E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për gjyqtarët, vlerësime të kundërta

Komisioni i Shoqatës së Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës, bashkë me Komisionin Profesional të saj, kanë mbajtur mbledhje, ku kanë analizuar punën e gjyqtarëve dhe të kontrollorëve.

Në njoftimin e lëshuar nga FFK thuhet se gjatë vlerësimit të punës, është konstatuar se ndarja e drejtësisë dhe puna e kontrollorëve ka qenë në nivel të kënaqshëm, por ende ka hapësirë për përmirësim dhe angazhim më të madh.

Ndër të tjera, në këtë njoftim thuhet se Komisioni është i vendosur që të mos ketë asnjë mirëkuptim për ata që nuk i kryejnë detyrat sipas rregullave dhe kritereve dhe këto do të kenë zero tolerancë. Komisioni nuk do të pranojë asnjë notim të lartë për gjyqtarët pa përshkrim shtesë, se përse është bërë një gjë e tillë, thuhet në fund të njoftimit.

Nga ana tjetër, drejtuesit e klubeve mendojnë krejt ndryshe. Sipas tyre, referimi në futbollin kosovar nuk është kërkah hiq. Mendoj se referimi në Kosovës është i njëanshëm. Problemi kryesor në futboll është referimi, ka thënë kryetari i klubit të Vëllaznimit, Agim Koci.

Edhe kryetari i klubit Liria nga Prizreni, Hatmi Gashi, mendon se ndarja e drejtësisë në futbollin kosovar nuk është aspak në nivel. Ne mendojmë që referimi nuk është në nivel. Në disa ndeshje gjyqtarët na kanë dëmtuar, me qëllim apo pa qëllim, ne nuk e dimë. I kemi bërë një shkresë FFK-së edhe Shoqatës së Gjyqtarëve që të merren masa. Nëse vazhdon kështu referimi, ne nuk e shohim të arsyeshme të vazhdojmë më tutje, theksoi Gashi.

Ndërsa, nënkryetari i FC Prishtina, Afrim Muçiqi, thotë se edhe përkundër sigurisë, të cilën nuk e kanë gjyqtarët në asnjë vend të botës, drejtësia në futbollin kosovar nuk është nivel të duhur. Në mesin e shumë pikave që ka mangësi futbolli kosovar, është edhe referimi. Ne si gjithmonë dëmtohemi nga gjyqtarët, ka deklaruar Muçiqi.

Kurse drejtori i Kosovës së Vushtrrisë, Besim Halili, mendon se fajin e kanë edhe kontrollorët e ndeshjeve, të cilët i notojnë gjyqtarët me nota të larta, pa meritë.

Dëmin më të madh të futbollit po e bën një pjesë e gjyqtarëve. Ata si duket po e keqpërdorin sigurinë. Ajo që shihet në disa terrene është e kundërt me vlerësimin e Komisionit. Ka pasur raste që Kontrollori dhe gjyqtari kanë qenë të të njëjtit qytet, kështu që nuk ka mundur ta notojë me notë më të dobët. As vlerësimet e kontrollorëve nuk janë reale, u shpreh Halili.

Komisioni i Shoqatës së Gjyqtarëve në këtë mbledhje po ashtu ka konstatuar se gjykimi në Ligën e Parë është më i mirë falë incizimeve të ndeshjeve, i cili ka bërë që gjyqtarët të jenë shumë më të kujdesshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›