Një kryeministër opozitar!
Ka një postim të fundit Sali Berisha në Facebook, që do ta kishte zili çdo psikolog, i cili donte të dinte se çfarë bluan në mendje një i mundur me 1 milion vota, që nuk pranon të shkojë në shtëpi. Është një koncentrim perfekt i të keqes që nuk i del nga shpirti pse shqiptarët e ndëshkuan, dhe një model atipik në botë kur një njeri, që nuk pranon të lëshojë karrigen e kryeministrit dhe karrigen e partisë nga e cila ka deklaruar dorëheqjen, do të jetë në të njëjtën kohë dhe kryeopozitar i vendit.
Ka disa ditë që fotokopja e tij, Lulëzim Basha, dhe tashmë dhe vetë origjinali, po ngrenë një stuhi rreth ndryshimeve të pritshme në administratë. Nuk është një kujdes për të mos pasur revansh, por një klithmë kënaqësie dhe revolte njëkohësisht pikërisht për ata që bëjnë sikur duan të mbrojnë. Të shokuar se si administrata e tyre, edhe pse ata e survejuan, e poshtëruan dhe e detyruan të fotografojë votën, votoi në shumicë kundër tyre, tashmë berishët më shumë se sa të mbrojnë njerëzit e tyre në administratën e re, duan ta përdorin këtë tranzicion dymujor për të nxjerrë dufin ndaj tyre.
Postimi i fundit i Berishës ishte një vizatim i qartë i gjendjes së tij shpirtërore, një përfytyrim i kënaqësisë së tij perverse, që ai ndjen se si mund të ikin nga puna dhe ndonjë nga ata që nuk e kanë votuar, dhe pafuqisë së tij për të qenë më tej zot i fatit të tyre. Përfytyrimi i tij për thasë me miell, tendera, miq të kryeministrit, ndërkohë që ai është ende formalisht në karrigen e kryeministrit, është vizatimi perfekt i dremitjes së tij të fundit në kolltukun e kryeministrit, duke ëndërruar kryeopozitarin. Frika e tij reale është në fakt se mos nuk ndodh ndonjë hata e madhe, se mos nuk hiqen të gjithë nga puna dhe ai do të mbetet i vetëm duke kërkuar mbështetës për opozitën që e ka nisur duke qenë ende kryeministër. Frika e tij reale është se mos pushteti i ri përzgjedh me gjithë mend vlera reale në qeverisje, i mban në punë njerëzit e aftë, i ndëshkon klientët e familjes së tij, i çliron ata nga frika dhe i bën të flasin për gjobat e familjes dhe ai mbetet të shikojë bashkë me fotokopjen e tij se si do ta braktisin njerëzit ditë pas dite.
Postimi i Berishës vlen për të kuptuar se çka bërë ai me administratën, si ka mundur ta ndërrojë atë dhe tre muajt e fundit pasi u prish me LSI, si ka hequr nga puna njerëzit jo vetëm për qëndrime politike, por dhe për qëndrime klanore pro ose kundër Familjes së tij, si ka lënë pa punë qindra mbështetës të tij vetëm se familjes i kanë interesuar më shumë mercenarë të saj, se sa mbështetës të PD-së. Ka dhjetëra reagime në media nga nëpunës civilë, demokratë, që janë hequr nga puna vetëm se ishin jashtë klaneve të Familjes. Disa prej tyre ka disa ditë që botohen në gazetën Tema. I ka hequr Lulëzim Basha dhe Sali Berisha dhe janë me PD. Është pikërisht kjo masakër që ka bërë Berisha me administratën, është pikërisht ideja se ai e ka përfytyruar administratën një trupë elektorale dhe tashmë ndjehet i tradhtuar që ajo rrezikoi duke mos e votuar, që e bën sot Berishën një plak të vetmuar, që mallkon duke ndjellë fatin e keq për ata që ai i konsideronte turmën e tij.
Frika e tij reale tani që ende nuk shkulet nga karrigia e kryeministrit, është në të vërtetë opozita e nesërme, opozitën që ia ka nisur ta kontrollojë ende pa filluar. Ai ka nevojë për ushtarët e rinj që do ti shërbejnë dhe ka një frikë se mos kthehet në një gjeneral pa ushtarë. Ka nevojë të rrethohet së paku nga një mijë vetë, nga ata që kanë vjedhur në tatime, në CEZ, në ujësjellës, në dogana dhe targa e patenta, që ta rrethojnë e ti thonë na pri përpara. E di se askush tjetër nuk ka më nerva dhe dëshirë të ndjekë një njeri që e ktheu Partinë Demokratike në eskortë shërbëtorësh të djalit dhe vajzës së tij, por shpreson së paku që reformat të prekin përveç hajdutëve dhe ndokënd që nuk e ka votuar atë dhe ai të ndjehet i kënaqur në urrejtjen që po ngjall kudo për popullin dhe administratën mosmirënjohëse. Po ja injekton këtë teori dhe fotokopjes së tij, i cili ka hequr nga Bashkia dhe pastrueset e rrugëve dhe jo më nëpunësit civilë. Të dy kanë frikë se në selinë e PD-së pas 6 shtatorit do ngelet vetëm Familja, e cila do doemos disa skllevër para selisë të vajtojnë bashkë me ta.
Është një periudhë e vështirë për të. Nuk pranon dot që pushteti po transferohet tek kundërshtari dhe shpik deklarata kërcënuese për presidentin, kryeprokurorin, guvernatorin, etj. Nuk pranon dot që kundërshtari do bëjë reforma dhe lëshon piskama për viktimat e reformave. Nuk pranon dot që kundërshtari do të ndjekë një kurs perëndimor dhe lëshon piskama destabilizuese për rajonin, duke ëndërruar se do të hedh në erë Ballkanin me VKM e tij idiote për shtetësi. Nuk pranon dot që shqiptarët e Shqipërisë votuan masivisht kundër tij dhe ëndërron se do të ndërrojë popullin duke sjellë qytetarë me origjinë shqiptare nga Turqia, Maqedonia e Greqia. Nuk pranon dot që pasardhësi do të punoj me FMN, Bankën Botërore dhe SHBA, dhe refuzon të shkojë të festën zyrtare të SHBA, duke thyer rekordin si i vetmi kryeministër dhe ish- president i këtij vendi që refuzon zyrtarisht SHBA. Nuk pranon dot që në PD disa njerëz e kanë marrë seriozisht dorëheqjen e tij, dhe kthen mendje duke i kërcënuar në telefon dhe me sms vulgare si ti shkruante ndonjë badigard halabak. Nuk pranon dot që është mundur, është poshtëruar dhe ndëshkuar në mënyrë historike nga shqiptarët dhe ka nisur të mallkojë duke u ndjellë një fat të zi pa të. Shkurt, është çmendur! Dhe do të bëjë dhe kryeministrin, dhe kryeopozitarin nga e njëjta karrige. Dikush duhet ta qetësojë këtë njeri dhe ti thotë të shmanget nga kamerat, të zhduket nga media dhe të ikë të pres i qetë fatin e tij në shtëpi. Aty ku e kanë dërguar shqiptarët. Para se ti caktojnë ndonjë fat tjetër!
