpikje alla shqiptare, thjesht dhe gjithmonë kundra opozitës dhe pro pushtetit. Ndaj nuk i llogaris dhe s’ma do mendja se ata i shtuan ndonjë votë Bashës. Basha votat i vodhi, dhe ato që erdhën ngamali, dhe ato që u numuruan fushës. Por mua dhe besoj shumë si unë, u bëri përshtypje të madhe mbeshtetja që Lubonja i bëri Lulzim Bashës.Po, po, mbështetje sot e gjithë ditën, me zë e figurë, e zezë mbi të bardhë. Shihni emisionet e Klanit, shfletoni artikujt e gazetave dhe do gjeni sesi Lubonja thotë se Bashën nuk e kemi provuar, na lini ta provojmë, hajde flasim  për planet e Bashes, e brockulla të këtij lloji, që vetëm Lubonjës nuk i kanë hije. E kam përmendur shumë herë dhe nuk do rresht së thëni, sesi mund të presim për të provuar një njeri të akuzuar nga drejtësia për një vjedhje kolosale, që ju fsheh asaj me raporte mjekësore, për mos shkuar pastaj tek roli si Ministër i Brendshëm në 21 janar. A ka njeri nevojë të presë se cdo të bëjë një hajdut, nese i jep celësin e shtëpisë në dorë?Apomos ndoshta do velet nga e mira dhe do ndërroje zanat?

Nuk besoj që Lubonja  i shtoi ndonjë votë Bashës, packa se duhet të ketë njerëz që e dëgjojnë dhe ja vlerësojnë mendimin. Votat e përsëris, Basha i vodhi, bile as vete vota personale e Lubonjës nukkishc’i duhej. Por helmatizmi i opinionit, me teorine se na duhet ta provojmë dhe njëherë hajdutin, se nuk vodhi aq sa duhet herën e  parë, i duhej Bashës që cke me të. Dhe e mori. Pikërisht nga Lubonja, c’rëndësi ka, e vuri apo jo firmën ai në një letër bakalli.

Pastaj vijmë tek kjo teoria e ekraneve, kur analistët pyesin dhe duan të bëjnë një përpjekje për programe përkatëse duke e parë këtë si një lloj mënyre për të treguar sa intelektuale është kjo e jona shoqëri, që e vret mendjen për ideologjira dhe programe. Eshtë e gjitha një lloj fallciteti i besdisshëm që nuk e di kujt i shitet aty, se të gjithë jetojnë në të njejtin pellg të baltosur dhe ku dallimi kryesor mes paleve politike është kush të vret, e kush nuk të vret. Pas kësaj, vjen kush vjedh votat, kush vjedh shqiptarët në mes të ditës, e një sërë gjërash të tjera të rëndësishme. Por pa u ndarë tek pyetja e parë, nuk mund të kalohet as tek e dyta, as tek e treta, e aq më pak të shkosh tek qibarizmi i madh i vrasjes së pemëve. E pra ata që heshtën për vrasjet e jetëve, tu vij turp që bëjnë sikur vajtojnë për pemët. Atyre që justifikuan vjedhjen e votave, mos i besoni se nervozohen për vjedhjen e parkut.

Se pemët janë ana e dukshme e asaj që po bën Basha, të tjerat ca i dimë, ca as kemi për ti ditur. Ose dhe në u zbulofshin rastësisht, pak shance ka të shkaktojnë ndonjë reaksion. Sepse Shqipëria është një vend ku Ilir Meta “rikuperohet” si dhëndërr i ri, Fatos Nano  degradohet me dëshirën  dhe ai për rikuperim, se në fund të fundit si i korruptuar u largua nga politika! Shqipëria është një vend me kopukër ordinerë që vjedhin, vrasin, prishin e shkatërrojnë, por pas cdo bëme, shkojnë nepër studio televizive si në dasëm. Shqipëria është një vend me diploma fallco, si shprehje e intelektualizmit po kaq fallco. Shqipëria është në fazën e parashoqërisë, jo më të mendosh për shoqëri intelektuale.  Berisha,Meta, Nano, Basha, dreqi e i biri, vrastarë dhe vjedhëtarë të cdo gjëje të gjallë, trajtohen  me respektin maksimal nëpër ekrane, që në fakt është lëpirja maksimale nga ana atyre që ftojnë. Shpesh them si nuk pështyhen në surrat live, nga audienca ta paktën.Apodhe audienca merr 5 mijë lekë për frymë, të mbajë frymën gjallë, njësoj si ata që shesin votën për një thes mielli.

Popyetjet e drejtperdrejta ku shkuan, a merr njeri malli për to? Si psh: Zoti Meta ku i gjeni paratë përviladhe ngjala? Ju erdhi turp që u kapet duke vjedhur?Pofëmijëve cfarë edukate u jepni? A ju vret ndërgjegja që disa shqiptarë, tejet të varfër që protestuan kundra bllokut tuaj u vranë? A mund të na e shpjegoni kuptimin e fjalës cipë, ka egzistuar ndonjëherë ajo tek ju dhe nëse po, kur e humbët?

Popyetjet per presidentin ku shkuan? Pse mjaftohen të gjithë duke e pyetur a jeni mirë me shëndet, dhe ai thotë po, dhe këta i thonë epo shërim të mëtejshëm për të mirën e Shqipërisë?  C’është kjo dëshirë për ta mbajtur mirë me presidentin e ri kur dekoratat i ndau të gjitha Topi? E shumta dhe e pakta që mund bësh tani e tutje, është të shkosh në presidencë me një kavanoz komposte.

I ka rënë flaka reporterëve për të shkuar dhe pyetur disa adminitsrata ku ka ndërruar “spital” Nishani?  Ato me siguri do tu tregojnë tmerrin që kanë provuar, pas urdhrave policeske që askush mos shfaqej nëpër dyer dhe ashensorë kur ai kalonte.

Kushe hodhi i pari idenë se ai na qenka korrekt dhe i ndërshëm, madje dhe shpirtmirë???

Pse nuk hapen arkivat e lajmeve dhe të gazetave dhe të rivizitohet dhe njëherë ai grup njerëzish dinjitozë të Ministrisë së Drejtësisë, të pushuar si turmë bagëtish nga puna, fill pasi kishin kaluar ditë e natë duke plotësuar pyetësorin e Berishës. Pse nuk verifikohet se këta intelektuale të vërtetë, me një karrierë ndonjëherë dhe 20 vjecare, nuk u pushuan se Nishani donte të kursente shtetin, por se u zëvëndësuan me të paaftë militantë njësoj si ai, me njerëz që as nuk e kishin lexuar, as e kishin parë me sy ndonjëherë kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dhe për të gjithë ata që luten dhe besojnë, se sëmundja e tij do kalojë për një vit e gjysëm, le të shtojnë dhe mallkimet e atyre që u hoqi nga goja bukën e fëmijëve, të fituar me djersë e punë.

Pse nuk flitet dhe investigohet për noterizmet e kryera me ngut kur mori lajmin se do ndërronte ministri?Potë kontrollohen ato noterizime me siguri do zbulohet që mbajnë përsipër vulën e sakatisë, në të gjitha drejtimet. Pse nuk pyetet presidenti i zgjedhur për masterin e cuditshëm?

Unë e kuptoj që ka ende disa gazetarë që u vjen turp ta pranojnë të kenë një president me master fallco, që u vjen turp ta trajtojnë Metën si shtetar, apo Nanon si normal.Pokjo është puna e tyre,  ta identifikojnë turpin dhe tja lënë turpin në derë atij që e ka bërë. Mos kompleksohen nga bëmat dhe turpet e politikanëve që ftojnë. I vetmi kompleks që u lejohet, është që nuk kanë bërë sa duhet për të hequr qafe këtë shpurë batakcinjsh, që nuk u kanë hequr atyre mundësinë dhe fytyrën të shfaqen dhe krekosen nëpër ekrane.

Shkurt egziston një fallcitet i mahnitshëm sot në Shqipëri, për gjithcka dhe këdo. Kjo gërshetuar me dëshirën për të qenë të gjithë politikisht korrekt, dhe unë këtë me thënë të drejtën s’e kuptoj. Deri diku politikanëve “u takon” të jenë politikisht korrekt, perfekt nga jashte, packa se e dimë c’janë nga brenda, po të paktën ua do puna të hiqen sic nuk janë. Por pjesës tjetër, gazetarëve, shoqërisë civile, pse u duhet vallë të qenurit politikisht korrekt?Apomos mendojnë të gjithë të bëhen presidentë një ditë, dhe pasi të kenë lënë takim për të shkuar në një studio televizive, befas të përfundojnë në makinën e gardës për tu bërë vërtetë president…Por flasim herë tjetër për luftën brenda llojit dhe si përfundon ajo. Lajmi i mirë për të gjithë është se  po, dhe mund të bëhen, president, ministër, kryetar parlamenti e c’tu dojë zemra. Lajmi i keq vetëm për disa, është, se nëse nuk janë katandisur ende, duhet medoemos të arrijnë në nivele të atilla  jargavitje apo loloje, sa sivëllezërit e tyre në presidencë dhe nëpër ministri.

Fytyra e qeverisë shqiptare është fytyra e shtetit shqiptar dhe me keq akoma e shoqërisë shqiptare sot. Qesharake dhe fallco.

Të qenurit politikisht korrekt është një ambalazhim i keq që nuk të shpie shumë larg. Dhe si përgjigje e garantuar herë pas here, do jetë o plumbat në bulevrad, o vjedhjen e zgjedhjeve të rradhës, o prerjen e lisave dhe pemëve. Por nëse kjo e fundit vlen më shumë për tu protestuar, qoftë ashtu, me plumba nuk do gjuajë njeri për pemet, por në dritë s’kanë për të nxjerrë gjë.

Gjithashtu me qarjen për pemët nuk mund ta lajnë kaq kollaj fytyrën, se po copëtohen për Shqipërinë, se po bëjnë rolin e intelektualit rebel, që i dhimbset qoftë dhe një pemë.  Me kontributin e këtij soji intelektualësh, shto dhe median si pjesë e civiles, sot në Shqipëri, shkëlqimi dhe llumi janë një, intelektualizmi dhe injoranca janë aleatë, hajduti dhe i ndershmi vishen dhe flasin njësoj, degjohen dhe respektohen po njësoj. Dhe kur rrojnë të gjithë në një pellg për një kohë të gjatë, kur japin e marrin me njëri- tjetrin, kur i bëjnë vend njëri-tjetrit, kur mbyllin sytë dhe veshët për vrasjet e jetëve, dallimi nuk bëhet dot duke mbrojtur pemët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›