E Diel, 1 Nëntor 2026

Për një histori pa mite. Kush ka frikë nga ajo?

Shqiptarët nuk kanë rënë ende në një mendje për kuptimin e historisë së tyre. Jo aq për shkaqe shkencore, se për arsye të sjelljes shqiptare me historinë. Sepse në Shqipëri historinë nuk e bëjnë shkencëtarët, por fitimtarët. Diskutimi mbi historinë e Shqipërisë u rikthye kohët e fundit si një çështje e rendit të ditës. Të rivlerësohet apo të rishkruhet historia? Të shkruhet nga e para apo të mbahet në konsideratë, qoftë dhe pjesërisht, ajo traditë historiografie që u themelua në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar? Të ndryshohet metodologjia e interpretimit të historisë, apo të ndërrohen njerëzit që e shkruajnë? Të ndryshohen faktet dhe të dhënat apo interpretimi i tyre? Rezultati parësor i gjithë këtij diskutimi është tronditja e thellë e besimit të shqiptarëve te historia e tyre. A ka pasur diçka të vlefshme në këtë histori, apo gjithçka që është shkruar është thjesht një romantizëm kombëtar i vonuar? Nuk ka më në historinë e Shqipërisë jo çështje tabu, por as figura të shenjta.

Disa herë në emër të çmitizimit, herë të tjera në emër të depolitizimit, janë hapur madje edhe problemet e burimit gjenetik të popullit shqiptar, deri te vlerësimi e rivlerësimi i ngjarjeve të vitit 1991-1992 e këndej. Në një kohë të tillë të mbushur me gjykime e paragjykime, me tendenca të fshehta dhe të hapura, me konflikte politike dhe diturie, në qendrat evropiane të studimeve shqiptare janë konsoliduar portretet e albanologëve që kërkojnë, shkruajnë dhe botojnë me përgjegjësi, ngjarjet dhe personalitet historike shqiptare pa komplekse vetjake dhe politike ndaj çfarëdo kohe e rrjedhe zhvillimi. Historiani, profesor Bernd Fischer, është vetëm një nga dhjetëra e qindra dijetarët, dashamirës të Shqipërisë. Larg ndikimeve të politikës së sotme dhe të asaj të vjetër, Fischer është ndër më objektivët dhe më të besueshmit albanologë për studiuesit dhe publikun. Si mund të bëhet e besueshme historia e Shqipërisë? Ta rishkruajmë atë, por a jemi gati? Ish-mbreti Zog dhe Geraldine Apony në syrin e një historiani të huaj që flet pa emocione politike dhe vetjake, por mbi qëmtimin shkencor të dokumenteve dhe fakteve të dorëshkruara arkivale. A kish luftë civile në Shqipëri dhe a ishte E.Hoxha një fenomen i pashmangshëm?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›