E Diel, 1 Nëntor 2026

Makabriteti i 4 qeverive ndaj një gazete që thoshte të vërtetën

07-02-2013 / Nga Namir Lapardhaja

-22-vjetori i gazetës “Ideja Kombëtare” në Berat, -1991- 8 shkurt - 2013-

Më 8 shkurt 1991doli në Berat gazeta “IDEJA KOMBËTARE”,  si botim i Degës së Partisë Demokratike Berat. Është gazeta e dytë opozitare në vend ( RD-ja ka dalë më 5 janar 1991). Është e para gazetë e fjalës së lirë në Berat pas   44-ës, duke  nderuar dhe traditat, kur një gazetë e tillë, e vetmja që kanë nxjerrë demokratët në Berat para 44-ës, ka qenë „IDEJA KOMBËTARE“, që ka dalë në vitet 20-të të shekullit XX.
Por kjo gazetë, „IDEJA KOMBËTARE“ u censurua menjëherë pas numrit të parë. Numri 1 doli, por numri 2 u burgos më 15 shkurt 1991. Ishte një gazetë që trembi 4 qeveri njëra pas tjetrës, që iu kundërvunë me censurë në dorë, edhe kur pluralizmi qe shpallur dhe demokracia ishte ngjitur në skenë. Kjo gazetë ka luajtur një rol të veçantë në fillimet demokratike në Berat, si ide që mbetet përherë aktuale, si ide e identitetit, e personalitetit dhe e dinjitetit evropian të shqiptarit. “Ideja Kombëtare” ishte projektuar për të qënë e përjavëshme, mirëpo sapo doli në qarkullim, më 8 shkurt 1991 ( numri i saj i parë ishte me format diçka më i madh se "A-4" i sotëm), të 2500 kopjet u shpërndanë brenda një kohë rekord. Kjo bëri që gazeta të censurohej nga qeveria komuniste e kryesuar prej Adil Çarçanit, nëpërmjet një urdhri shkresor të lëshuar prej Ministrisë së Drejtësisë. Në të thuhej se ende nuk kishte një ligj që ta përligjte nxjerrjen e gazetes dhe botuesit duhej të prisnin deri sa ky ligj të dilte. Ishte pretekst. Grupi botues i numrit të pare ishin: Simon Vrusho, Llambi Gjikuli, Dhimitër Llazi, Pëllumb Nako, Piro Leka, Xhevahir Lleshi, Xhovan Shyti, Valentin Veizi.
Historia. Emri “Ideja Kombëtare”, nuk ishte rastësor, por vijonte paraardhësen e saj të fundviteve ‘20-të, të botuar nga Islam Vrioni & një grup intelektualësh beratas. Kjo ishte e vetmja gazetë lokale, që pa dritën e botimit në disa numra, pasi u censurua nga qeveria e kohës. Kjo gazetë që doli rreth 2000 mijë kopje e që më vonë synonte 3000 kopje, u ndalua, u censurua papritur më 15 shkurt 1991 nga qeveria Çarçani, censurë që vijoi dhe me Nano 1 e 2 dhe Bufi, që më 6 dhjetor ’91 me ato 6 ditë bukë i vuri zjarrin Shqipërisë.
Simon Vrusho, inicuesi i kësaj gazete dhe kryeredaktori i parë i saj, thotë se reagimi ndaj censurës ka qenë energjik, ka vijuar me intensitet të lartë gati për 3 muaj me radhë. U snesibilizua dhe opinioni i huaj nëpërmjet gazetarëve që vizitonin Beratin në atë kohë, të cilë solidarizoheshin duke nënshkruar në një bllok të thjeshtë, ku teksti protestës Po tek ky bllok, kjo deklaratë, ky tekst proteste, gjendet e përkthyer në disa gjuhë të huaja si: anglisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht dhe greqisht. Pati solidarizime nga korrespondentë të BBC, RAI-t, The Guardian, etj. Në numrin 1 të Buletinit informativ që filloi ta nxirrte Dega e PD-së Berat në fillim të marsit 1991 vihej në dukje se për “Idenë Kombëtare” ishte protestuar tek Ramiz Alia, Adil Çarçani (disa herë), Prokurori i Përgjithshëm, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, tek Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë etj., etj. Po në këtë numër shkruhej: “Ç’është kjo kënaqësi perverse për t’i prerë rrugën shtypit të lirë që duket se ushqehet nga thënia makabre se t’i ndalosh gazetën një partie, është njëlloj sikur t’i presësh gjuhën një njeriu”. U botua një shkrim nga Simon Vrusho  për ndalimin e “Idesë Kombëtare”, si dhe protestat për këtë censurë në gazetën RD, Rilindja Demokratike, 17 prill 1991. “Numri i parë pati guximin të kritikojë kryetrin e komitetit ekzekutiv të Beratit, por kjo zgjoi tek ky kryetar prefektin e dikurshëm, që 62 vjet më parë ndaloi gazetën “IDEJA KOMBËTARE”, të vetmen gazetë të dalë para Çlirimit në Berat, gazetë që e nxirrnin demokratët, por “prefekti” Rista e ndaloi në numrin e dytë, e kjo është meritë historike e tij, kur prefekti i dikurshëm e ndaloi në numrin e shtatë”. Vazhdon Vrusho: “Ranë tri qeveri: Çarçani, Nano 1 e Nano 2, por nuk binte censura. Që të binte censura duhet të binte dhe një qeveri e katërt: Qeveria e Bufit e 6 dhjetorit me 6 ditë bukë. Pra ranë 4 qeveri, pastaj do të binte  edhe censura ndaj fjalës së lirë të shkruar.
Si shpjegohet që bien 4 qeveri dhe nuk bie një censurë? Si shpjegohet? Sepse Censura ishte vetë sistemi,vetë regjimi, vetë diktatura, pra Diktatura e Ndalimit. Diktatura e Censurës ishte më e fortë edhe se vetë Diktatori: ai mund të vdiste, siç vdiq, por jo Censura. Pra, mbrojtja  e tyre ishte tek censura, jo tek bunkerët, as tek ushtria apo Partia. Diktaturat bien, sapo tronditet Censura, prandaj beteja jonë nuk ka qenë e lehtë, prandaj ia vlen ta kujtojmë këtë gazetë dhe konteksti dhe mesazhi është i qartë: Pa ide kombëtare nuk ka sens ideja  evropiane”.
***
Për të vlerësuar kontributin e gazetës “Ideja kombëtare”, në bashkëpunim me Universitetin e Beratit, më 8 shkurt 2013, do të organizohet një sesion shkencor, ku do të përshëndesë Z. Agim Mehqemeja, ish-kryeredaktor i gazetës “Ideja Kombëtare”, si dhe do të mbahen kumtesa nga: Oltion Merdari, Eriola Azizolli, Namir Lapardhaja dhe  Simon Vrusho. Prefekti i qarkut të Beratit, Bujar Hoxhaj, thotë se ky sesion shkencor, i cili zhvillohet, në mjediset evropiane të Universitetit të Beratit, përbën një moment të rëndësishëm sa analizë e studimi, aq edhe reflektimi mbi traditat vendore të 22-vjetëve më pare, kur nisën vrullshëm proceset demokratike, kur filloi epoka e demokracisë.
Parë në këtë optikë dhe në funksion të këndvështrimeve të ndryshme, në këtë sesion shkencor  do evidentohen fakte, kontribute, dokumente, prova, dëshmi, shumica e të cilave do jepen në video-projektor në Powerpoint, për here të parë.
Gazeta “Ideja Kombëtare” dilte si gazetë demokratike, progresive, iluministe.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›