Gjermani: Kapet rrjeti shqiptar me 90 kg marihuanë

Policia gjermane e qytetit Oberhausen ka goditur një rrjet tregtarësh shqiptarë me drogë. Është arrestuar njëri nga krerët e grupit dhe pesë të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë. Personi i dytë përgjegjës i rrjetit duket të jetë në Holandë, njofton policia. Me këtë rast janë konfiskuar 90 kilogramë marihuanë, çmimi në treg i të cilës është rreth 1 milion euro, dhe 300 gramë kokainë, që kushtojnë 30 mijë euro.
Hetimet për grupin shqiptar të drogës kanë filluar që nga gushti i vitit 2012, njofton policia. Rrjeti, të cilin e ka ndjekur komisioni hetues me emrin e shifruar “Tirana” , ka vepruar në Oberhausen, Duisburg dhe Mülheim. Në aksionin vendimtar për kapjen e tregtarëve me drogë kanë marrë pjesë rreth 50 policë nga njësitet speciale, transmeton Albinfo.
Kapja e grupit është bërë pasi që policia kishte marrë informacione se të premten në Duisburg pritej arritja e një sasie të madhe droge. Zyrtarët policorë kanë ndjekur fshehurazi gjatë gjithë ditës tregtarët e drogës dhe në fund i kanë arrestuar ata. Veç sasisë së përmendur të marihuanës dhe kokainës, policia ka konfiskuar edhe dy automobila dhe para në vlerë prej 5 000 eurove.
Të arrestuarit, me moshë nga 23 deri në 45 vjeçare, janë kryesisht nga qyteti jugor i Fierit, ndërsa kanë rënë në sy vitin e kaluar duke shitur drogë në Oberhausen. “Ata kanë banuar në banesa konspirative bashkë me gra që merren me prostitucion, ku u shisnin kokainë klientëve të prostitutave”, deklaroi një zëdhënës i policisë./Indeksonline/