PE diskuton sot progres-raportin për integrimin e Shqipërisë. Majlinda Bregu: Prioritet ynë plotësimi i kritereve për Integrimin Europian të Shqipërisë

PE nuk e mbështet politikën e bojkotit të opozitës
Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, pjesëtare e delegacionit shqiptar që merr pjesë në Bruksel për zhvilluar takimeve me eurodeputetet, flet në një lidhje direkte për mediat nga Brukseli, për takimet me anëtarët e PE-së Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu ka bërë me dije se në këto takime, pjesë e diskutimeve do të jenë 12 pikat e planit të veprimeve dhe plotësimi i tyre nga ana e Shqipërisë. Sipas saj pritet që në këto takime të bëhet vlerësimi një nga një i këtyre prioriteteve. Sipas Bregut një nga këto pika dhe më e rëndësishme është procesi i votimit dhe mirëfunksionimi i parlamentit shqiptar. Ajo tha se delegacioni shqiptar ka ardhur të diskutojë mbi alternativat dhe pikat e axhendës të PE-së. “Për ne si mazhorancë rëndësi ka që vendi të ecë përpara dhe të plotësojë sa më mirë kriteret për integrimin evropian. Janë takime që do të diskutohen për situatën e përgjithshme të reformave dhe po ashtu do të diskutohet edhe periudha post zgjedhore”- tha Bregu. Duke shtuar se “mendoj se do të jetë pjesë e diskutimeve edhe mospjesëmarrja e opozitës në proceset e Parlamentit shqiptar dhe mospjesëmarrja e tyre në votime, për ligje të rëndësishme”. “Mendoj se nga ana e PE-së nuk mirëpritet politika e bojkotit të opozitës shqiptare. Një nga pikat kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria është votimi në parlament, që kërkon votim me votë të cilësuar. Opozita nuk ka qenë e pranishme dhe nuk ka votuar ligje dhe kjo bën që kjo pikë të mos jetë e plotësuar në plan progres”- deklaroi më tej ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.
Parlamenti Evropian
Komiteti i Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe PE-së në Bruksel do të diskutojë sot mbi Progres-raportin që do të miratohet në 12 tetor dhe përmbushja e 12 kërkesave që Komisioni Europian i ka parashtruar Shqipërisë si detyra për integrimin.
Delegacioni shqiptar përbëhet nga 7 përfaqësues të mazhorancës dhe 7 të opozitës ndërsa pritet që përveç temës qëndrore të takimit, të diskutohet edhe për situatën paszgjedhore në vend.
Ndërkohë ndërkombëtarët shumë herë kanë apeluar për mbyllje të procesit zgjedhor në respekt të shtetit ligjor.
...