E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për dy ditë, 180 të vrarë në Siri

Aktivistët për të drejtat e njeriut në Siri thanë se më shumë se 180 njerëz janë vrarë në rrethinat e Damaskut që nga e diela, si rezultat i një aksioni të ushtrisë siriane ndaj dezertorëve të ushtrisë.

Trupat qeveritare kanë përdorur tanke, ndërsa raportohet se janë arrestuar qindra persona.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se më shumë se 100 persona janë vrarë të hënën, ndërsa 80 të dielën.

Nuk ka pasur konfirmime nga burime të pavarura për shkak të kufizimeve që u ka bërë mediave regjimi i Bashar Al Assadit.

Në ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së filloi debatin për një rezolutë të re mbi Sirinë.

Drafti evropiano-arab mbështet një plan të Ligës, Arabe që synon dhënien fund të dhunës dhjetëmujore në Siri. Rusia ka thënë që refuzon disa pjesë të projekt-rezolutës, por ka thënë se është e gatshme që të negociojë.

Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, ka kërkuar nga OKB-ja që të përfundojë “neglizhencën” e saj ndaj dhunës në Siri, që deri më tash ka lënë të vdekur më shumë se 5 mijë persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›