E Shtunë, 31 Tetor 2026

MKRS pranon dosjen e Eposit të Kreshnikëve për aplikim në UNESCO

Kryetari i Komisionit qeveritar për kompletimin e dosjes së Eposit të Kreshnikëve për aplikim në UNESCO, Prof. Dr. Zymer Neziri i ka dorëzuar sot ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, dosjen e përfunduar për aplikim, si dhe ka njoftuar me gjithë punën që e ka përcjellë këtë proces për disa vite.

Ministri Krasniqi ka përgëzuar profesorin Neziri për punën që ka bërë, bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit, profesorët Shaban Sinani dhe Vasil Tole, si dhe për vullnetin e madh që gjithë kjo punë në fund të rezultojë me sukses. Ai tha se është një hap i rëndësishëm që pas një pune disavjeçare kjo dosje është kompletuar.

Sa i përket aplikimit, ministri ka thënë që meqë tashmë të gjitha çështjet konsiderohen të kryera, Kosova do të presë deri në anëtarësimin në UNESCO, në mënyrë që bashkë me Republikën e Shqipërisë, në pajtim me marrëveshjen e arritur më herët për këtë çështje, të aplikohet për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën mbrojtje të UNESCO-s, si një vlerë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.

Sipas njoftimit të MKRS-së, Krasniqi ka thënë se Eposi i Kreshnikëve duhet po ashtu të prezantohet sa më shumë në trevat ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë që kjo trashëgimi të ruhet sa më shumë dhe që gjeneratat e reja të dinë sa më shumë për të./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›