E Diel, 1 Nëntor 2026

Për një zbatim më efektiv të legjislacionit kundër dhunës në familje

Aktet e dhunshme ndaj grave gjatë ditëve të fundit kanë ngritur disa pikëpyetje dhe shqetësime në lidhje me efektivitetin e zbatimit të legjislacionit kundër dhunës në familje dhe problematika të tjera që lidhen me të. Si avokate pranë një organizate jofitimprurëse, që ofron shërbime ligjore falas për gratë dhe vajzat që përballen me dhunën në marrëdhëniet familjare, ne mendojmë se dhuna në marrëdhëniet familjare përbën një problem kompleks, shumë shqetësues për shoqërinë tonë dhe kërkon koordinimin e të gjithë aktorëve përgjegjës në nivel qendror dhe vendor.
Nga praktika jonë, në zbatim të ligjit nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar ne mendojmë se rastet e fundit të dhunës ekstreme të ushtruar ndaj grave dhe vajzave tregojnë se ende mbetet shumë për të bërë nga të gjithë aktorët në shoqëri, veçanërisht aktorët, detyrimet e të cilëve burojnë drejtpërsëdrejti nga ligji. 

Nga praktika e punës sonë na rezulton se pavarësisht se është rritur ndërgjegjësimi i komunitetit për të denoncuar dhunën në marrëdhëniet familjare, ende duhet punuar në këtë drejtim për të denoncuar çdo rast dhune, jo vetëm në rastet kur dhuna e ushtruar është fizike, por edhe në rastet kur është vetëm dhunë psikologjike, morale, ekonomike, etj, jo vetëm në zonat urbane, por edhe në zonat rurale. 

Pavarësisht se është punuar në këtë drejtim gjatë këtyre viteve, ende komuniteti nuk e njeh sa duhet ligjin administrativo-civil “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, mjetet ligjore që ai ofron, urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes dhe urdhrin e mbrojtjes, Mekanizmin e Koordinimit dhe Referimit të rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare në nivel vendor, aktorët në përbërje të këtij mekanizmi, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre konkrete, ndryshimet që Kodi Penal ka pësuar në vitin 2012 dhe 2013 duke parashikuar dhunën në familje si vepër penale të veçantë, duke adresuar forma të ndryshme të dhunës në marrëdhëniet familjare dhe duke ashpërsuar masat e dënimit. 

Nga ana tjetër, rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit për të denoncuar çdo akt dhune lidhet me punën e të gjithë aktorëve për njohjen e të drejtave ligjore të viktimave të dhunës në familje dhe mënyrës se si t’i përdorin këto të drejta. Rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit lidhet ngushtësisht edhe me rritjen e efektivitetit të punës të të gjithë aktorëve përgjegjës. Kjo do të rriste besueshmërinë tek sistemi dhe do t’i inkurajonte viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare për të përdorur mjetet ligjore. 

Kur flasim për efektivitetin, vështrimi shpesh fokusohet tek organi i policisë dhe gjykatat. Në fakt, këta dy aktorë janë aktorë shumë të rëndësishëm, por ligji kundër dhunës në familje ngarkon me detyra dhe përgjegjësi konkrete një rreth të gjerë aktorësh siç janë njësitë vendore (bashkitë dhe komunat), zyrat e shërbimeve sociale pranë këtyre njësive vendore, zyrat e Përmbarimit, prokuroria, drejtoritë arsimore, zyrat e punës, organizatat jofitimprurëse, etj. Pra, ne mendojmë se këtu janë prezente dy çështje: sa komuniteti i njeh këta aktorë si përgjegjës për adresimin e dhunës në marrëdhëniet familjare, sa drejtohet tek këta aktorë për mbështetje dhe nga ana tjetër, sa secili prej këtyre aktorëve përmbush përgjegjësitë që burojnë nga ligji dhe në mënyrë të veçantë, sa i koordinojnë ata veprimet e tyre me njëri-tjetrin në mbështetje të viktimave. 

Përqindjet e larta të heqjes dorë të viktimave të dhunës në familje nga procesi gjyqësor dhe si rezultat përqindja e vendimeve gjyqësore për pushimin e çështjeve me objekt lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrave të mbrojtjes tregojnë nevojën e një koordinimi më të mirë të punës midis aktorëve dhe nevojën e një analize që lidhet me: menaxhimin e rastit të dhunës në familje, e cila përfshin ofrimin e shërbimit ligjor falas nga shteti për viktimën e dhunës në marrëdhëniet familjare, ofrimin e shërbimit psikologjik për viktimën dhe fëmijët e saj, garantimin e sigurisë së viktimës, ofrimin e shërbimit mjekësor, e duke vijuar më tej me masa shumë të rëndësishme sociale dhe ekonomike që lidhen me fuqizimin ekonomik të gruas, nëpërmjet punësimit të saj, ofrimit të ndihmës ekonomike në kohë për viktimat e pajisura me urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje ose urdhër mbrojtje, rolin e shkollës dhe familjes si edhe masa të tjera konkrete. 

Me të drejtë, në gjithë këto vite ka pasur një vëmendje të veçantë tek viktima e dhunës në marrëdhëniet familjare, me qëllim rehabilitimin e saj. Por, në fakt është detyrim ligjor, ngritja e programeve të rehabilitimit për dhunuesit. Të gjithë aktorët duhet të bënin më shumë në këtë drejtim, në mënyrë të veçantë organet qendrore dhe njësitë vendore, të cilat ligji i ngarkon me detyrimin e ngritjes së programeve të rehabilitimit edhe për dhunuesit, detyrim i cili ende nuk është përmbushur. Janë hedhur disa hapa pozitivë në lidhje me ngritjen e programeve të rehabilitimit nga shoqëria civile, hapa këto të cilat duhet të forcohen dhe mbështeten më tej. 

A ka nevojë për përmirësime ligjore? Natyrisht që po, praktika dhe përballja me realitetin tregojnë nevojën e ndërhyrjeve të nevojshme ligjore, me qëllim përmirësimin e adresimit të këtij fenomeni social me mjete ligjore të duhura dhe efektive. 

Ratifikimi me ligjin nr.104/2012 i Konventës së Këshillit të Evropës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” shpreh qartë vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit shqiptar për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kjo Konventë. Standardet e këtij akti ndërkombëtar duhet të orientojnë punën e të gjithë aktorëve, me qëllim parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në marrëdhëniet familjare.
* Qendra për Nisma Ligjore Qytetare 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›