Për një trashëgimi të përbashkët
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka përuruar të premten Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Beledije, në Prizren, e cila është rinovuar me një donacion nga Komisioni Evropian.
Në këtë ceremoni, ku edhe është shënuar fillimi i aktivitetit “Ditët e Trashëgimisë Europiane”, kanë marrë pjesë edhe Shefi i operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Christof Stock, Zëvendësministri i Integrimeve, Gëzim Kasapolli, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës , Tim Cartwright, përfaqësues të institucioneve lokale në Prizren si dhe përfaqësues të institucioneve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Në fjalën e tij, ministri Krasniqi e vlerësoi këtë qendër, që është e para e këtij lloji në rajon, si një vend bashkëpunimi ne mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e trashëgimisë kulturore.
“Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor janë të pasura me trashëgimi kulturore, andaj ne besojmë se Beledija do të shërbejë si një shtytës shumë i rëndësishëm për ngritjen e vetëdijes së përgjithshme rreth Trashëgimisë Kulturorë në vendet tona si dhe ngritjen e aftësive në menaxhimin, ruajtjen dhe promovimin e saj. Si një qendër rajonale gjithashtu do të shërbejë edhe si një vend bashkëpunimi dhe shkëmbimi të përvojave nga gjitha anët e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ministri, teksa ka falënderuar Komisionin Evropian për ndihmën e dhënë jo vetëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, por edhe në projekte të tjera si në kulturë dhe sport.
Duke folur për aktivitetin ‘Ditët e Trashëgimisë Evropiane’, ministri shtoi se Kosova me trashëgiminë e vet kulturore paraqet një pjesë të rëndësishme të kontinentit të Evropës. “Diversiteti ynë kulturor nuk është vetëm pasuri e Kosovës por e gjithë kontinentit. Dhe ne besojmë se kjo trashëgimi e pasur historike dhe kulturore nuk duhet të na shërbejë si pikë ndarje, siç ka ndodhur në të kaluarën, por si një pikë afrimi mes nesh”, deklaroi ministri. Ai rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen e tij për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë, duke theksuar po ashtu se trashëgimia është prioritet për këtë mandat. Ministri shtoi më tutje në fjalën e tij se trashëgimia kulturore e Kosovës është një vlerë që duhet të bashkojë njerëzit në gjithë botën.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shumë e përkushtuar që kjo qendër trajnuese të jetë një tregim i suksesshëm që do na shërbejë në rritjen e aftësive tona në menaxhimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturorë. Unë e kam thënë disa herë por po e përsëris edhe njëherë para jush këtu se prioriteti ynë gjatë këtij mandati është trashëgimia kulturore dhe besoj se me angazhimin tonë dhe me mbështetjen e partnerëve, deri tash e kemi dëshmuar këtë”. Në ceremoninë e hapjes një fjalë rasti ka mbajtur edhe Shefi i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Christof Stock.
Ai shtoi se Komisioni Evropian i kushton një rëndësi të madhe mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore. "Ne do të përkrahim Kosovën në realizimin e kësaj vlere evropiane. Ky investim do të ofrojë arsimim dhe mundësi trajnimi për profesionistët në mbarë Kosovën dhe rajonin, si dhe do të krijojë shumë mundësi punësimi”, ka thënë ai. Aktiviteti Ditët e Trashëgimisë Evropiane do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim në forma të ndryshme të promovimit të trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe në vetëdijesimin për ruajtjen e saj.