E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj: Qeveria po shqyrton lehtësirat fiskale për bizneset

Nga Express më 26 gusht 2011 në ora 19:42

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka vlerësuar se plani për zhvillimin ekonomik, dhe fuqizimi i sektorit privat është synim kryesor i ministrisë që ai drejton, sepse sipas tij, me zhvillimin e sektorit të bujqësisë, kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite që i bëri të premten komunës së Gjakovës, me ç’rast ka vizituar disa biznese, si dhe ka marrë pjesë në inaugurimin e qendrës për përpunimin dhe grumbullimin e pemëve dhe perimeve “Hosa” në Rugovë të Hasit.

“Qeveria e Kosovës do të fuqizojë sektorin privat dhe punësimi duhet të gjenerohet nga sektori privat dhe kjo është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme që ne po fillojmë me një eksport të vogël, me një numër të njerëzve të punësuar që janë njerëz të rëndësishëm për këtë rajon, numri i të punësuarve që do të rritet me vite”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij rrugët e eksportit nuk janë të pamundshme dhe kjo siç tha ministri Beqaj mund të arrihet me një bashkëpunim në mes institucioneve dhe sektorit privat. Ai ka thënë se janë duke u bërë përpjekje dhe po bisedohet me disa shtete të rajoni që të realizohet mundësia e realizimit të eksportit për produktet që prodhohen në Kosovë.

I pranishëm në këtë inaugurim ishte edhe ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, i cili tha se përfitues të drejtpërdrejtë të qendrës për përpunimin dhe prodhimin e pemëve dhe perimeve do të jenë fermerët, ngase sipas tij është projekt që ndërlidh në mënyrë zinxhirore prodhuesin me tregun.

“Projektet e tilla janë motivim shtesë për punën tonë, të cilën po e bëjmë dhe po intensifikojmë dita-ditës në zhvillim të sektorit të bujqësisë. Ne qysh në fillim përveç masave që e përkrahim sektorin e bujqësisë, kemi thënë se ky sektor nuk mund të ketë të ardhme pa u bërë komercializimi dhe industrializimi i tij, pikërisht industrializimi i tij mund të arrihet vetëm nëpërmjet projekteve të tilla, të cilat bëjnë lidhjen zinxhirore prej prodhuesit deri tek tregu”, tha ministri Stavileci.

Në realizimin e hapjes së fabrikës për përpunimin dhe grumbullimin e pemëve dhe perimeve “Hosa” një kontribut të veçantë ka dhënë edhe USAID-i në Kosovë, përfaqësuesi i të cilit Kreg Bak, ka thënë se realizimi i projekteve të tilla ndihmojnë shumë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

“Kjo do të bëjë Kosovën më të suksesshme për ndërmarrësit dhe industrinë. Njerëzit të cilët kanë besim të investojnë në këtë vend dhe të cilët kanë ide për të realizuar projekte të tilla, dhe kjo do të rezultojë me hapjen e vendeve të reja të punës, dhe zhvillimin e Kosovës”, ka thënë Bak.

Ndërtimi i kësaj qendre është bërë në formë partneriteti ndërmjet kompanisë “Edona” nga Zvicra dhe biznesmenit kosovar Fitim Hoti, si dhe është mbështetur me rreth 36 mijë euro nga programi për ndërmarrje private i misionit USAID.

Ndryshe, ministri Beqaj gjatë ditës ka vizituar edhe kompaninë regjionale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini në Gjakovë, firmat “Nertili dhe “Niki-S”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›