E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë do të bëjë Hillary Clintoni?

Insistimi i saj se ky do të jetë mandati i saj i fundit në cilësinë e sekretares amerikane të shtetit, ka nxitur pyetjet dhe dilemat se çfarë do të bëjë Hillary Clinton në të ardhmen. Duke filluar nga angazhimi i saj për të drejtat e femrave, e deri te funksioni i kryesueses së Bankës Botërore. Opsionet e saj janë të shumta.

Spekulimet për të ardhmen e Hillary Clintonit tashmë kanë filluar. A do të sfidojë ajo presidentin aktual, Barack Obama, në garën për të emëruarin e demokratëve për president në zgjedhjet e ardhshme? Apo do të zë vendin e Joe Bidenit si zëvendës-presidente? Tani, pasi që ajo ka shpalosur synimin e saj për t’u tërhequr, nëse Obama fiton mandatin e dytë, spekulimet janë dyfishuar.

Pra, cilat janë opsionet e Clintonit? Pikë së pari, ajo nuk do të sfidojë Obamën në garën presidenciale. Clinton dhe këshilltarët e saj në vazhdimësi kanë mohuar këto spekulime.

Shkëmbimi i funksioneve mes Bidenit dhe Clintonit, mundësi kjo e cila së fundi është përmendur si opsion nga gazetari i New York Timesit, Bill Keller, ka më shumë gjasa që të jetësohet. Clinton ka një përvojë më të madhe se Bideni në fushata dhe do të haptë rrugën që Clinton të kandidonte për presidente në vitin 2016, ndërsa Biden gjithmonë e ka dëshiruar funksionin e sekretarit të shtetit. Sidoqoftë, Clinton ka përsëritur në vazhdimësi se nuk është e interesuar as për funksionin e zëvendës-presidentes.

Mohimet e vazhdueshme të Clintonit nuk janë e vetmja gjë, që flet kundër një kandidature të mundshme për presidente. Ekziston gjithashtu edhe pesha e historisë. Kalimi nga funksioni i sekretarit të shtetit te presidenca është një shteg, i cili daton që nga shekulli i 19-të, thotë Edward Burkowitz, profesor i historisë në Universitetin George Washington. Sekretarët e kohëve të fundit kanë qenë të prirë që të tërhiqen, si rasti i Colin Powellit.

Sekretarët që kanë ardhur nga spektri akademik, si Condoleeza Rice, Madeleine Albright, Henry Kissinger, apo George Schultz, zakonisht kthehen sërish.

Sikur edhe ish-presidentët, edhe ish-sekretarët e shteteve mund t’i shërbejnë partive të tyre. Dean Acheson, sekretar në kohën e Harry Trumanit, u kthye në shërbim nga ana e John Kennedyt, të ciolit i shërbeu si person ndërlidhës me Charles de Gaulle, gjatë krizës së raketave në Kubë.

Administrata Obama ka kërkuar këshilla nga Powell dhe e ka shfrytëzuar Albrightin si përfaqësuese nëpër samite.

“Është kjo një traditë dhe me siguri se është një mundësi edhe për Hillaryn. Ajo mund të dërgohej në Haiti, nëse atje do të ndodhte ndonjë katastrofë natyrore apo të dërgohej për të marrë pjesë në varrime shtetërore”, thotë Burkowitz.

Ai më tutje shton se nëse dikush është në gjendje që të anashkalojë këtë trend të historisë, atëherë ky person është Hillary Clinton.

Ajo ka të gjitha parakushtet e nevojshme për të garuar për presidente. Timothy Geither thotë se ajo ka qenë përgjegjëse për disa prej aspekteve më të suksesshme dhe më të popullarizuara të presidencës Obama.

Ajo mund të nënvizojë meritat e saj për vrasjen e Osama Bin Ladenit dhe për Libinë. “Nëse dëshiron të kandidojë për presidente pas katër viteve, atëherë ka një portofolio të mrekullueshme”, thotë Burkowitz.

Një nga funksionet e mundshme të Clintonit, për të cilat është diskutuar se mund të mbulohen ajo pas largimit nga State Departamenti amerikan, është edhe ai i kryetares së Bankës Botërore.

Clinton duket se po lë të hapur derën për rikthimin e saj të mundshëm në politikë, edhe pse ajo njëherë pat theksuar se nuk është e interesuar të ringjallë momentet nga viti 2008.

Madje edhe nëse vendos të kandidojë në vitin 2016, ajo ende duhet të kalojë një periudhë katërvjeçare. Ajo ka lënë të kuptojë se mund ta kalojë kohën, duke u angazhuar për të drejtat e femrave dhe të fëmijëve, me gjasë duke themeluar një Fondacion.

Spekulimet se Clinton mund të shkojë në Bankën Botërore për herë të parë dolën në sipërfaqe verën e kaluar, kur Christine Lagarde mori përsipër kryesimin e Fondit Monetar Ndërkombëtarë, pas shkarkimit të Dominique Strauss-Kahnit.

Tradicionalisht, FMN dhe Banka Botërore janë kryesuar nga një evropian dhe nga një amerikan, prandaj nëse Franca ka marrë përsipër FMN-në, SHBA është nën trysni që të ofrojë një kandidat të fuqishëm, i cili është aq sa duhet i fuqishëm, për të heshtur kundërshtimet e shteteve si Brazili, India dhe shteteve tjera që kërkojnë këtë funksion. Clinton, me përvojën e saj në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres, do të ishte një kandidate e fuqishme dhe interesimi i saj afatgjatë për zhvillimin e botës do ta bënte funksionin e kryetares së Bankës Botërore një funksion joshës për të.

(Daily Beast)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›