E Diel, 1 Nëntor 2026

“Për realizimin e projektit TAP ekziston mbështetja e Norvegjisë”

07-02-2013 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti takon Ambasadorin e Norvegjisë, Jan Braathu


Kryediplomati shqiptar, Edmond Panariti, priti në një takim Ambasadorin e Norvegjisë, rezident në Prishtinë,  Jan Braathu, të cilët shkëmbyen mendime rreth zhvillimeve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të zhvilluar më tej këto marrëdhënie si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, e më gjerë. Ai vlerësoi rëndësinë e realizimit të projektit të Gazsjellësit TAP, dhe mbështetjen e qeverisë norvegjeze për këtë projekt. Ambasadori i Norvegjisë shprehu interesin gjithnjë e në e rritje të investitorëve norvegjezë për Shqipërinë. Ai dorëzoi një program të detajuar projektesh bashkëpunimi me vendin tonë në fushat e energjisë, mbrojtjes, arsimit, teknologjisë së informacionit dhe transportit detar. Ambasadori, gjithashtu, vlerësoi rëndësinë e projektit TAP dhe efektet pozitive që do të ketë për Shqipërinë. Më tej, Ambasadori Braathu, shprehu vlerësimin e tij për rolin konstruktiv të Shqipërisë në këtë rajon. Gjithashtu, në takim u diskutua mbi kapërcimin e ngërçit politik dhe votimin e tre ligjeve të mbetura në parlament, me qëllim avancimin e agjendës evropiane të Shqipërisë dhe marrjen sa më shpejt të statusit të vendit kandidat në BE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›