Për të mos mbetur një zë që thërret në shkretëtirë
Kur doli LMN-ja me pikëpamjet e saj të qarta në respektim të ligjit, nuk qenë të pakët ata që patën iluzionin se një frymëmarrje e re kishte nisur në gjirin e PS-së shqiptare. Kjo lëvizje për mendimin ndryshshe pati jehonë të gjerë dhe nuk u kufizua në një pesëshe parlamentare, që e shpalosi hapur mendimin e saj. Mund të themi se u mirëprit nga opinioni publik i gjithëmbarshëm, pa përjashtuar edhe entuziazmin që zgjoi te një pjesë e konsiderueshme e intelektualizmit majtist në vendin tonë. LSI-ja është partia e majtë e cila ndërgjegjësoi ithtarët e saj e më tej për një maksimë për të cilën kishte nevojë e majta jonë: Interesat e vendit përmbi interesat partiake. Lëvizja Socialiste për Integrim provoi se ishte e sinqertë në frymëzimin e saj për Integrimin në BE dhe për bashkëpunimin atlantik. Bashkëpunimi paszgjedhor me PD-në ishte i natyrshëm, pra, në dobi të interesave shqiptare.
Xhelozia e shfrenuar e krahut ekstremist të PS-së shpërtheu furishëm kundër koalicionit qeverisës të së djathtës së Berishës me të majtën e Metës. Sikur këto lloj koalicionesh të mos kishin precedentët e tyre që në kohën e De Gasperit, Adenauerit dhe të Shumanit! Fakti që Italia, Gjermania dhe Franca patën një boom ekonomik dhe një përparim shoqëror, ishte domethënës sesi interesat kombëtare janë zotëruese në krahasim me përkushtimin partiak. Nga ky mësim historik nuk mundi të përfitojë dot e majta jonë që kishte, mbi gjithçka, synimet e saj që e kishin thelbin në vënien në dorë të pushtetit, me çdo kusht. Mendësia e trashëguar dhe precedenti tragjik i 1997-s, ishin forca magnetike që e bënë fanatike në këto qëllime që i dhanë së majtës sonë të skajshme një fizionomi të pangjashme me të majtën europiane e më tej. Kjo e majtë europiane i këputi plotësisht lidhjet e saj sentimentale me Stalinin, që në kohën kur u publikuan hollësisht të gjitha krimet e diktatorit sovjetik në Kongresin XX. Ndërsa në vendin tonë stalinizmi u vu nën shenjestër dhe në tehun e kritikës vetëm pas rënies së komunizmit. Por edhe në këtë kohë, për efekt të nostalgjisë së ruajtur, madjé të nxitur, nga njëri krah i politikës shqiptare, -nga ai që e kërkonte pushtetin qoftë edhe me dhunë, - stalinizmi u ruajt, se nuk mund të bëhej ndryshe. Nostalgjia enveriste nuk mund të kuptohej dot me mohimin e Stalinit. Kjo është, në esencë, dallimi ose vija ndarëse e majtizmit tonë, me atë europian, të demokratizuar. Majtizmi ynë është peng i njerëzve me peshë ekonomike dhe politike, mëkatarë të pandëshkuar të regjimit të Enverit, të Nexhmijes e të Ramizit. Ky i fundit u shfronësua për turp e për faqe të zezë nga ballafaqimi zgjedhor me një inxhinier të ri, me intuitë dhe energjik. Megjithatë Ramizi na jep mendime qesharake kutish të votimit, si edhe na bën leksione sesi të bëhet gjaku ujë, për atë masakër mizore të Tivarit, paçka se përgjegjësia e tij vetjake është e drejtpërdrejtë në këtë mynxyrë.
Na duket se nuk ka nevojë të zgjatemi më shumë, për të bërë një profil më të thelluar të së majtës sonë, asaj më të skajshmes, e cila eshtë si delja e zezë në mes të deleve të bardha në bashkësinë e të majtave europiane, në përgjithësí. Ana thelbësore e këtij pohimi qëndron, së paku, në dy tipare të pamohueshme: në nostalgjinë ndaj diktaturës së rrëzuar. Dhe, së dyti, që është derivat i së parës: në atë se është e prirur që të gjejë hapësira dhe mundësi praktike që ta uzurpojë pushtetin demokratik, përmes dhunës. ’97-a është si doracakët e kuq të Maos, udhëheqje për veprim, që e kanë ngritur këtë ngjarje, ’97-n, në apoteozën e një veprimtarie të hareshme, paçka se me prerje kokash, me pirje gjaku, me djegie dhe me rrënime, me flamuj të huaj, me tre gishtat e doktrinës serbe përpjetë, e me çuarjen e përparimeve ekonomike të gjeratëhershme, në nivelin zero. Dhe prapë po evokojnë siluetën mortore të kësaj batërdie, duke valëvitur si kërcënuese, kutinë e Pandorës, për të bërë diktat të dhunshëm, në kundërshtim me interesat shqiptare dhe të papranueshëm nga 99,999 % (sa e kanë për zemër këtë shifër!) të komunitetit europian, që na e ka prurë te dera liberalizimin e vizave dhe kartën e kandidaturës për në BE.
[Në mungesën për të bërë tërësinë, në shifrën e cituar, ndryshesë prej 0,001 %, kemi parasysh ndonjë pikë mellani në detin e demokracisë, ndonjë fanatik stalinist jashtë kufijve tanë, që paska folur keq për zgjedhjet e 28 qeshorit të 2009-s, një pështytje që po na fryhet si ajo bretkosa e La Fontenit, që deshi të bëhej sa një kà!].
***
Vijmë sërish, për të përfunduar shkrimin tonë, te LMN-ja.
Ajo u tregua e flashkët dhe u rrëzua shpejt nga mujshia e natyrshme e Edvin Ramës. Lëvizja ishte frymëzuese; mendimet për mendimin e ndryshe filluan të zgjonin vëmendjen e pjesës më elitare të majtizmit tonë, që sinqerisht ishte me bindje europianiste. Por mendimit ndryshe i mungoi vendosmëria. E stigmatizoi me arsyetime të drejtpërdrejta dhe të besueshme, atë farsën e E. Ramës për të pjellë e për të manipuluar një fantazmë të paqenë, një ngërç të përçudnuar. Një alkimi qesharake për të nxjerrë flori nga metali më i pavlefshëm i tabelës së Mendelejevit. E bukura është se kjo shpikje si perpetum mobile, të cilën Lavuazieri e kishte përcaktuar si një sajesë idiotësh, zgjoi frymëzimin e komunistit-kameleon, Ramiz Alisë.(Meqë u përmend emri i këtij përdhosësi të demokracisë, kujtojmë se masakra e Tivarit nuk paska autorësinë e tij, por na qenka një vepër kosovarësh+ serbësh! Por cilët ishin vasalët më të paskrupullt të serbëve, në atë kohë?).
LMN-ja ishte arsyetuese, por mbeti edhe qaramane. Ajo, e para dhe pa ngurim, e stigmatizoi E. Ramën si shkelës ligji (neni 28 i statusit të PS-së) dhe e vuri gishtin në plagë, si Shën Thomai, duke zbuluar arsyen e piruetave të Edvinit për t’i bishtnuar dorëheqjes së tij, siç kishte bërë paraardhësi, në respektim të Statusit. Ajo Lëvizje zbërtheu kundërthëniet evidente ndërmjet “pranimit” të rezultateve zgjedhore të shpallura përfundimisht dhe unanimisht nga KQZ-ja , (7:0) dhe bojkotimit të Parlamentit, për të jetësuar disa ultimatume (ultimatumet e një humbësi!). Kuintesenca e kontradiktës: Pranoj rezultatet = Parlamenti është i ligjshëm. E bojkotoj parlamentin = nuk pranoj ligjshmërinë e tij! Kush del i paligjshëm, kështu?
Por ajo që është lënë në mister, është mënyra sesi dora e hekurt e E.Ramës, zemërimi i tij prej autokrati, mbyllja si në bunker e mbledhjeve, keqtrajtimi i gazetarëve që ngulmonin të informoheshin, kapadajllëku ndaj kameramanëve që u dëbuan me kamera të thyera, kërcënimet se është hera e dytë që “toleranca” e tij i duronte këta të patenzonë dhe se herën e tretë i priste përjashtimi, - të gjitha këto nuk janë zbardhur ende tërësisht në detaje.
LMN-ja mbeti përpara dyzimit: Ose të tregonte edhe ajo forcën e bindjeve të veta dhe të bënte një ballafaqim trimëror, ose të thyhej. Bëri këtë të fundit. Por ky version i fundit kishte edhe anën tjetër të medaljes: mos, vallë, nuk ishte një çështje parimore, një frymëzim për të qenë sa më afër së majtës europiane, por ishte vetëm një luftë e brendshme për pushtet?
Grushti i hekurt i atij që luante me fjalën “transparencë” (ndërsa ishte armiku i çdo transparence), e arriti synimin e tij diabolik. Paçka se cilido mund të kuptonte se në këtë duel ai ishte antiteza e demokracisë. Ai, Edi, pati një fitore të palavdishme; por përçarja për të cilën akuzohej nga ata që ia donin të mirën së majtës shqiptare, u thellua, nuk u zbut.
Lëvizja për Mendimin Ndryshe nuk kishte më alternativë për të zgjedhur rrugën më të përshtatshme. Asaj i mbetej vetëm një rrugë: Të bënte një parti me program europianist vërtet të qenësishëm. Pa hijen e demagogjisë, si PS-ja: “Me Perëndimin”, por me gjeste e veprime kundërperëndimore!
Një miku im që nuk merret me politikë, me prejardhje prindërish mjekë dhe me mendime liberale, më thoshte një ditë për këtë subjekt: - Një parti e re e majtë, qoftë edhe me pesë deputetë në Parlament, e shkëputur nga PS-ja që tanimë është në dorë të E. Ramës, do të respektohej më tepër nga PS-ja. Por, ama, me program të guximshëm: kundër veprimeve të dyshimta nostalgjike; kundër propagandës që përkujton, qoftë edhe në mënyrë të mbuluar, duktaturën që lamë pas; kundër veprimeve të dhunshme; me idé të kthjellëta integruese. Dhe me prirje bashkëpunimi të sinqertë me partitë e majta europiane. – Pse s’thua që të bashkohej me LSI-në, -e ngacmoca. Edhe kjo do të ishte më e dobishme nga nënshtrimi, - më tha., – konkretisht ajo tani është më afër LSI-së sesa me PS-në e sotme. Por mund të ishte me një emërtim më vete. Për shehmbull: “Lidhja e së Majtës Përparimtare”, apo çfarëdo qoftë embleme për të qenë më vete. Do të duhej të kishte edhe gazetën e saj, për të bërë të njohur se programi i saj është i zbatueshëm dhe në përputhje me frymëzimet perëndimore. Dhe, nëse më thua se janë pak pesë deputetë, ata e bëjnë diferencën me dhjetë, në qoftë se për çështjet euroatlantike veprojnë së bashku me PD-në, LSI-në dhe me koalicionin qeverisës.
-Përndryshe Mendimi i tyre do të mbetet si një “vox clamantis in deserto” – siç është ai proverbi latin.