Gramoz Ruçi, arkitekt i bojkotit dhe i linjës antindërkombëtare
Kush është brenda PS-së, sidomos ata të vjetrit, që kanë prej dekadash, e dinë fare mirë se kjo parti ka pasur gjithmonë një “kryetar në hije”, një njeri i cili drejtonte partinë, që njihte bazën, që ideonte qëndrime politike apo “puçe” ndaj kryetarëve, një njeri i cili në konfliktet që nuk i kanë munguar PS-së, ka zgjedhur gjithmonë anën e fituesit, aq sa besohet se është ai që vendos se kush do të jetë fituesi. Bëhet fjalë për Gramoz Ruçin, më parë sekretar i përgjithshëm i partisë e tani kryetar i Asamblesë së saj, një njeri që rri më shumë në hije se në dritë, por që të gjithë e dinë se ai është aty dhe ka peshën kryesore në atë çfarë ndodh në këtë parti. Ky njeri, një socialist me pamje të zymtë, ndodhet pas vendimit më të rëndësishëm që ka marrë ndonjëherë Partia Socialiste, vendim që shënon një moment historik në të ardhmen e kësaj partie, atë të bojkotit të Kuvendit e më tej të bojkotit të zgjedhjeve vendore të pjesshme. Ruçi, një njeri i afërt dhe këshilltar i kryetarit të partisë, Edi Rama, ka qenë arkitekti Ruçi, ashtu siç qëndron ky emër pas një tjetër bojkoti historik, siç ishte ai i largimit të komisionerëve të PS-së në fund të ditës së votimit në vitin 1996. Ndërsa, në 2009-n ky vendim u mor vetëm pasi u kuptua se e majta humbiste. Në të dyja rastet katalizatori, siç e thotë dhe kimia, ishte Gramoz Ruçi. Projekti “bojkot” u mohua në nisje prej vetë atij në një moment kur Rama ndihej akoma i pasigurt dhe u rihap ditën kur ai e siguroi dhe një mandat tjetër në krye të partisë. Ruçi e mbrojti me forcë këtë linjë në forumet e partisë, atje ku nuk hyn kamera dhe në daljet e pakta në media.
Por, linja bojkot polli një tjetër linjë politike në PS, qëndrimin antindërkombëtar të saj, që duket pak në paradoks me kohën kur jetojmë, kur jemi anëtarë të NATO-s, presim të marrim statusin e vendit kandidat në BE dhe të ecim pa viza drejt Shengenit. Gjithashtu, i ashpër dhe i drejtpërdrejtë në këtë linjë ka qenë Ruçi, paçka se Rama dhe të tjerët mundoheshin ta zbusnin pak fjalorin politik, kur binte fjala tek ndërkombëtarët. Para kërkesave dhe këshillave të BE-së, OSBE-së, SHBA-së dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë që PS të hyjë në Kuvend, Ruçit nuk i duket fare e pavend që të shprehet për BBC-në se “ka perënduar koha e Shqipërisë që mendonte se çfarë thotë njeri apo tjetri, kështu që të gjitha mediat në dispozicion të mazhorancës aktuale trumbetonin me të madhe se çfarë tha mysafiri kanadez. Demokracia, liria e fjalës, liria e pronës që ndërkombëtarët na i kanë mësuar këtu e 20 vjet më parë, tashmë janë pronë edhe e shqiptarëve, kështu që ne nuk mund të ndikohemi në shprehje, kërkesa, apo ultimatume të tilla, të kujtdo qofshin ato”.
Gramoz Ruçi është një nga trashëgimitë e PS-së nga Partia e Punës, megjithatë ai u bë imazhi dominues i “së resë” që u mundua të sillte Rama në këtë parti. Nuk ka preferuar të marrë poste ekzekutive që pas eksperiencës si ministër Rendi në periudhën më delikate të historisë së vendit, vitin ‘91, kur u kalua nga diktatura në demokraci. Ka preferuar t’i kushtojë gjithë vëmendjen partisë, asaj çfarë ndodh në krye të saj dhe në bazë.