Për problemet e shqipes dhe me shqipen
Në kuadër të Seminarit të 30-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, të mërkurën u mbajtën gjashtë referime.
Julie Kolgjini referoi për perspektivën socio-linguistike, dhe mbi devijimet gjuhësore në gjuhën shqipe. Pas saj, Atdhe Hykolli referoi për festat e motmotit dhe për këngët kalendarike ndër shqiptarë.
Ndërkohë që, Eva Bekteshi mbajti referatin e saj për reagimin e opinionit publik në Poloni pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ajo këtë referim e përgatiti duke u bazuar në arkivat e shtypit dhe të revistave kryesore polake, si dhe të gazetave dhe web-faqeve të radio stacioneve dhe të televizioneve.
Fillimisht, Bekteshi u përqendrua në faktin se çështja e Kosovës nuk ishte shumë e njohur për shtetasin e thjeshtë polak.
“Megjithatë, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, shpërtheu lufta ndërmjet kundërshtareve dhe përkrahësve të shtetit të ri evropian. Vlen të nënvizohet edhe ajo se, madje edhe në qeverinë polake, e cila shumë shpejt, pas vetëm nëntë ditëve, e njohu pavarësinë e Kosovës, nuk mbretëronte një bindje e njëjtë se si duhej vepruar”, u shpreh Bekteshi.
Sidoqoftë, ajo elaboroi në imtësi për çdo gjë që mund ta bënte sa më të qartë këtë çështje, dhe ta sillte sa më afër popullit polak karshi pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që të nxitej përkrahja e tyre ndaj shtetit më të ri.
Ndërkaq, një referim tjetër interesant ishte ai i Milote Sadikut, e cila referoi rreth fushës semantike të frikës në frazemat gjermane dhe shqipe. Qëllim i këtij punimi ishte që të vërtetohej nëse frazemat gjermane dhe shqipe të fushës semantike të frikës janë të ngjashme apo janë të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Në figurat e frazemave ruhen veçoritë kulturore të një populli. Këto figura janë të ndryshme në kultura të ndryshme. Përmes krahasimit gjuhësor dallohet më mirë se si mendojnë njerëzit e një gjuhe; në këtë rast gjermanët dhe shqiptarët”, sqaroi ajo.
Sipas Sadikut, meqë folësit gjermanë dhe ata shqiptarë kanë një histori e kulturë të ndryshme, dhe si rrjedhojë e kësaj, ata kanë edhe dallime në perceptimin e botës, hulumtimi i saj nisej nga fakti që në frazema pasqyrohen ngjarje specifike dhe tipike për kulturën e popullit përkatës.
As referimi i kinezes, Chen Fenghu, nuk u ndoq me më pak interesim. Ajo referoi për çështjen e emrave të përveçëm kinezë në gjuhën shqipe. Fenghu tregoi se si duhet të shkruhen emrat e përveçëm në gjuhën shqipe, pasi që janë të ndërlikuar. Fenghu po ashtu nënvizoi edhe faktin se midis gjuhës kineze dhe asaj shqipe ekzistojnë dallime të dukshme në aspektet fonetike, gramatikore etj, të cilat sjellin pengesa në shkrimin e emrave të përveçëm kinezë në gjuhën shqipe. Megjithatë, ajo në kumtesën e saj u ndal shkurtimisht vetëm në katër çështje kryesore: transliterimin e emrave të përveçëm kinezë; mënyrën e shkrimit të emrave të përveçëm kinezë; paradigmat e lakimit të emrave të përveçëm kinezë dhe në trajtimin e emrave të përveçëm tradicionalë kinezë; e gjithë kjo me qëllim të të kuptuarit sa më të mirë të kësaj çështjeje.
Ndryshe, gjatë ditës së enjte u mbajtën këto referime: Irena Sawicka, që referoi mbi “Metodologjinë e studimeve areale”; Andrei Sobolev, që referoi mbi çështjen “Shqipja në kontekstin ballkanik”;
Agostino Giordano, për Dhjetëvjetorin e “Jetës arbëreshe”; Sean Guynes, për temën “Right Headed Definitness in the Balkans: including a survey of Bulgarian, Macedonian, Romanian and Albanian”; Shpend Bengu, për temën “Trashëgimia albanologjike në udhëkryq mes digjitalizimit dhe shkatërrimit”; dhe Zhai Huailu, për temën “Ndikimet e filmave shqiptarë në Kinë”.