Ati i Shenjtë, Benedikti XVI, i kthehet sharmit për Celibatin
“Ligji i Zotit nuk kërkon që njeriu ta zbatojë me bindjen e skllavit, por me gatishmërinë e birit”. E pohoi këtë Benedikti XVI, duke komentuar, në audiencën e përgjithshme, mbajtur dje paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, Psalmin 119. Në reflektimin e tij, Papa i ftoi meshtarët ta rizbulojnë bukurinë dhe forcën e celibatit. Psalm i gjatë, i ndërlikuar, i 119-ti. Himn, që shpreh me forcë prekëse poetike, një realitet feje, sa të thjeshtë, aq edhe të thellë. Kush ia vë veshin Zotit dhe jeton sipas Fjalës së Tij, ka gjithçka: jetë, shpresë, ngushëllim, gëzim. Benedikti XVI kujtoi para mijëra besimtarëve, mbledhur rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit, këngën madhështore e solemne, që buron nga 176 vargjet e Psalmit 119, sipas traditës hebraike (118, sipas asaj greko-latine). Këngë e pashoqe në llojin e vet, e quajti Papa, që i kushtohet e tëra madhështisë së Torah, domethënë të ligjit hyjnor: “Dashuria për Fjalën e Zotit e përshkon tejpërtej gjithë Psalmin, i cili kremton pikërisht bukurinë e kësaj Fjale, forcën e saj shpëtimtare, aftësinë për të dhuruar gëzim e jetë. Sepse ligji hyjnor nuk është zgjedhë e rëndë e skllavërisë, por dhuratë e hirit, që të bën të lirë e të lumtur”.
Është, pra ligj, i cili bën njerëz të lirë, e jo skllevër. Zoja e Bekuar, shpjegoi Papa, qe krijesa e parë, që e kuptoi dhe e jetoi plotësisht këtë të vërtetë. Ajo, shtoi Ati i Shenjtë, qe rojtare plot vëmendje e dashuri e Fjalës së Zotit, prandaj i mëson gjithnjë të krishterit ç’qëndrim duhet të mbajë ndaj urdhërimeve të Hyjit: “Ligji i Zotit kërkon ta dëgjosh me zemër. Nuk është dëgjesë prej skllavi, por bindje, bijnore, besimplote, e vetëdijshme. Dëgjimi i Fjalës është takim personal me Zotin e jetës, takim që duhet të shprehet me vepra konkrete, të përditshme”. Duke vijuar reflektimin, Papa u ndalua tek një varg i veçantë i Psalmit, i cili, komentoi, është si fjalor i vërtetë i marrëdhënieve besimplote ndërmjet njeriut e Zotit. Është fjala për vargun 57, që pohon: “Zoti është pjesa e trashëgimit tim” e që u drejtohet posaçërisht priftërinjve të fisit hebraik të Levit të cilët, vijoi të shpjegonte Benedikti XVI, duke qenë ndërmjetësues mes njeriut e Zotit, nuk mund të ishin pronarë tokash, sepse Toka e tyre ishte vetë Zoti, prej këndej, duhej t’ia besonin drejtpërdrejt atij të gjitha nevojat e tyre: “Këto vargje kanë rëndësi të madhe edhe sot e kësaj dite për ne të gjithë. Posaçërisht vlejnë për meshtarët, që janë të thirrur të jetojnë vetëm me Zotin e me Fjalën e tij, pa asnjë siguri tjetër, duke e pasur Atë si pasurinë e vetme, të vetmin burim jetese. Në këtë dritë kuptohet zgjedhja e lirë e celibatit për Mbretërinë e qiejve, bukuria dhe forca e të cilit duhen rizbuluar”.
Por ky Psalm nuk u drejtohet vetëm priftërinjve. Është një thirrje e vërtetë për çdo besimtar. U kujton të gjithëve se duhet ta jetojnë plotësisht Ungjillin, se duhet të besojnë në Zotin e në forcën e Fjalës së Tij, përfundoi Papa, e kështu të jetojnë me të, në bashkim e në gëzim: “Ta lemë, pra Zotin, të na e mbushë zemrën plot me dashuri për Fjalën e tij e të na nxisë ta kemi gjithnjë në qendër të jetës sonë Atë e vullnetin e Tij të shenjtë. T’i lutemi, që lutja jonë dhe e gjithë jeta jonë, të ndriçohen nga Fjala e Zotit, llambë për hapat tonë e dritë për shtegtimin tonë, siç këndon Psalmi 119, e kështu hapat tonë do të jenë të sigurtë mbi tokën e njerëzve”. Në përfundim të katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme Misionarëve Verbitë dhe ushtarakëve të Brigadës së Granatierëve të Sardenjës, që e mbushën me tinguj gazmor Sheshin e Shën Pjetrit.
Retrospektivë - 8 nëntori 1464 data e “Formulës së Pagëzimit” të imzot Pal Engjëllit/Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 8 nëntor përkujtojmë datën e shkrimit të dokumentit Kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në gjuhën kishtare të kohës, latinisht, në të cilin dokument gjendet në gjuhën shqipe “FORMULA E PAGEZIMIT”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë shqip që njihet e që mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462. Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i heroit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. Dokumenti është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër Kishat famullitare dhe vise të territorit të kryedioqezës së Durrësit. Në mbarim të kësaj vizite baritore e shpirtërore imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë në të cilën gjendeshin banorët e besimtarët, problemet e mëdha ekonomike dhe rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë e duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) ti pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës sipas ritualit kishtar të Sakramentit të Pagëzimit…“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”. Së fundi në këtë dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.
Marrë nga Radio Vatikani