Për vrasjen e gruas, kosovari dënohet me 16 vjet burg

Gjykata e Qarkut në Aarau ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 16 vjetësh një shtetas kosovar, i cili e kishte vrarë bashkëshorten e tij duke e goditur atë 23 herë me thikë. Vrasja ka ndodhur në muajin mars të vitit 2011, me ç`rast kosovari, sipas prokurorit, kishte “therur me gjakftohtësi” bashkëshorten e tij.
Për këtë krim, të cilësuar si vrasje e rëndë, prokurori ka kërkuar 18 vjet burg, ndërsa tri nga vajzat e vrasësit janë shprehur për burgim të përjetshëm të babait të tyre.
Si transmeton portali Albinfo, në sallën e gjykimit në Aarau të mërkurën po qëndronin pesë nga gjithsej shtatë fëmijët e dorasit. Tri vajzat e tij kanë kërkuar që babai i tyre të lëshojë sallën kur të merren ato në pyetje. Ato nuk dëshironin të shihnin vrasësin e së ëmës. Për këtë arsye, katër vajzat janë marrë në pyetje veç e veç. Ato kanë deklaruar se “në përgjithësi kemi qenë familje e mirë, nëna nuk ka parë kurrë një ditë të bardhë, se babai kishte qenë xheloz”. Por, vajzat kanë folur edhe për çaste të bukura me babanë e tyre. Vajzat janë të një mendimi se nëna e tyre ka qenë grua e mirë, e ndershme. Ato kanë thënë se babai ka paralajmëruar vazhdimisht se do ta mbyste nënën e tyre. Por ato kurrë nuk e kishin besuar se ai vërtet do ta bënte këtë, edhe pse në vitin 2007, tri nga vajzat dhe nëna e tyre ishin detyruar të strehoheshin në një shtëpi për mbrojtjen e gruas, shkruan
“Aargauer Zeitung”.
Pyetjes së kryetarit të trupit gjykues nëse e kishte rrahur shpesh gruan dhe nëse e kishte kërcënuar atë, ai i është përgjigjur me “kurrë”.
Nga ana tjetë, prokurori në akuzën e tij e përshkruan vrasësin si një bashkëshort xheloz i cili në vazhdimësi e akuzonte gruan e tij se mbante lidhje me një burrë tjetër. Siç është parë gjatë hetimeve, ka qenë ai që ka pasur një lidhje seksuale me një afrikane shumë më të re se vetë.
Vetëm njëra nga katër vajzat e pranishme në sallën e gjyqit mban ende kontakte me të atin. Ajo madje e përqafon atë në sallë duke thënë “Ai është dhe mbetet babai im. Ajo që ai ka bërë nuk e ndryshon këtë lidhje”.
Në përmbyllje të procesit i akuzuari është ngritur në këmbë dhe ka deklaruar para turpit gjykues: “Dëshiroj të kërkoj falje nga fëmijët e mi për atë që i kam bërë nënës së tyre. Unë pendohem dhe do të jem i penduar deri sa të jem gjallë”./Indeksonline/