E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një esperanto politike në Ballkan

Fehmi Pireva

Fillim shekulli 21 e zuri Ballkani në luftë dhe hasmëri me njëri tjetrin për zgjerim territoresh apo ruajtjen e tyre. Fillim shekulli 21 e gjeti Evropën në përpjekje për integrim, relativizim të pengesave në sferën e komunikimit politik, ekonomik, ndërsa fuqinë më të konsoliduar në të gjitha rrafshet e zhvillimit  planetar, SHBA-në, në rolin e kujdestarit të paqes dhe hera-herës në rolin e ndërhyrësit ushtarak në zona të nxehta të globit, aty ku ka pushuar dialogu politik dhe diplomacia si mjet  për ta shmangur konfliktin.

Në vija të trasha pak a shumë, kështu mund të nënvizohet deri diku pozicioni i superfuqisë më të madhe botërore, Evropës, që pretendon të jetë djep i kulturës, civilizimit dhe shembull për rajonet tjera, që ende nuk e kanë kristalizuar vizionin për të ardhmen dhe kahjen e ecjes në botën e re.

Por si do të dukej Evropa pa Ballkanin dhe si do të ecte Ballkani pa Evropën?

Pse nuk nuk mund të hyjë rajoni si tërësi në Evropën e bashkuar, por i ndarë në periudha kohore? Ka  një realitet të hidhur mese nesh si rajon, distanca në komunikim ishte dhe mbetet e largët, deri sa vetë nuk mund të merremi vesh për asgjë, këtë pakulturë komunikimi e mbollëm që moti, kush më shumë e kush më pak.

Rajoni me pak dallueshmëri vazhdon të kritikohet nga të gjitha anët se nuk është bashkëpunues,  se ekspozohet me dy pamje, atë të jashtme që nuk duket natyrale, se angazhohet për demokraci, por që nuk e ka krijuar këtë standard as brenda vetes as me të tjerët. Kjo logjikë pak a shumë u formësua gjatë periudhës së sistemit komunist duke abuzuar me formulën latine forma date e se rei.Sa kohë i duhet Ballkanit dhe ballkanasve që të mund të shihen sy me sy me njëri tjetrin, sa kohë i duhet Evropës dhe Amerikës përtej Atlantikut ta mbajnë aktive linjën e komunikimit për 24 orë, ta ketë gatishmërinë për çdo lloj ndërmarrje veprimesh, varësisht nga situata që krijohet, qofshin ato masa  të karakterit ushtarak, kërcënues, diplomatik apo të ndërmjetësimit.

Kjo gjendje nganjëherë dëshpëruese, flet se ende nuk do të mund të reduktohen trupat e angazhuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Veprimet e manifestojnë deri në një masë brendinë e brendshme, por  kur ka mospërputhje vjen e zë vend demagogjia që nxjerr nënllojet e veta të shtresuara në dijet e ndryshme të popujve që nuk i ndajnë vetëm kufijtë gjeografik. Sa më pak që hapet procesi i ndryshimit të mentaliteteve aq më shumë forcohen kufijtë e ndarjes në mendjet atyre liderthve ballkanikë, që e përjashtojnë çdo gjuhë të marrëveshjes reciproke. Koha e kërkon që në Ballkan, si duket ka nevojë për krijimin e një gjuhe të re Esperanto. Nëse esperanto e Ludvik Lejzerit u krijua për ta lehtësuar komunikimin midis njerëzve dhe kombeve të ndryshme,  një esperanto në Ballkan do të ishte e domosdoshme, ku ka rregulla më lehta të të mësuarit të gramatikës politike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›