Rexhepi e Ademi i bashkohen koalicionit

Myzejene Selmani, shefe e Grupit Parlamentar të AKR-së, ka thënë se Koalicioni për Kosovë të Re mirëpret deputetet në fjalë, duke thënë së kjo është shenjë e vijimit të politikës dhe fuqizimit të grupit Parlamentar të KKR-së dhe trendit të rritjes së fuqizimit të partisë Aleanca Kosova e Re.
“Sot Koalicioni për Kosovë të Re mirëpret deputetin Danushin në Grupin parlamentar dhe njëkohësisht zonjën Emilia Rexhepi, e cila nesër do të bënë publik ardhjen në këtë Grup parlamentar. Kjo është shenjë e vijimit të politikës dhe fuqizimit të Grupit Parlamentar të KKR-së dhe trendit të rritjes së fuqizimit të partisë Aleanca Kosova e Re. AKR-ja dhe aleatët e saj politikë mbesin të hapur dhe mirëpresin prurjet të reja të fuqishme qoftë në Grupin Parlamentar, apo në parti. Këto prurje do të vazhdojnë edhe me një intensitet më të shtuar ku në javën e ardhshme pritet ardhja edhe një numri tjetër të deputetëve të pavarur në Grupin Parlamentar të KKR-së”, ka thënë ajo.
Deputeti, Danush Ademi, ka pohuar se arsyet që e kanë shtyrë atë t’i bashkohet Koalicionit për Kosovë të Re, ndërlidhen me interesin e komunitetit të cilit ai i takon. Ndërkaq e ka siguruar partnerin e saj PDK-në se ky veprim i tij, është për të mirën e qeverisë, e jo për interesa personale, apo grupore.
“Si deputet e kam zgjedh këtë Grup Parlamentar që të kyçem në ato komisione së bashku me ta, jo vetëm unë po së bashku me ta t’i mbrojmë interesat e komuniteteve që deri më tani kemi pas mungesë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo është njëra ndër arsyet që jemi kyç në këtë Grup të madh Parlamentar, e jo për disa kushte siç po flitet, por na ka pëlqyer programi i tyre. Por i bëjmë me dije se gjithçka do të jetë në të mirë të qeverisë Thaçi, sepse ne jemi në koalicion me PDK-në”, ka thënë ai.
E pyetur nga gazetarët lidhur me numrat e duhur të koalicionit qeverisës, Myzejene Selmani ka pohuar se siç po rrjedhin ngjarjet do të kenë edhe deputetë tepricë, edhe pse ajo nuk ishte në gjendje të fliste se sa deputetë ka ky koalicion momentalisht.
“Sipas gjitha gjasave do të ketë edhe tepricë të numrave. Numri aktual nuk mund të them saktësisht sa mund të jetë, por mund të jetë diku 58 ose 57”, ka thënë ajo.
Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re, ka pas 9 deputet, kurse pas daljes së Emin Gerbeshit, Muhamet Mustafës dhe Amir Ahmetit ka mbetur më gjashtë deputetë, ndërsa me ardhjen e këtyre dy deputetëve numri të këtij Koalicioni kthehet në 8.