Sherri për xhelozi, ish i dashuri shtyp me makinë këngëtaren
Një këngëtare shqiptare, 21 vjeç, e quajtur Ersina Hidersha, ndodhet në reanimacion, në gjendje shumë të rëndë, pasi ish i dashuri i saj e shtypi me makinën e tij, të shtunën në darkë. Elsina Hidersha njihet ndryshe dhe me emrin artistik “Emmy”, ndërsa ish i dashuri i saj, kosovari Azis Kelmendi, aktualisht ndodhet i arrestuar në paraburgimin e Tiranës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës. Burimet policore kanë bërë të ditur se gjithçka ka nisur në klubin “Venue”. 21-vjeçarja ka qenë e shoqëruar me një mikeshën e vet, ndërsa disa metra larg saj është akomoduar dhe ish i dashuri, Kelmendi, i cili nga ana e tij ka qenë i shoqëruar me miqtë dhe me një femër të re në krah. Këngëtares Hidersha, duket se nuk i është dukur aspak normale shoqërimi i ish të dashurit të saj dhe brenda në klubin “Venue” ata kanë shkëmbyer disa replika të ashpra, edhe pse prej kohësh janë ndarë mes tyre. “Më tej, gjendja e tensionit është zhvendosur në parkingun e klubit “Venue”. Ish i dashuri i saj kosovar i ka hipur makinës, ndërsa nga të dhënat e dëshmitarëve mendohet se e aksidentuara fillimisht ka dashur të hipë në makinë dhe më pas ka goditur makinën me shkelma. Kjo duket se ka shkaktuar edhe nervozizmin e mikut të saj kosovar, që e ka përplasur me makinë, duke i shkaktuar një plagë të rëndë në kokë, pas rënies së të resë në tokë”, thonë burimet policore të Tiranës. Aktualisht, 21-vjeçarja ndodhet në gjendje shumë të rëndë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak të Tiranës. Mjekë të spitalit i thanë dje MAPO-s se gjendja e këngëtares është shumë e rëndë dhe nuk ka ende garanci të plota për daljen e saj nga kjo gjendje. Praktikisht mund të themi se është në vdekje klinike dhe shumë rëndë”, kanë deklaruar mjekët e Spitalit Ushtarak, që i kanë qëndruar pranë që në momentet e para të mbërritjes këngëtares. Nga ana tjetër, mësohet se ish i dashuri i saj, Azis Kelmendi, i është nënshtruar një marrjeje në pyetje të detajuar lidhur mbi ngjarjen dhe deri më tani ai akuzohet për plagosje të rëndë me dashje. Kelmendi për gati tre vite ka qenë një ndër financuesit dhe promotorët e këngëtares së re “Emmy”. Vetëm prej pak javësh, ata kishin shkëputur marrëdhënien mes tyre. Azis Kelmendi është shtetas i Kosovës dhe pronar i një sërë biznesesh të rëndësishme në të gjithë Kosovën, ndërsa vitet e fundit ai ka qenë i angazhuar dhe në investimet në botën e produksionit artistik. Kjo gjë ka mundësuar vite më parë njohjen me Ersida Hidershën, ndërsa prej gati dy vitesh Kelmendi e ka mbështetur të renë, sidomos në fushën e produksionit. Të njohur të tyre thonë se prej disa javësh ata kanë kaluar situata shumë të tensionuara mes tyre. Dje në Spitalin Ushtarak, pranë këngëtares së re kanë qëndruar e ëma dhe njëra nga motrat e saj. Këngëtarja e plagosur është lindur në Çorovodë të Skraparit në vitin 1989, është më e vogla e tre fëmijëve, ka një motër dhe një vëlla. Prej një viti e gjysmë, ajo ka qenë prezente në televizionet shqiptare kushtuar vetëm muzikës, me dy këngë dhe videoklipe të saj, si dhe një duet me këngëtarin Valton Krasniqi nga Kosova. “Emmy” u vu në qendër të rubrikave rozë një vit më parë, ndërsa festoi datëlindjen e saj në një mënyrë “madhështore”, ku në festën e saj erdhën me dhjetëra personazhe të njohur shqiptarë të botës së televizionit, spektaklit dhe muzikës.