Eda Zari koncerte në Tiranë dhe Prishtinë
Këngëtarja Eda Zari, e cila disa javë më parë ka përfunduar albumin e saj të ri, ka vendosur që këngët e këtij albumi të shijohen së pari nga publiku shqiptar.
“Toka Incognita” quhet albumi i ri këngëtares shqiptare me famë në botën e xhazit, Eda Zari. Albumi do të publikohet zyrtarisht në janar të vitit 2012, por Eda Zari, këngët e këtij albumi do t’ia sjellë publikut shqiptar në muajin tetor.
Eda do të mbajë dy koncerte në kryeqytetet e shteteve shqiptare. Me 21 tetor 2011, në bashkëpunim me RTSH-në, Eda do të mbajë koncertin e parë në shtëpinë e operës në Tiranë. Një javë më vonë, me 28 tetor, ajo së bashku me bendin e saj që do ta shoqërojë në skenë, do shfaqin koncertin e radhës në teatrin kombëtar të Prishtinës.
Albumi “Toka Incognita”, ka si bazë motivet e bukura të polifonisë shqiptare që ndërlidhen me elementet e muzikës xhaz.