E Diel, 1 Nëntor 2026

Për pak ditë Tiranës i shtohet një arterie e re rrugore

04-11-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha inspektoi sot punimet në rrugën
“Hasan Sufa”, pranë "Ali Demit", një prej akseve më të rëndësishme për lehtësimin e trafikut


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet e nisura në disa rrugë të Tiranës, mes të cilave edhe rrugën “Hasan Sufa”, një aks tejet i rëndësishëm për impaktin që ka në lehtësimin e trafikut në qytetin e Tiranës dhe reduktimin e nivelit të ndotjes. Punimet në këtë segment rrugor që lidh Unazën, bulevardin “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi” kanë  hyrë në fazën përfundimtare.  Sot, ka nisur mbjellja e pemëve përgjatë gjithë segmentit rrugor. Zonat e gjelbra do të shtrihen dhe në hapësirat midis godinave të banimit, ku do të vendosen edhe stola për banorët. Paralelisht po punohet edhe për heqjen e mureve rrethuese, gardheve apo telave të vendosur përgjatë kateve të para të pallateve. Pas përfundimit të gjelbërimit do të hidhet shtresa e fundit e asfaltit, duke hapur një artierie të re rruge në qytetin e Tiranës. Rruga tërësisht e re ka një gjatësi prej 312 metrash dhe një gjerësi prej 15 metrash  (2 x 3.5 m në çdo krah dhe brez të gjelbër në mes, 1 m). Në dy anët e rrugës janë parashikuar xhepa parkimi me gjerësi 2 m dhe trotuarët në të dy anët e rrugës do të kenë  gjerësi 2,5 m.  Përgjatë rrugës do të ketë ndriçim si dhe është ndërtuar i gjithë rrjeti i nevojshëm i ujësjellës – kanalizimeve.  Bashkia e Tiranës u ka lënë afat deri të martën kompanive që kanë vendosur kabllot ajrore përgjatë rrugës “Hasan Sufa”, të bëjnë zhvendosjen e tyre, në të kundërt do të jenë punonjësit e Bashkisë që do i zhvendosin ato. Hapja prej dy javësh e qarkullimit, ndonëse i kufizuar në këtë segment rrugor, ka sjellë menjëherë impakt për trafikun në kryeqytet si dhe ka reduktuar koston e qarkullimit për përdoruesit e automjeteve. Investimi në këtë rrugë ka ndikuar edhe në rritjen e të ardhurave të subjekteve të ndryshme tregtare që shtrihen përgjatë saj si dhe nisjen e bizneseve të reja. Nisja e punimeve është paraprirë nga shpronësimet. Me një fond prej 122.7 milionë lekësh janë shpronësuar të gjithë familjet, shtëpitë e të cilëve u prishën për ndërtimin e kësaj rruge. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor, i projektuar që në vitin 1989, do të realizohet përfundimisht pas 23 vitesh. Për të përmirësuar sa më shumë qarkullimin, do të ndërhyhet  edhe në urën mbi Lanë, tek zona e “Bërrylit”. Aktualisht, po punohet për ndërtimin e trafikndarëses dhe më pas do të bëhet asfaltimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›