E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj inspekton përgatitjet e regjimit të vizave

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Stamboll, për të inspektuar përgatitjet finale për fillimin e dhënies së vizave të Kosovës për qytetarët e 87 vendeve të botës.

Ministri Hoxhaj ka takuar zyrtarët e Konsullatës duke kërkuar informacione rreth nivelit të përgatitjeve dhe kapaciteteve për të filluar procesin e dhënies së vizave të Kosovës për qytetarët e shteteve që këtë vit do të duhet të pajisen me vizë të Kosovës, në mënyrë që të mund të vizitojnë shtetin e Kosovës.

Hoxhaj ka theksuar rëndësinë që ka për Kosovën funksionimi sa më efikas i sistemi i pajisjes me viza të shtetasve të huaj, duke theksuar edhe rolin e rëndësishëm që ka ky regjim për proceset në Kosovë.

“Në bazë të standardeve të njohura ndërkombëtare të migracionit, vendosja e regjimit të vizave konsiderohet linja e parë e mbrojtjes kundër lëvizjes ndërkombëtare të personave të cilët mund të përfaqësojnë rrezik të sigurisë, ashtu sikurse edhe atë që ka të bëjë me trafikimin e njerëzve apo të dukurive negative”, tha Hoxhaj, gjatë bisedës me stafin e Konsullatës në Stamboll, njofton zyra e informimit e MPJ-së.

MPJ njofton se ka hyrë në fazën më intensive të implementimit të vendimit për krijimin e qendrës së vizave, nëpërmjet së cilës do të bëhet implementimi i një regjimi efikas të vizave që është baza për trajtimin e të huajve në aspektin e vizitorëve, migracionit, studentëve, bashkimin familjar, refugjatëve dhe azilkërkuesve të listuar në vendimin e Qeverisë për të cilët është vendosur regjimi i vizave me Kosovën.

Këta qytetarë do të kenë mundësi të aplikojnë në një nga misionet diplomatike/konsullore në njëzetenjë (21) kryeqytete dhe 26 qytete të tjera të botës. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›