E Diel, 1 Nëntor 2026

Perballe Argjentines Kuzhe kerkon rezultat te kenaqshem

Nuk rastis shpesh herë të luash kundër Argjentinës, por ajo që duhet të ishte ndeshja e jetës për shumë futbollistë, e ka katandisur kombëtaren me vetëm 13 lojtarë në seancën e parë përgatitore në prag të miqësores kundër Lionel Messit dhe shokëve të tij.

Përfaqësuesja e drejtuar nga Josip Kuzhe do të zbresë më 20 qershor në stadiumin “Monumental” të Buenos Aires, por tekniku kroat duhet t’i bëjë llogaritë pa shumë prej titullarëve të tij, disa prej të cilëve kanë preferuar të mos prishin pushimet, ndërsa të tjerë nuk lejohen nga skuadrat e tyre të klubeve apo janë në tratativat e merkatos për të gjetur ekipe për sezonin e ardhshëm.

Gjiththesi Kuzhe kërkon të minimizojë problemet duke u përqëndruar vetëm te fakti që Shqipëria do të luajë një miqësore kundër një Superfuqie të futbollit botëror si Argjentina.

“Sigurisht unë do të doja t’i kisha të gjithë lojtarët në dispozicion, por kjo nuk është e mundur. Miqësorja kundër Argjentinës nuk është në një datë të lirë të FIFA-s dhe për këtë skuadrat e tyre nuk i lejojnë. Gjithsesi, kjo ndeshje është e rëndësishme, pasi Shqipëria nuk mund të luajë gjithmonë ndeshje miqësore kundër skuadrave të mëdha. Risku për një humbje të thellë ekziston, por ne do të përpiqemi të marrim një rezultat të kënaqshëm”-tha Kuzhe.

Në stërvitjen e fundit në Shqipëri, përpara nisjes për në Argjentinë, Kuzhe kishte në dispozicion shumë lojtarë që luajnë në Superligë, ndërsa përfaqësueses kuqezi priten t’i bashkohen Kristi Vangjeli, Edmond Kapllani dhe Igli Allmuça.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›