Përjetësisht psikodelik
Më 30 gusht 1005, performuesi, poeti dhe piktori, Bryan Lewis Saunders, kishte filluar realizimin e projektit që planifikon ta vazhdojë derisa të jetë gjallë; të bëjë nga një autoportret për çdo ditë. I intriguar me idenë se rrethi ndikon në perceptimin tonë, që nga fillimi i projektit Saunders ka krijuar me mijëra autoportrete.
Secila pikturë përmban ndjenjat e tij më intime për botën, në raport me vetveten.
“Sikurse gjurmët e gishtërinjve, apo si ADN’i, të gjitha janë të ndryshme”, shkruan artisti në web-faqen e tij.
Të gjithë autoportretet i ka ndarë në seri. Por, seria më intriguese është ajo me titull “Drogat”, sepse aty autori sqaron sesi për çdo ditë konsumonte ndonjë substancë të ndryshme, e pastaj bënte autoportretin e vetë nën ndikimin e saj.
Seria e portreteve nën ndikimin e drogave filloi në vitin 2000, ku u shpërngul në rrokaqiellin 11-katësh në Johnson City, me idenë që të shënonte karakteret e shumta dhe bizare që jetonin atje.
Që në ditën e parë, një paraplegjik ia tregoi koleksionin e tabletave, të cilat mund t’i gjente brenda rrokaqiellit. Mirëpo, një seri fatkeqësish e pamundësuan që t’i gjejë’ Mikja e tij, Jennifer Renfro, vdiq në zjarrin që shpërtheu derisa po flinte; disa ditë më vonë, shoku i tij më i ngushtë, Don Morgan, qëlloi vete me armë, por mbijetoi; dhe në fund, Saunders përfundoi në spital, pasi që iu bllokua njëra mushkëri.
Pas gjithë këtyre fatkeqësive, Saunders u këndellë dhe kuptoi se të gjithë njerëzit që mendonte t’i portretizonte kryesisht konsumonin droga, ose vuanin të izoluar. Disa nga ta ishin të trashë, kështu që fare nuk dilnin nga ndërtesa, e disa të tjerë drogoheshin, sepse ishin të papunë ose veteranë të luftës, dhe kjo për ta ishte zbavitja e vetme. Siç thotë edhe vetë, pas kësaj njohurie përjetoi “një zgjim shpirtëror”, dhe kuptoi se dëshironte të niste projektin e autoportreteve të ndryshëm për çdo ditë.
Në një intervistë për portalin Dinosaurcity, Saunders numëron përvojat më të mira dhe më traumatike të pikturimit nën droga.
“Xanax’in e kisha më të dashurin. Më qetësonte dhe traumat i përballoja më lehtë, por edhe isha plot energji. Përvoja më e keqe ishte konsumimi i PCP’së (një ilaç për gjumë dhe antipsikotik).
Ndjehesha sikur më ishte ndarë truri nga trupi, dhe sikur fare nuk qaja kokën për këtë gjë. Nuk kaloi shumë, e në derë më trokitën rreth 20 njerëz, që interesoheshin për skicat e mia në natyrë. Ua rrëfeva përjetimet e mia atje, derisa dikush nuk më pëshpëriti në vesh: Bryan këta njerëz s’janë real. Sikur u çmenda, sepse edhe zëri që më tregonte për halucinacione, ishte një halucinacion. E vetmja gjë që mund të pikturoja derisa isha nën ndikimin e PCP’së ishte vetvetja duke vjellë, fytyra që po më qërohej dhe copat e mishit të kuq që më dilnin nga hunda. Mendoja se po më gjakonte edhe truri, megjithëse doli që asgjë nga kjo s’ishte e vërtetë. Për fat”.
Konsumimi i të gjitha drogave të mundshme, që nga thithja e barit, e deri te kërpudhat psikodelike, e ndihmoi të vinte tek një përfundim.
'Mendoj se drogat më bëjnë të shëmtuar”.
Gjithsesi, piktori arriti të krijojë një mori pamjesh kaleidoskopike dhe shumëngjyrëshe të personalitetit të tij të trullosur e të deformuar. Në seritë e portreteve të tij unike, Saunders sikur ia shtron pyetjen vetes dhe publikut lidhur me perceptimin e personalitetit dhe për ndryshimin që ai pëson gjatë kohës: A ekziston diku perceptimi ynë për vetveten, të cilin do të mund ‘ta kapnim e ta pikturonim’?