Anës Senës, në zemër të Luvrit...

REPORTAZH- 4 ditë në Paris
Të shkosh në Paris, mbetet një ëndërr edhe për ata që kanë qenë një herë më parë. Madje edhe tani që janë liberalizuar vizat dhe mundësitë janë për të gjithë, përsëri vajtja në Paris është një kënaqësi dhe lumturi më vete. Befasi ishte edhe për mua që, për herë të tretë, të shkoja edhe një herë në atë që, pse jo, quhet me të drejtë “kryeqyteti i botës”. Kësaj here mundësia erdhi nga Ambasada Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në muajin dhjetor 2010, në AQSHF erdhën dy specialistë nga instituti audio-vizual “INA” i Paris, për të verifikuar gjendjen e arkivit të filmit si dhe për të parë më nga afër punën, procesin dhe gjithë ecurinë e këtij institucioni të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kombëtare. Pas disa muajsh erdhi raporti i hollësishëm, që për fat të mirë, është mjaft pozitiv dhe mbi të gjithë jo vetëm konstatonte por edhe sugjeronte dhe mundësonte zgjidhje të reja për të ardhmen. Në këtë kuadër u mundësua nga INA edhe një vizitë e specialistëve të këtij institucioni për të parë dhe për të përfituar nga përvoja dhe procesi i këtij arkivi, në një seminar dyditor pranë këtij instituti të rëndësishëm të filmit dhe televizionit. Më hollësisht për këtë institut do të flas më vonë. Kështu, falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer mes Ambasadës Franceze, dhe veçanërisht z. Raymond Chaffort dhe znj. Azra Hasanovic, atashe kulturor e cila ka disa javë që e ka lënë Tiranën për Brukselin, si dhe Ministrisë së Kulturës e veçanërisht angazhimit dhe përkushtimit maksimal të zv./ministres nj. Zana Turku, nga 9-10 u krye ky specializim i rëndësishëm dhe dobiprurës.
Sapo u caktua data, më parë se unë përfytyrimi im kapërceu kufijtë. Më erdhën në mendje përsëri ato imazhe që i kisha parë, ato rrugë, apo banesa karakteristike, si dhe metroja e famshme e Parisit. Emra objektesh, rrugë, ngjarje, personalitete të shquara, të gjitha këto me vlera unikale në botë. Tjetër është ta dish, tjetër është ta dëgjosh e tjetër ta shoshës e ta prekësh vetë. Edhe pse hera e tretë, emocione të veçanta të kapin, kur e beson se do shkosh përsëri. Këtë magji ta jep Parisi, që edhe pse e ke parë, përsëri ke dëshirë ta shohësh, nuk ngopesh me të, një dashuri që nuk mbaron kurrë. Nisja bëhet më datën 8 qershor. Ditë e bukur në Rinas. Është pak nxehtë, temperatura në Tiranë mbi 30 gradë. Mesditë. Teksa bëjmë chek-in, kontrollin policor, futemi në pjesën e pritjes. Përballë nesh në qiellin e pastër ulen e ngrihen avionë të kompanive e vendeve të ndryshme. Në pistë, pak më larg, duket një avion i madh prej rreth 130 vendesh i kompanisë prestigjioze “Lufthansa”. Për momentin kjo kompani ofronte bileta me çmime shumë të favorshme, por mbi të gjitha ajo ofronte kushte shumë më të mira fluturimi. Sapo shkelim në avionin, më erdhi ndër mend hera e parë kur kam hipur në një avion. Për fat të keq, vonë, shumë vonë, më 2001 dhe kjo ka ndodhur në Podgoricë, në një avion të vogël të kompanisë jugosllave “Jat”, në një udhëtim drejt Beogradit. Frika dhe emocionet ia linin vendin njëra-tjetrës. Ishte një vizitë pune mundësuar nga Institutit i Medies, me 10 gazetarë të ndryshëm të shtypit shqiptar. Që nga ajo kohë, prej mëse një dekade, kam pasur rastin të fluturoj edhe shumë herë të tjera e tashmë, drejt Parisit, në verë, jo si dy herët e para, në dhjetor.
Avion merr vrull, shkëputet nga pista dhe shumë shpejt poshtë nesh shfaqet kaosi i banesave dhe trokave, pa asnjë rregull e sistem, i krijuar këto dy dekadat e fundit. Pas pak, dalëngadalë, shfaqet vija bregdetare dhe më pas avioni kalon mbi retë. E kotë të lodhesh se mos dallon më shumë. Rehatohemi në ndenjëset për të lexuar shtypin, gazetat e ditës si dhe disa gazeta në gjuhën gjermane që i gjejmë në avion, thjesht sa i shfletojmë për të kuptuar ndonjë fjalë e për të shtyrë kohën. Poshtë nesh, herë pas here shfaqen maja malesh, pjesë detesh, qytete nën re. Drejt Myhinut ku është ndalesa jonë e parë, jemi pak me vonesë. Megjithëse, duke besuar në korrektësinë gjermane, shpresojmë se do të kapim avionin tjetër drejt Parisit. Dhe ashtu është. Aty na presin vetëm ne. Jemi katër vetë drejt Parisit. Një punonjës i aeroportit, apo i “Lufthansës”, kujdeset deri në hipjen tonë në avioni tjetër, i cili na priste në pistë, gati për fluturim.
Pas më shumë se një ore, i afrohemi Parisit, aeroportit “Charle De Gaul”, një nga më të mëdhenjtë e botës. Poshtë nesh shfaqet Parisi madhështor, rrethinat me një rregullsi të habitshme, gjelbërim, rrugë e ndërtime të reja, sikur të kishim të bënim me një maket të madh. Parisi, edhe nga ajri është i gjatë, i madh, i pafund. Avioni çan retë e bardha pulpore, sikur të jetë lodhur nga prania e tyre dhe ulet ngadalë në pistën e freskët të aeroportit. Këtu temperatura nuk është më shumë se 15 gradë dhe kontakti parë me ajrin na tremb. Ne kishim ardhur me rroba me krahë të shkurtër, por këtu ishte freskët, për të mos thënë ftohtë.
Në aeroport na pret një taksi e kompanisë “Avis”. Shoferi na beson, edhe pse në fillim heziton, pastaj qesh e thotë shqip: “ E dija që do të ishit shqiptarë! E pashë nga emri”. U befasuam. Ai ishte shqiptar nga Gjilani i Kosovës dhe punonte e jetonte në Paris prej mëse 12 vjetësh. Punonte pranë kësaj kompanie dhe herë pas here kishte pasur raste të priste e përcillte edhe yje të kinematografisë botërore, për të cilët na tregonte me krenari. “Një herë mendova të mos flas shqip, por pastaj u pendova”, tha dhe na ftoi miqësisht drejt makinës së tij për të lënë aeroportin e madh. Në autostradë nuk kishte edhe aq pengesa, megjithëse trafiku dukej paksa i rënduar për shkak të punimeve diku në një cep të saj. Gjithçka lëviz qetë, butë dhe ëmbël. Nuk të nervozojnë aspak, përkundrazi seç ndjen një farë kënaqësie kur shikon këtë lumë të gjatë makinash t’i lënë vendin njëra-tjetrës në gjarpërimin e tyre drejt Parisit.
Nuk e ndien kur hyn në Paris, thuajse gjatë gjithë kohës të duket sikur je aty. Pasi kemi lënë pas stadiumin e madh “Stade de France”, ndërtesa të mëdha të kompanive të ndryshme, fillon dalëngadalë të ndihet rregulli dhe harmonia në rrugë e banesa të një tipi. Rrugë, shëtitore, trafik i dendur, pallate të hirta, semaforë...
Makinat duken sikur ecin si me telekomandë, të gjitha të heshtura, pa bori, pa zhurmë, mbi të gjitha pa asnjë njollë tymi nga pas. Parisi është si i akullt, çdo gjë duket sikur shkëlqen, ndrin një bukuri e veçantë deri në marramendje.
Si ndahemi me taksistin gjakovar, rehatohemi në hotel, një hotel i vogël por komod në Montreiul. Nuk mendojmë të qëndrojmë gjatë aty. Më mirë të dalim, kemi akoma kohë për të parë Parisin në buzëmbrëmje. Ora është 6 dhe do edhe shumë kohë që dielli të perëndojë. Do marrim metronë, fillimisht drejt katedrales Notre Damme, pasi edhe hoteli ynë është aty pranë tre – katër stacione metroje më tutje. Sapo futemi në metro një erë karakteristike të shoqëron gjatë gjithë kohës. Të gjithë nxitojnë, të duket sikur të merren mendtë nga ritmi. Sytë sa te harta, aq te njerëzit që ecin me nxitim. Si marrim drejtimin e duhur, zbresim pranë Notre Damme, aty është “stacioni “ ynë i parë, nga këtu nis udhëtimi dhe tregimi për Parisin. Kjo nuk ka ndonjë rëndësi por thjesht për shkaqe objektive, pasi që aty fillojmë përshkrimin e një prej qyteteve më të mëdha të botës, aty ku fluturojnë ëndrrat e miliona vetëve në botë.
Në rrugicat që të nxjerrin përbri katedrales së famshme gjithçka është e bukur. Rreth e rrotull suvenire, dyqane të shumta, objekte të famshme për t’u parë, aq sa nuk të ngopet syri. Ndodhemi në Lagjen Latien, më e vjetra e Parisit, më historikja, bërthama e tij. Sena që rrjedh përmes e ndan më dysh. Sena ndahet nga dy ishuj që lidhen mes tyre me një urë metalike. Ishulli u ndërtua nga Jul Qezari në vitin 52 para Krishtit. Mes godinave të shumta ajo që bien në sy për madhështinë e saj është Notre Damme, e ndërtuar në shekullin 12-të, në stilin gotik. Ndërtimi i saj filloi në vitin 1163 dhe mbaroi pas 160 vjetësh, më 1345. Tepër zotëruese nga madhështia e saj, katedralja në mijëra e mijëra vepra arti që e përbëjnë atë, mes dritareve e parmakëve të shumë të duket sikur shfaqet Kuazimode e diku në cep edhe zeshkania Esmeralda, emrin e së cilës e mban një lokal aty afër. Madhështia e saj shkon përbri me madhështinë e Hygoit, i cili e ktheu atë në një mit, i dha të tjera përmasa që frymëzoi me mijëra artistë në mbarë botën. Në atë orë të mbrëmjes katedralja ishte mbyllur por nga jashtë ka turistë të shumë të të gjitha racave, thuajse nga e gjithë bota. Bëjnë fotografi, qëndrojnë aty disa çaste, sikur duan të ngopen me të, e pastaj nisen në këmbë drejt Pont Neuf, që në fakt kjo “Urë e Re” ka një moshë jo pak por mëse 400-vjeçare dhe ajo që ka të re vetëm emrin e saj. Kjo zonë ka a shumë vlera, e histori saqë nuk e përshkruan dot në pak rreshta. Aty pranë ndodhet edhe bashkia e Parisit si dhe ndërtesa të tjera të vjetra e të bukura. Menjëherë pas Pont Neuf, shfaqet një masiv ndërtesash po aq të bukura e madhështore si dhe të tjerat. Rreth e rrotull një park e një hapësirë e veçantë për këmbësorët e shumtë, Luvri. Kur e shikon për herë të parë, si çdo gjë në Paris, edhe Luvri të le pa mend. Një ndërtesë e madhe, e gjatë e pandërprerë, në formë patkoi, ku çdo shekull ka bërë shtesat e veta e që nuk duket aspak ndërhyrja. Luvri është një qytet kështjellë, ku ruhet një pjesë nga pasuria më e madhe e artit pamor botëror.
Fortesë që prej vitit 1204, më pas Luvri ka shërbyer si seli e mbretërve më të famshëm të Francës, dhe do të duhej Revolucioni i 1789-ës, për ta kthyer përfundimisht në muze. Objekt madhështor që të ngjall admirim dhe habi, Luvri është më i madhi dhe më i famshmi muze i arteve figurative në botë. Përherë, si në dimër, në vetë, në mëngjes e në mbrëmje, Luvri ka shumë vizitorë, sa jashtë edhe brenda. Pasi hymë nga porta lindore, në hapësirën e brendshme shfaqen masive të tëra ndërtesash të zbukuruara me statuja të shumta, brenda së cilave janë sallat ku ekspozohen objektet e rralla të trashëgimisë botërore.
Në hyrje të Luvrit është piramida e xhamtë, pranë një shatërvani freskues me mermer të zi. Ajo është hyrja moderne e Luvrit të madh e bashkëkohor. Piramidës së madhe i bëjnë shoqëri tre piramida më të vogla. Sapo zbret shkallët e reja, në një sipërfaqe të madhe rreth e rrotull, shfaqen dyqanet e suvenireve, bari dhe restoranti i madh me mbi 300 vende, biletaritë automatike, informacioni dhe më pas galeritë e shumta që presin vizitorë njëri pas tjetrit.
Thuhet se Luvrin e vizitojnë mbi 4-5 milionë njerëz në vit. Shumë prej tyre që e kanë parë njëherë dëshirojnë të kthehen përsëri. As Parisi e as Luvri nuk mbarojnë kurrë. Nuk ke kohë fizike të shikosh të gjitha. Duhen ditë, të tëra. Janë mbi 12 mijë objekte të ekspozuara, ndërsa fondi ka afro 500 mijë vepra, të cilat ekspozohen herë pas here në salla të veçanta, me tematika të ndryshme. Dy orë nuk mjaftojnë për të kaluar flesh nga një sallë në tjetrën e të duket se gjithçka përmblidhet vetëm tek një krijim, Mona Liza. Po pate parë Mona Lizën, ke parë Luvrin dhe të gjithë atje nxitojnë, të gjithë duan të bëjnë një foto e të kenë një kujtim pranë portretit të Mona Lizës së mbrojtur me një xham të madh. Pasi ke parë Mona Lizën, pastaj, i ngopur, fillon e kthehesh pas, për të shkuar më tej. Parisi nuk është vetëm Luvri. Jashtë ka të tjera mrekulli që të presin...
Parisi, madhështor në 360 gradë
Pranë Luvrit, shfaqet në cep të tij rruga “Rivoli”, e njohur edhe për dy ngjarje shqiptare. E para ka të bëjë me hotel “Kontinental”, ku Avni Rustemi vrau më 81 vjet më parë, më 13 qershor 1920, Esat Pashë Toptanin. Ndëra në një tjetër hotel, që ndodhet në rrugën “Rivoli”, “Hotel de Louvre”, bujti delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në 1946 në Paris. Në fakt në Paris ka shumë shqiptarë, nga emigrantët e vjetër të para Luftës apo edhe nga ata që i shpëtuan regjimit komunist, por edhe shumë të rinj, të ardhur pas viteve 90-të, e deri tek emra të shquar si shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, sopranoja me famë botërore Inva Mula, koreografi Angjelin Prelocaj, regjisorja Liri Begeja, etj, etj.
Ky komunitet nuk është i organizuar, dhe vetëm me rastin e Festës Kombëtare mund të takohesh me shumë prej tyre në pritjen që organizon Ambasada jonë në Paris, që aktualisht drejtohet nga shkrimtari i mirënjohur Ylljet Aliçkaj. Pasi dalim nga porta perëndimore e Luvrit, shfaqet kopshti dhe më pas Pallati Tyleri, seli mbretërish e perandorësh. Kopshti është i mbushur me statuja nga më të vjetrat tek ato më modernet, plot karrige e stola për vizitorët e shumtë që ulen për t’u çlodhur. Pak më tutje vjen sheshi Concord, aty ku i prenë kokën Luigjit të VXI, një shesh i mbushur me ngjarje, me përkujtime, festa e parakalime.
Në mes të tij gjendet një obelisk i madh, i rrethuar nga statuja e përmendore plot madhështi. Oblesikun e solli perandori Bonoparti nga Egjipti. Thonë se u desh të ndërtohej enkas një anije e posaçme që ai obelisk të vinte i plotë e që të mos shkatërrohej rrugës, i ndarë në pjesë. Pallatet e tjera përreth janë po aq tipikë e madhështore sa të tjerët dhe herë pas here aty organizohen festa e veprimtari kombëtare e ndërkombëtare.
Në fund të kësaj rruge fillon Shanz Elize, bulevardi më i famshëm e ndër më të bukurit në botë. I gjatë, i gjerë, i shtruar me rrasa të vogla guri, ai shkon deri tek sheshi i Harkut të Triumfit. Në të dy anët ka blirë të dendur dhe shtylla tipike që ngjasojnë me fenerët e dikurshëm të viteve 800. Në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ky bulevard hijesohet nga dritat e zbukurimet e shumta, plot larmi e hijeshi, krejtësisht i veçantë. Ndërsa zbukurohet edhe për festën kombëtare, në 14 korrik. Në të dy anët e bulevardit ka dyqane e bare luksoze. Te Harku i Triumfit ka shumë njerëz. Sikurse gjetkë edhe këtu ka plot kuriozë që vijë e bëjnë foto, madje ka edhe nga ata që janë të ngeshëm e ngjiten deri lart në tarracën e tij për të parë Parisin nga ajo pikë, që edhe pse nuk është shumë e lartë, është në një shesh në formë ylli dhe kjo të jep mundësi të magjepsesh me pamjen që të ofron. Harku i Trimufit është 50 metra i lartë. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1808 nga Napoleoni që të përjetësonte fitoret e tij. Pallati u inaugurua në 1836. Poshtë tij gjendet edhe varri i ushtarit të panjohur, i vrarë në Luftën e Parë botërore. Ai nuk duket, por janë veteranët ata që sjellin lule përherë, por kësaj here ato nuk bien në sy, ca edhe për faktin se edhe vetë veteranët janë rralluar dhe shumë pak e dinë këtë fakt. Për më tepër në atë mori njerëzish nga vende të ndryshme të botës nuk ke mundësi të dallosh asgjë. Ai mbetet sinonim dhe mishërim i lavdisë.
Duke vijuar më tej, sa në një anët të Senës, në anën tjetër, nga njëra urë në tjetrën, gjithnjë duke ecur në këmbë, dukej sikur rruga s’kishte të sosur. Ora kishte kaluar 20.30 minuta dhe dielli ishte ende shumë lart për të perënduar. Një fakt që na çuditi , por edhe na gëzoi sepse kishim ende kohë për të parë qytetin. Më mirë të ecnim në këmbë, edhe pse sa vinte e këmbët tona nuk po i ndienim. Kishim bërë mbi 2 orë e gjysmë rrugë dhe ende ishim thuajse në gjysmë të rrugës që kishim planifikuar. Destinacioni ynë i fundit për atë ditë ishte Kulla Eifel, që dukej sikur na e bënte me dorë, por që ende ishte shumë larg.
Si e kapërcejmë disa herë Senën, në qendër, në Parisin e vjetër, syri të zë vetëm ndërtime të vjetra dhe nuk lejohen ndërtime të reja.
Pranë urës së Almës, ndalojmë për t‘u çlodhur. Poshtë nesh shkojnë njëra pas tjetrës anijet e tipit “bato mush”, të mbushura plot me turistë, të cilët preferojnë të shijojnë Senën dhe Parisin me anë të rrjedhës së lumit, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur autobusët e kuq, por ne u besojmë këmbëve tona që dridhen...
Diku më tutje shtrihet Kisha e Invalidëve. Aty prehet edhe Napoleon Bonoparti. Kishim dëshirë ta shihnim por ishte vonë e nuk kishim kohë. Ndoshta do të mbetej për një herë tjetër, ashtu si shumë monumente të tjera.
Kaluam edhe urën e Aleksandrit, një urë e ndërtuar në fund të shekullit të XIX, si simbol i miqësisë franko-ruse. Ajo u inaugurua më 14 korrik 1900, me rastin e Ekspozitës Universale. Afër Kullës Eifel ka edhe një urë tjetër, por ndodhen edhe stacionet e shumta të barkave turistike. Aty rreth orës 21.00 të mbrëmjes gjendemi në këmbët e kullës më të famshme, Kullës Eifel. Pranë njërës prej këmbëve të kësaj ndodhet busti i projektuesit e ndërtuesit të saj, Gustav Eiffel. Me qindra turistë gjenden edhe aty. Radha për të marrë bileta e për t’u ngjitur lart është e madhe. Nuk kemi asnjë mundësi përveçse t’i vijmë rrotull e të ndalojmë përballë saj, nga ana e sheshi Trokadero. Atje çifte të tëra, të rinj e mjaft turistë vijojnë pelegrinazhin e tyre dhe fotot simbolike. Nuk ka njeri që nuk ka qenë në Paris e të mos ketë bërë aty një foto. Kulla Eifel, 327 metra e lartë, që prej 8 marsit të këtij viti pasi aty janë instaluar disa antena të reja që e kanë rritur lartësinë me disa metra. Ndërtimi i saj filloi në 1884, me një sërë polemikash, por që në fund triumfoi si epërsi e teknologjisë franceze dhe u inaugurua në ekspozitën universale në 1889. Ndërtimi i saj zgjati 2 vjet, 2 muaj e pesë ditë ekzaktësisht. Ajo është ndër shtatë objektet më të vizituara të Parisit. Sipas një statistike Kulla Eifel vitizohet thuajse çdo vit nga rreth 7 milionë vizitorë, (me biletë), pa llogaritur të tjerët që shkojë rreth saj, bëjnë foto e largohen.
Nata bie dhe fillojnë e ndizen dritat në kullën Eifel, vizitorët janë po aq të shumtë sa më parë. Ora ka kaluar 10 e gjysmë dhe duhet të marrim metronë për të shkuar në anën tjetër, drejt hotelit, në Montereuli. E nesërmja ka të tjera supriza. Mbi të gjitha na pret seminari dy ditor pranë institutit INA, për të cilin edhe kemi ardhur...
Për të vajtur në Bri sur Marne, ku gjendet instituti Ina duhet të marrësh RER A, një tren shpejtësie që na nxjerr nga Parisi. Si takohemi me z. Michel Dauzats, ai që mundësoi dhe bëri të mundur edhe seminarin tonë shkojmë drejt INA-s. Sa për dijeni Instituti Ina është një institucion shtetëror, i themeluar në 1974, me ligjin e 7 gushtit, me qëllimin e mirë për të ruajtur dhe monitoruar gjithë pasurinë audiovizive të Francës. Ina është një qytet i tërë, dhe që në rrjedhën e viteve ka fituar të tjera përmasa nga ai i krijimit të tij si një institucion industrial e komercial.
Sot ai është një institut për ruajtjen e trashëgimisë së televizionit e radios franceze. Ai ka për qëllim ruajtjen, promovimin dhe ekspozimin e arkivit kombëtar audiovizual. Pa hyrë në detaje për këtë institucion, citojmë se vetëm në vitin 1999 ka filluar digjitalizimi i gjithë fondit arkival dhe sot arkivon dhe mirëmban 100 kanale televizive, 20 radio. Në atë punojnë mbi 900 vetë dhe çdo vit ky institucion sjell miliona euro fitime nga shitjet televizive. Eshtë institucion tërësisht shtetëror dhe që falë teknologjisë së re, deri në 2015 deklaron se do të mbyllë të gjithë procesin e digjitalizimit të fondit.
Franca është atdheu i filmit dhe kur futesh në këtë institucion, që nuk është më i vjetri, por nga më të rëndësishmit, mbetesh pa fjalë. Qindra specialistë punojnë nëpër zyra për të shpëtuar atë pasuri të vlefshme të krijuar në dhjetëra vite. Pajisje nga më të fundit, robotizim dhe kërkesa të larta profesionale. Ne kemi ardhur këtu për të përfituar nga përvoja, por sa? Nuk është rasti të bëjmë një analizë të institucionit tonë, por e vetmja gjë që mund të krenohemi ne është thjesht pasuria filmike që kemi në kot 60-70 vjet, pasuria në 35 mm, asgjë më shumë. Na duhen pajisje, na duhen njerëz, para. Mbi të gjitha duhet që dikush të mendojë seriozisht. Ndoshta brezat që vijën mund të bëjnë diçka. Ajo që na mbetet ne është thjesht ruajtja, mirëmbajtja e pelikulës, por edhe ajo ka një kohë fizike skadimi e nuk mund të zgjasë shumë. Prandaj dalin format dhe pajisjet e reja për ta ruajtur, shpëtuar dhe transmetuar këtë trashëgimi të madhe kombëtare brezave që vijnë. Seminari e bëri punën e vet. Ne pamë si bëhet, si ruhet, si restaurohet, si korrigjohet e si trashëgohet. Qëllimi nuk është të matemi me ta por thjesht të shikojmë se çfarë mund të bëjmë me ato që kemi. Pa hyrë në detajet e seminarit, mjafton një falënderim për ata që e mundësuan dhe dy ditë ishin shumë për t’u informuar e për t’u trishtuar njëherësh... Mbrëmjeve kishim kohë që të shijonim bukuritë e Parisit. Në drejtim të sheshit San Mishel gjenden, mes të tjerave edhe dy mrekulli të tjera, Kopshti i Luksemburgut dhe Panteoni. Kopshti është vërtet një mrekulli. Aty dynden parisienë e vizitorë nga e gjithë bota. Ata që kanë më shumë kohë, gjejnë një mundësi për ta parë. Tani është pranverë dhe era e mirë e blireve dhe pemëve të tjera të deh. Kopshti u ndërtua në vitin 1612 me kërkesë të Marie de Medicis. Gjatë perandorisë së parë u bë objekt restaurimi dhe sot ka po atë formë si dikur. Shtrihet në 23 hektarë, i mbushur plot me lule, pemë e statuja, me një shatërvan freskues në mes e burimin e freskët, të zbukuruar me statuja. Vetëm 21 ha janë të hapura për publikun. Kopshti është pas Pallatit të Luksemburgut, sot seli e Senatit Francez. Në kopsht ke qejf të rrish e të çlodhesh. Janë me qindra turistët e parisienë që vizitojnë kopshtin. Rrotull kopshtit, në një prej banesave aty pranë banon sot edhe shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare. Sikurse poetët e mëdhenj francezë edhe ai gjen pak frymëzim tek ai kopsht marramendës.
Ngrihemi më pas për të shkuar drejt Panteonit. Panteoni është një monument i stilit neoklasik, i ndërtuar në vitet 1758-1790. Fillimisht shërbeu si kishë, sot, me 83 metra i lartë, në të prehen emrat më të mëdhenj që kanë bërë historinë e Francës. I fundit që u varros aty pas 200 vjetësh, më 2002, është Aleksandër Dyma, i cili u la jashtë sepse ishte mulat!
Natën e presim në një nga brasëritë e lagjes Kartie që gjallërohet nga të rinjtë. Nën shijen e një gote vere përflaket horizonti e nata bie po aq madhështore mbi Parisin që nuk ka gjumë... Ditën e fundit ia dedikojmë pjesës moderne të Parisit si dhe Sacre Coeur e lagjes Montartre. Marrim metronë drejt stacionit të fundit La Defance. Metroja e Parisit është një habi më vete. Parisi i ngjan një rrote djathi të shpuar, në të cilën lëvizin si minjtë trenat e njerëzit e shumët që shkojnë sa në një cep në tjetrin, nga ora 5 e deri në orën një pas mesnate trenat nuk pushojnë, në çdo tre katër minuta. Në metro është pastër, ka me qindra reklama e njerëz që nxitojnë. Ka edhe artistë që e ushtrojnë profesionin e tyre aty për të fituar diçka, përveçse ndonjë duartrokitje të rastit. Sikurse ka edhe lypsa e shumë burdonë që flenë e zgjohen në stolat përreth. Ky është Parisi me shkëlqimin, por edhe anën tjetër të medaljes. Zbresim në stacionin e fundit, në këmbë të harkut të madh. La Defonsë, apo zona e mbrojtjes, lidhet me luftën franko –prusiane të vitit 1870. Këtu parisienët bënë një rezistencë të fortë. Në kujtim të kësaj lufte është ngritur një monument, disa luftëtarë dhe një mortajë mbi të. Deri në vitet 60 –të kjo zonë ishte vërtet periferi, ndërsa më pas u ndërtua një kompleks i madh me kulla të larta moderne. Janë mbi 40 kulla në të cilat punojnë mbi 50 mijë nëpunës. Aty u ndërtua Harku i ri i Triumfit, një hark modern, plot 110 metra i lartë, i quajtur Harku i Madh, i cili u përurua në vitin 1989, me rastin e 200-vjetorit të Revolucionit Francez. Përreth ka mjaft turistë që vizitojnë dyqanet e shumta, skulpturat moderniste kullat e qelqta.
Mua, si shumë të tjerëve, më pëlqejnë fotot dhe nuk le rast apo cep pa bërë një foto. Le të jetë kujtim. Më pas marrim rrugën e kthimit drejt Monmartre. Këmbejmë metro dhe dalim para Sacre Coeur. Edhe kjo një nga pikat më të vizituara të Parisit. Bazilika e Sacre Coeur u ndërtua mbi majën e një kodre, nga ku Parisi duket thuajse i tëri i shtrirë sa gjatë e gjerë. Ajo u ndërtua në vitet 1875 -1919 dhe është nga veprat më të mëdha e më të bukura. Mbi 2 minona pelegrinë e vizitorë që vizitojnë çdo vit këtë monument historik. Rruga që të çon aty është e mbushur plot me njerëz. Ka turistë të shumtë, por ka edhe tregtarë që shfrytëzojnë turizmin për të shitur suvenire, sikurse ka edh mashtrues e tregtarë suveniresh me ngjyrë që të ngjiten pas e nuk të shqiten deri në bezdisje. Që aty lart Parisi duket bukur, aq më tepër kur edhe dita është e kthjellët, ngrohtë e me diell. Kur viziton këtë monument, përgjatë saj, në Montmartre, nuk le pa kaluar një herë nga Moulin Rouge. Eshtë mesditë dhe në mbrëmje është më mirë të kalosh, por edhe tani jo keq. Rruga përgjatë është e mbushur me dyqane erotike e tek tuk ka edhe klube me striptiza që të ftojnë të futesh brenda. Nuk është rasti, mjafton një buzëqeshje e vijojmë rrugën. Moluin Ruouge është i thjeshtë nga jashtë, i veçantë, por emrin e ka të madh. Aty ka spektakle marramendëse të cilat mund t’i shijosh me një vlerë prej 130 eurosh. Aty ka muzikë, shampanjë e spektakël balerinash që fluturojnë si petale e që të lënë pa frymë.
Parisi është i madh e i bukur gjithandej. Çdo cep rruge është një monument, një histori, një bukuri. Bastija, Opera, galeria La Fajet, kulla e Monparnasit, Versaja, Disleiland e shumë të tjera, janë bukur që duhen eksploruar me nge e duhen ditë të tëra për t’i parë e përshkruar. Ditët e orët nuk mjaftojnë. Thjesht sa për të kujtuar se në Paris 10 janë gjërat më atraktive turistike, më të frekuentuara, sipas një burimi të viteve të fundit:
Në vend të parë qëndron Katédralja “Notre-Dame de Paris” me 12 800 000 vizitorë, në vend të dytë “Disneyland Paris”, me 12 400 000, i treti Bazilika “Sacré-Cœur de Montmartre” me 8 000 000, i katërti Muzeu i Luvrit me 6 600 398, në vend të pestë Kulla Eiffel me 6 229 993, i gjashti Qendra “Georges-Pompidou” me 415 368 548, i shtati Kështjella e Versajës me 3 300 200, kjo për faktin se është larg Parisit, në vend të tetë Qyteti i Shkencës dhe Industrie në Parkun Villette, me 42 2 795 000, i nënti Muzeu “Orsay” me 2 590 316 dhe në vend të dhjetë Muzeu Kombëtar i Historisë Natyrale, me 43 1 444 744 vizitorë në vit. Këto janë të dhëna nga entet e turizmit francez, por Parisi është magjik në 360 gradët e tij.
Të vjen keq të largohesh nga ky qytet i madh e i bukur, “kryeqyteti i botës”, por që duhet bërë. Në orën 19.00 na pret avioni i linjës “Lufthansa” në aeroportin “Sharl de Gol”. Marrim taksinë drejt aeroportin, por kokën e kthejmë pas, duke menduar... “A bientôt!”
...