E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altruizmi i gjeneve

Ndoshta është sakrifica më e madhe e mundshme, edhe pse nga këndvështrimi evolucionist mund të barazohet me çmendurinë. Të heqësh dorë nga vetëriprodhimi për të ndihmuar në rritjen e pasardhësit të dikujt tjetër, ky padyshim që është një akt suprem altruizmi. Dhe nuk ndodh rrallë, por sistematikisht te qindra specie milingonash, bletësh e disa insektesh të tjera, kur individët sterilë që quhen "punëtorët", punojnë vetëm për të mirën e mbretëreshës. Gjatë 40 viteve të fundit, evolucioni i kësaj forme altruizmi është shpjeguar përmes dukurisë së seleksionimit prindëror: avantazhi për të ndihmuar të ngjashmit, pra për të mbështetur të njëjtin gjen e tejkalon nevojën për të pasur një pasardhës të drejtpërdrejtë. Ata që kanë rëndësi janë gjenet, jo individët. Kjo ide është përpunuar në vite dhe tanimë ky koncept njihet me emrin "gjeni egoist". Së fundi, përmes një deklarate që ka çorientuar disi studiuesit, Eduard O. Wilson, babai i biologjisë sociale dhe ekspert botëror i insekteve socialë, ka mbështetur tezën se altruizmi dhe jeta në koloni e insekteve nuk kanë nevojë për seleksionimin prindëror për të evoluar. Nëse kjo do të dëshmohej si e vërtetë, pasojat do të ishin shumë të mëdha. Dikur sjellja altruiste ishte një paradoks darvinian: si ishte e mundur që lufta individuale për mbijetesë dhe për riprodhim favorizon altruizmin? Zgjidhja u bë e famshme me emrin "rregulli i Hamiltonit". Përmes tij, shpjegohej se përse femrat fertile të shumë specieve të bletëve dhe milingonave i kushtohen pasardhësve të të tjerëve, në vend që të kenë të tyret dhe përse ka klasa të caktuara sterile brenda këtyre specieve, të cilat njihen me emrin "punëtorët". Po a është në fakt tamam kjo situatë?

Sipas Wilson, asistenca e mbretëreshës në çerdhen e saj nga një individ fertil, por që nuk shumohet, është një dukuri e zbuluar dhe e ndodhur në shumë organizma. Këto insekte, madje në disa raste edhe kafshë, kanë shumë tipare të përbashkëta, në veçanti një çerdhe të madhe që duhet të mbrohet nga parazitët dhe grabitqarët, por ama kanë struktura gjenetike shumë të ndryshme. Urithi pa lëkurë, për shembull, kanë dy shirita kromozomesh, çka i bën të ngjashëm edhe për sa i përket riprodhimit me qeniet njerëzore. Ndërsa te morri i bimëve kemi formimin e kolonive gjenetikisht identike. Prej tyre mund të mendohet që altruizmi të jetë veçanërisht i përhapur, por në fakt nuk është kështu. Ky dhe vëzhgime të tjera e kanë shtyrë Wilson që të dalë në përfundimin se seleksionimi prindëror nuk ka qenë faktori vendimtar në evolucionin e "punëtoreve" sterile. Sipas Wilson ky fenomen lind nga një kombinim shumë i rrallë karakteristikash të lidhura me jetën e individëve dhe parapërshtatjeve (situatë në të cilat një karakter gjenetik i posaçëm përdoret për një qëllim të ri). Situata altruiste evoluon vetëm pasi insekti ka kaluar fazën e të ashtuquajturit fleksibilitet në zgjedhjet dhe sjelljet e tij. Femrat e një lloj specieje pilivese të vetmuar, për shembull, mund të alternohen me njëra-tjetrën në rolin e mbretëreshës dhe atë të "punëtores", kur u duhet që të ndërtojnë së bashku çerdhen. Kjo ndodh falë parapërshtatjes. Ky skenar fleksibiliteti i paraqitur nga Wilson për të shpjeguar evolucionin e sjelljeve altruiste tek insektet nuk është një risi. 30 vjet më parë, një biologe sociale me emrin Mary Jane West-Eberhard propozoi një ide të ngjashme si alternativë për atë të seleksionimit në grup. Megjithatë ajo nuk mendon se fleksibiliteti nuk ka asnjë lloj lidhjeje me seleksionimin në grup. Por duke kundërshtuar teorinë e seleksionimit prindëror, Wilson nuk ka ridimensionuar vetëm rolin e saj në evolucion. Sipas Wilson, seleksionimi prindëror nuk është inekzistent, por i padobishëm. Duke ekzaminuar literaturën në lidhje me këtë teori, mund të gjesh shumë modele matematike mbresëlënës. Por thuajse asnjë prej tyre nuk është i aplikueshëm në natyrë. Pjesa më e madhe e biologëve evolucionistë është në një mendje me Wilson. Libri i ardhshëm i Wilson-it "Superorganizmi", që pritet të dalë së shpejti në lidhje me sa më sipër, do të sjellë një zhvillim të mëtejshëm të tezave që mbrojnë teorinë e tij. E megjithatë, të gjithë kërkuesit janë të një mendjeje kur vjen puna për diçka: sjellja sociale nuk mund të shpjegohet vetëm me seleksionimin prindëror. Për të kuptuar evolucionin social duhet pasur parasysh filogjeneza, ose shprehja gjenetike, anatomia, mënyra e sjelljes dhe konteksti ekologjik.

Debati

50 vjet më parë, teoria evolucioniste e vëzhgonte natyrën me një lente mirëdashëse: individët vepronin në të mirë të grupeve të tyre, duke u siguruar atyre mbijetesën. Ideja e seleksionimit në grup, nuk i mbijetoi viteve ‘60. Ajo u mënjanua nga një revolucion intelektual: seleksionimi natyror në nivel gjenesh. Sipas këtij këndvështrimi, karakteristikat që favorizojnë shoqërinë zhvillohen përmes procesesh nga poshtë. Për shembull, altruizmi që i vendos në pozicione dizavantazhi shumë individë shpjegohet përmes ideve të tilla si seleksionimi prindëror: kafshët ndihmojnë të vegjlit e tyre për të mundësuar mbijetesën e gjeneve të përbashkët. Pra ajo që në fakt duket si altruizëm nuk është tjetër veçse një veprim i pastër dhe i mirëfilltë egoizmi. Sot ndodhemi përballë një kundërshtie. Edward O. Wilson, profesor biologjie në Harvard, beson se seleksionimi prindëror ka një rol jo shumë të rëndësishëm në evolucionin e kolonive të formuara nga insektet sociale. A mos ndoshta është duke vënë në dyshim vetë evolucionin? Jo. Debati është i ngjashëm me atë që po zhvillohet mes fizikanëve që ngrenë pyetjen mbi natyrën e tërheqjes gravitacionale: askush nuk e vë në dyshim ekzistencën e gravitetit, por identifikimi i natyrës së vërtetë mund të hapte horizonte të reja.

Skeda

Revolucioni i seleksionimit prindëror nisi në një pub në vitet ‘50. Dikush e pyeti një biolog të shquar nëse do të kishte dhënë jetën për të shpëtuar të vëllanë. Studiuesi iu përgjigj në mënyrë provokuese se do të kishte dhënë jetën për dy vëllezërit e tij dhe për nja tetë kushërinj. Po përse? Një gjen i kodifikuar me një altruizëm të tillë mund të mbijetojë vetëm në rast se arrin që të lerë pas vetes një numër të madh kopjesh të vetvetes te njerëzit e familjes. Vëllezërit, te njerëzit, ndajnë gjysmën e gjeneve të tyre me njëri-tjetrin, ndërsa kushërinjtë një të tetën. Dy vëllezër dhe tetë kushërinj po të mblidhen bashkë do të formonin një tjetër vetvete të plotë. Koncepti u bë i njohur nga John Hadlane në studimin e tij të botuar në vitin 1955. Më pas u formalizua në një model matematik nga William Hamilton në vitin 1964. Seleksionimi i grupit nuk dukej më i përshtatshëm për të shpjeguar altruizmin. Individi nisi të konsiderohet protagonisti i seleksionimit natyror, dhe pak më vonë vendi i tij u zëvendësua nga gjeni. Trupi nuk ishte gjë tjetër veçse sistemi i përdorur nga gjenet për të prodhuar gjene të tjerë, sikurse e ka shpjeguar në vitin 1976 Riçard Dawkins me metaforën e tij të famshme të "gjenit egoist". Dy libra novatorë "Shoqëria e insekteve" dhe "Biologjia sociale" përhapën një program të ri kërkimesh, që mundësonte shpjegimin e sjelljes shoqërore të kafshëve përmes një teorie unifikuese e gërshetuar me atë të seleksionimit prindëror. Sociobiologët u akuzuan për racizëm dhe seksizëm për vizionin e tyre ndaj natyrës njerëzore, që në atë konsiderohej si shumë radikal. Disa shkencëtarë ndërhynë në debat, duke mbështetur tezën që evolucioni dhe sjellja sociale nuk mund të shpjegoheshin vetëm përmes gjeneve dhe "egoizmit" të tyre ruajtës dhe riprodhues. Sot, pjesa më e madhe e ekologjistëve preferon të mbështesë dhe të ndjekë këndvështrimin sociobiologjik që mbështetet te gjenet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›