In memoriam/Atyne askush nuk u çon një kunorë
Një komb i ban nder vetes tue vu kunorë në vorret e martirëve, të çdo kohe qofshin ata.
Mirëpo, kujt i bie në mend se ka edhe disa vorre, për të cilat institucionet as kujtohen se janë të bijëve e bijave ma të mirë të kombit?! Për ta nuk ka një 5 Maji. Për ta nuk ka kunora me lule. Nuk ka, sepse ende nuk arrijmë të çlirohemi nga mendësi të trashigueme nga e kaluemja e hidhun.
Krimet që bani komunizmi, ma së pari mbi të krishtenë në përgjithësi, e mbi klerikë në veçanti, nuk janë fantazi artistike, po fakte tragjike që i provoi ky popull.
Në një qytet si Shkodra (me 40 mijë banorë, jo Londra shtatëmilionëshe), në vitin 1946 kishte 26 burgje: 1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve të Mbrendshme, 2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çurçisë), 3. Burgu i Prefekturës (kati përdhé), 4. Konvikti “Malet tona”, 5. Burgu i Madh pranë Prefekturës, 6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol, 7. Burgu i vjetër i Gestapos pranë shtëpisë së Zef Shirokës, 8. Shtëpia e Ulqinakut, 9. Kuvendi i Motrave Servite, 10. Kisha e Motrave Servite, 11. Shkolla e Çelës, 12. Podrumi i shtëpisë së Faslli Ademit (nën farmaci), 13. Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”), 14. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm), 15. Burgu i Postës, tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash,16. Shtëpia e Rrojëve (pranë Maternitetit të vjetër), 17. Shtëpia e Guljelm Lukës, në krye të rrugës së Jezuitëve (prej nga internonin), 18. Shtëpia e Dr. Karamitrit, 19. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e Reja, 20. Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik), 21. Shtëpia e Guljelm Sumës, 22. Shtëpia e Sandër Saraçit, 23. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit, 24. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës, 25. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot, 26. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.
Në këto shtëpi-burgje, ose jo fort larg tyne, kanë gjetë vdekjen me varje në litar, pushkatim ose vdekje në tortura lulja e atdhetarëve, ata që deshtën një Shqipni vërtetë të lirë e demokratike. Këtu ma poshtë po rendis vetëm disa prej tyne, sa për kujtim, e njëherësh tue u kërkue ndjesë familjarëve të të tjerëve që, tue mbas i pasë nëpër duer në skedimet e mia, nuk ua përmend emnin. Janë vetëm çka përfshinte aso kohe Prefektura e Shkodrës, pra Shqipnia Veripërendimore.
Paraprakisht po sjell edhe disa citime shumë domethanëse pse u mbytën ata atdhetarë.
Mjaftojnë tre të tillë. Kujtoj se përsekutorët ia kanë ba akuzën vetes. Komentet janë të tepërta. Pandi Kristo pohon në gjyq se: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë!...”. Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant. Ka pasur edhe vendim Byroje për këte!”(Dosja 1623). “Dom Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhemshuri për këtë” - Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.
Histori barbare që formojnë një enciklopedi tragjike krimesh shqiptare mbi shqiptarë. Prandaj kujtojmë sa të mundemi emnat e ketyne herojve. Populli që ka kujtesë i di, nuk ka si ta harrojë veprën e tyne.