E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një tjetër konsensus

Lamë pas edhe një vit të tërë polemikash, vjedhjesh, vuajtjesh, mashtrimesh dhe nënshtrimesh në një shoqëri që nuk lejohet të njihet me të vërtetën. Ndërkohë që dihet mirë, se koha është përgjegjësia e çdo njeriu të çdo vendi. Nëse ajo shpërdorohet pa mëshirë prej një grupi të vogël, të tjerët (më të shumtët) nuk mund të lejojnë që të mbretërojë pafundësisht për ‘te zymtësia e jetës dhe errësira e mendjes.
Ky mësim që e ka bërë botën të zhvillohet në përmasat e një ndryshimi konstant dhe të shpejtë, edhe për ne po ushton gjithnjë e më fort. Sidomos këto ditë, kur shumica e njerëzve në Shqipëri pasi kremtuan hyrjen e një Viti të Ri, me as pak apo me aq pak sa ç’u kishte mbetur, ende nuk i ka braktisur shpresa që së afërmi të njihen me atë që kishte ndodhur e po ndodhte me të drejtat themelore të atyre vet, me jetën e tyre të vobektë; të njihen me atë, se kush e solli në krye të vendit një taraf matrapazësh dhe grabitësish të paskrupullt, të cilët s’e kanë për gjë të kapardisen që një vit të tërë përmbytën një pjesë të vendit qysh nga fillimi deri në fundin e tij, se kush ia dha shtysën këtij ‘grushti’ grushtesh për të dhunuar, varfëruar, rrënuar dhe përçmuar qytetërimin dhe qytetarët, se ç’është ajo forcë që ligjëron dhimbjen dhe hidhërimin, se përse u dashka barazuar dinjiteti njerëzor me vlerat praktike të bimëve dhe instinktet e kafshëve, të gjitha bashkë drejt zhdukjes.
Po, vërtet, 2009 – ta është leksion i madh i historisë. Këtë e pohoi vet kryeministri i vendit në mbrëmjen e së hënës së fundit të vitit që sapo shkoi, kur prej shumëkujt pritej, ndonëse me një ndjenjë të flashkët, arritja e një konsensusi midis forcave politike, e një marrëveshjeje për të hapur ‘kutitë e Pandorës’ që fshehin misterin e së vërtetës. Por, ndonëse jemi ballafaquar muaj e muaj të tërë me përçapje të dështuara për t’u shfaqur ca reze dite, në vend të tyre muaj e muaj të tërë kemi përjetuar grabitje në mes të ditës dhe vrasje në mes të natës. Dhe, megjithatë, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë përsëri iu bë e qartë shqiptarëve, se qeveritarët nuk kanë ndërmend t’i lënë të ngrenë kokë, madje as t’u zgjojnë kureshtjen për fatin e tyre të mëtutjeshëm. Që andej dhe nga ekranet televizive, nëpërmjet mesazheve të urimit për 2011 –ën, kryeministri u mjaftua të gënjejë përsëri bashkatdhetarët e vet me parashikime të stisura e groteske, si pagëzimi prej tij i Shqipërisë Miss–Planeti në fushën e turizmit se gjatë këtij viti vendi ynë gjende do të njohë rritjen ekonomike më të madhe në Europë prej 8 për qindësh, më shumë sesa gjatë 2010 – ës, se eksporti i mallrave do të shtohet edhe 40 për qind më tepër, ndërkohë që tremujori i fundit u mbyll me një bilanc tregtar akoma më negativ sesa gjatë muajve të mëparshëm etj etj.
Prandaj, në vend të zgjidhjes së një problemi që ka hapur e vijuar të tjera probleme, kryeministri i këmbëkryqur majë një estrade parlamentare përsëriste vendimin e vet të prerë, sipas të cilit: “hetime pa prova dhe fakte nuk mund të bëhen kurrë!” si edhe “nuk mund të shkel kurrë Kushtetutën dhe ligjet”. Në një kohë, kur këto i ka shkelur dhe i copëton barbarisht dhe botërisht çdo vit, çdo muaj dhe çdo ditë. Në një kohë, kur vet Kushtetuta urdhëron që komisioni hetimor të ngrihet pa iu nënshtruar votimit, sepse, sipas saj, Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për një çështje të veçantë. Në një kohë, kur përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore. Në një kohë, kur ende mbetet në fuqi një parim i së drejtës së përgjithshme, sipas të cilit, një hetim - parlamentar, penal, civil - mund të fillojë dhe të zhvillohet mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme, të cilat në rastin tonë prej kohësh shoqërohen dhe legjitimohen prej faktesh të servirura nga raporti i OSBE/ODIHR – it, prej gjykatave vendase dhe hetimit të kutive të Ruzhdijes. Nëse, për marrjen e vendimit të ngritjes së një komisioni parlamentar hetimor qenka e detyrueshme të paraqitet një tërësi faktesh, atëherë mos u dashka që edhe vendimi i dënimit për fajtorët e verifikuar të jepet nga Kuvendi?...
Do të ishte humbje kohe dhe diçka e pavlerë që gjatë këtyre radhëve të merrej përsipër tani, në këtë fillimviti, kur është vendosur që së shpejti të digjen fletët e votimit për zgjedhjet e 2009 – ës dhe materialet e tjera të tyre të ‘fshihen’ në fondet arkivore, debatimi me një Berishë dhe ndonjë jurist të shpurës së tij. Por, sidoqoftë, nuk mund të rrihet pa i tërhequr vëmendjen e lexuesit rreth vetëdeklarimit të kryeministrit në seancën e jashtëzakonshme të së hënës së fundit të 2010 – ës, për qenien e tij si mjek me prirje psikanaliste. Si për t’u mburrur faqe të gjithëve, se ata me personalitet të çrregulluar (siç është ai vet), tepër të vështirë janë në bashkëpunim, se asnjëherë nuk e shohin veten si shkaktarë të problemeve të tyre, duke i shtuar kështu probleme të pafundme gjithë shoqërisë. Mjek ishte, mjek psikiatër, edhe Radovan Karaxhiç, që tashmë është i pandehur përpara Tribunalit të Hagës për dramat dhe tragjeditë që u solli miliona njerëzve në vendin e vet. “Procesin” e absurdit shkroi Kafka, që tani Berisha guxokërka ta zërë në gojë, për të deklamuar një farë kulture. Ashtu sikurse përmend edhe Çehovin, i cili me “Murgun e Zi” të tij ka thënë të vërtetën e pamohueshme që antinomia e njeriut nuk ndodh brenda një dite a një muaji, siç ngulmon që prej 20 vjetësh ta publikojë veten ky kryeministri ynë. Por, dihet tashmë që shkenca në këtë drejtim ka konstatuar se, të tillët në shumë sfera nuk e marrin përgjegjësinë që u takon. Dhe, vetëm kur gjatë terapisë psikike atyre u krijohet besimi, atëherë mund të arrijnë të kontrollojnë vetveten. Por, sa kohë duhet pritur që kryeministri ynë aksidental dhe pasuesit e vet të bindur ta gëzojnë një ditë këtë fat të lumë? Këtu, pikërisht këtu lind nevoja e ngutshme për një tjetër konsensus. Le të shpjegohemi. Deri tani, midis nesh ka plot njerëz me një problem të përbashkët: ndjenja e pamundësisë, frika dhe ndjesia e brendshme, se nuk mund t’i ndryshojnë dot gjërat, se për të shmangur dhimbjet që sjellin liria she zhvillimi, më e fortë mbetet frika nga mossuksesi i plotë apo tërësor për zgjidhjet e duhura. Ndërkohë që, sa më qartë të vështrohet jeta e përditshme, si një realitet i mbushur me gënjeshtra dhe iluzione, aq më të gatshëm dhe të aftë bëhen njerëzit për të gjetur rrugët e drejta dhe për të vepruar në mënyrë të prerë, të shkathët e të mençur.
Në fakt, edhe pse këtë e dinë të gjithë, ende hasen njerëz që nuk e përfillin, sepse vajtja deri te e vërteta është jo pak e vështirë. Dhe, në këtë kuadër shfaqet mëkati ndërmjet nesh, kur ka ende nga ata, të cilët më tepër do të dëshironin të humbisnin kohë, për të mbrojtur modelin e monotonisë së përvuajtshme, se sa rregullimin dhe ri-konceptimin e këtij modeli. Por, siç mërmëriste vazhdimisht vet Berisha në natën e asaj të hëne fundore: “Njerëzit kanë memorie, muret kanë veshë, kamerat kanë sy”.
Po, vërtet a nuk dëgjuan në verën e 1997 – ës ato mure të Presidencës ulërimat e vajtimit të tij në prehrin e ish- ministrit të Drejtësisë së qeverisë së Unitetit Kombëtar, kur u bind që populli po e shporrte nga posti që mbante?! A nuk kanë regjistruar kamerat vjet dhe brenda gjashtë muajve protesta të fuqishme me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve që mbushën sheshet e Tiranës dhe qendrave të tjera në një gjeografi vendore të gjerë?! Mos vallë kanë harruar shtetasit tanë përmbajtjen e Rezolutës së Parlamentit Europian, për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, pikërisht nëpërmjet asaj formule që kërkon opozita?! A nuk e di tashmë gjithkush, se statusin e vendit kandidat për në BE, Komisioni Europian ia refuzoi Shqipërisë, për herë të parë dhe të vetme nga të gjitha vendet e tjera aspirante?! A nuk tingëllojnë e mbeten ende të freskëta letrat dhe deklaratat e përfaqësuesve të shteteve aleate më të fuqishme drejtuar, më së pari kryeministrit tonë, për të hapur kutitë dhe zgjidhur krizën politike?!
Tani, kur ky vit i ri ka startuar me një krizë të thelluar edhe më tepër, por edhe kur përvoja e përkushtimit ndaj të vërtetës është shtuar edhe më shumë, ndoshta më e vlefshme do të ishte arritja e një konsensusi të ri midis vet popullit mbarë, si edhe ndërmjet tij dhe opozitës politike, për të shpalosur plotësisht hartat e protestave. Po qe se këto harta vlerësohen me gjurmë të vërteta dhe të sakta nga cilido që dëshiron të mbajë përgjegjësi për jetën e vet dhe të të tjerëve, atëherë sigurisht që realizohet më shpejt synimi për të gremisur nga zverku i shoqërisë dhe për të flakur në honet e historisë klikën e dhunimit, varfërimit, rrënimit dhe përçmimit të qytetërimit dhe qytetarëve. Ndryshe, mbeten të arta edhe në kohën tonë, edhe në adresë të të gjithëve ne së bashku, fjalët që në vitet ’60 ia atribuonin E. Kliverit: “Nëse nuk jeni pjesë e zgjidhjes, jeni pjesë e problemit”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›