E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një mirëkuptim kolektiv

Arkitekti britanik, David Chipperfield, ka vendosur që motoja e edicionit të 13 të Bienales së Venecisë të jetë “Mirëkuptimi i Përbashkët”. Chipperfield konsideron se kolapsi i financave dhe i sistemeve shtetërore, për të cilat besonim se ishin të sigurta, na kanë shtyrë të mendojmë për pozitat tona individuale, gjegjësisht, na e kanë përkujtuar se të gjithë jemi pjesë e një kolektivi. Bienalja, filloi më 29 gusht, dhe zgjat deri më 25 nëntor.

Titulli i Bienales në anglisht, “Common Ground”, paraqet një frazë që shpesh përdoret në politikë. Kryesisht, gjatë synimit për arritjen e ndonjë marrëveshjeje të përbashkët për zgjidhjen e ndonjë konflikti. E, konflikti në arkitekturë është ky: Meqë gjithkah po shfaqen vetëm muzetë e mëdhenj dhe opera të famshme, duket se edhe me arkitekturën çdo gjë është në rregull. Por nuk është kështu.

Çfarë po ngjet me zonat e tjera - me ato të hirtat, me të cilat është përplot përditshmëria jonë, pyet Chipperfield, derisa sqaron se dialogu sot ka humbur plotësisht.

“Arkitektët duhet t’i drejtohen edhe pjesës tjetër të botës, e jo vetëm profesionit të tyre. Përndryshe, rrezikojnë të mbesin vetëm dekoratorë urban. Arkitektët duhet të njohin synimet kolektive”, thotë ai.

Por, sa e kanë dëgjuar arkitektët, lidhur me nevojën për largim nga piedestali i tyre, dhe për t’u vënë në shërbim të bashkësive ku jetojnë?

Mjaftueshëm, të paktën teorikisht. Si rrjedhojë, hapësirat kryesore të ekspozimit, ai Arsenale dhe pavijoni qendror në Giardini, janë përplot video, instalacione multimediale, skica dhe makete të skulpturave (arkitektja, Zaha Hadid ekspozon një skulpturë dhjetëmetërshe...). E përbashkëta e të gjitha eksponateve është tentimi për të vendosur themelet e asaj që do të duhej të ishte një arkitekturë e re, por edhe një dialog me bashkësinë.

Për Chipperfield është me rëndësi konteksti, atij nuk i interesojnë fotografitë e bukura. Kështu, Herzog dhe de Meuron rrëfejnë tregimin për ndërtesën e tyre të famshme të Filarmonisë në Hamburg, megjithëse nuk po e ekspozojnë vetë projektin – sepse Chipperfield e ka ndaluar rreptësisht një gjë të tillë – por nëpër hapësirë kanë radhitur polemikat e zmadhuara të gazetave të cilat i shkaktoi kjo vepër e tyre. Nga ana tjetër, një grup autorësh gjermanë i ekspozojnë të gjitha dilemat që e përcjellin ardhmërinë e aeroportit të ardhshëm të Berlinit, Tehmpelhof, i cili është ndërtuar në vitet e 30’ta të shekullit të kaluar; ai fillimisht konsiderohej një aeroport nazist, pastaj u bë simbol i çlirimit, ndërkohë që sot nuk dihet se çfarë të bëhet me të.

Në mesin e më interesantëve në Venecia është pavijoni japonez. Kuratori i tij, Toyo Ito, ka përzgjedhur një gjenitë të re arkitektësh. Po ekspozojnë Kumiko Inui, Sou Fujimoto dhe Akisa Hirata. Pavijoni i tyre është i mbushur me pemë qershie, me makete miniaturale të banesave përplot me gjësende dhe me cicërima zogjsh, duke shfaqur kështu rindërtimin e Rikuzentakat’it, i cili u rrënua pas tsunamit të vitit 2011.

Rrëfimi japonez është plot me detaje emotive, që flasin për vullnetin e njeriut që të vazhdojë jetën. Në këtë kontekst, aty tregohet se si një nga veprimet e para që - pas tsunamit shkatërrues - ndodhi brenda shatorëve të improvizuar ishte hapja e një salloni ondulomi.

Çfarë mund të mësojmë prej të huajve, është pyetja që shtron pavijoni britanik. Pas një viti hulumtimesh, britanikët thonë se kanë mësuar shumëçka. Mes tjerash edhe atë se: edhe një shtëpi e ndërtuar nga kanaçet e birrës mund të jetë një atraksion turistik, dhe të futet nëpër ciceronët kulturor (si në rastin e qytetit Houston); se arkitekti mund të jetë një aktivistë marksist, por edhe të jetë i suksesshëm komercialisht; se në Bangkok po ndërtohen qendra tregtare, të cilat s’ka kush i blenë...

Pra, si ecet tutje? Në Bienale ofrohen disa përgjigje në këtë pyetje.

Nga do të shkohet? Në qytete, sigurisht.

Kjo për faktin se, siç tregojnë Sergison dhe Bates, në qendrën e ekspozuese Arsenal, gjegjësisht në veprën e tyre që për temë ka banimin shoqëror: në vitin 1804 bota kishte një miliardë banorë, tre përqind e të cilëve jetonin në mjedise urbane. Sot, 67 përqind e popullatës botërore jeton nëpër qytete.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›