E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për çdo të dytin zviceran, islami paraqet rrezik

Një sondazh reprezentativ i realizuar nga fondacioni Berthelsmann nxjerr në pah se një shumicë e konsiderueshme, gjegjësisht 58 për qind e zviceraneve konsiderojnë se islami nuk përkon ose nuk përshtatet me vlerat perëndimore. Ndërsa për gjysmën e të anketuarve, gjegjësisht 50%, islami përbën kërcënim.

Sondazhi i njëjtë është bërë edhe në 12 vende tjera perëndimore dhe vetëm në Spanjë kjo përqindje, me 65% është më e lartë se në Zvicër. Në Gjermani për 51% të të anketuarve islami nuk përputhet me vlerat pereëdimore ndërsa në SHBA, për 42 %, shkruan Focus.de dhe 20minuten.ch.

Kjo frikë dhe ky mospajtim, sipas studimit, vjen nga raportimet negative që lidhen me islamin, si sulmet terroriste por edhe fushatat si ajo e para tri viteve kundër minareve, e udhëhequr në Zvicër, transmeton albinfo.

Frika ose mosbesimi, thuhet në studimin e Berthelsmann-it shfaqet përkundër faktit se shumica e 400 mijë myslimanëve që jetojnë në Zvicër vinë nga Ballkani, ku nuk ka identifikim të fortë me islamin. Por, sipas studiuesve, Zvicra është një vend i vogël dhe për këtë arsye, shkalla e perceptimit të rrezikut nga një fenomen rritet shumë shpejt.

Megjithatë, sondazhi tregon edhe atë se shumica e zviceranëve, gjegjësisht 81% janë të hapur për religjionet tjera. Por, 64% i konsiderojnë religjionet si shkaktarë të konflikteve.

Ndërkaq, të anketuarit kanë qenë me shumicë dërmuese (80%) të mendimit se politikanët nuk kanë të drejtë të ushtrojnë poste religjioze. 57% të zviceranëve e konsiderojnë veten si religjiozë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›