Beteja për Superligë
Edhe pse sezoni në Superligë dhe Ligën e Parë ka marr fund javën e kaluar, ende ka mbetur diçka për t’u thënë. Të enjten në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë (17:00) do të zhvillohet ndeshja e barazhit ndërmjet Ballkanit dhe Lepencit.
Përballja ndërmjet therandasve dhe kaçanikasve do të vendosë se cila nga këto skuadra do të garojë sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit kosovar. Portokallinjtë besojnë se do të arrijnë fitore, për të siguruar mbetjen në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm.
“Ne besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit për mbetje në Superligë. Ne jemi të përgatitur maksimalisht për lojë, dhe që ta fitojmë këtë takim, i cili është shumë më rëndësi për ne”, ka thënë trajneri i Ballkanit, Zymer Elshani.
Në anën tjetër, edhe trajneri i skuadrës nga Kaçaniku, Selajdin Zeneli beson se do të arrijë fitore për t’u ngjitur në elitën e futbollit kosovar, të cilin e kishin synim gjatë gjithë sezonit.
“Ne jemi shumë optimistë në atë drejtim, për ta fituar atë takim, sepse i gjithë mundi është bërë për të arritur në elitën e futbollit tonë. Ne jemi të vetëdijshëm se Ballkani ka një përparësi paksa më të madhe se ne, sepse ka luajtur në Superligë dhe ka pak më tepër përvojë. Por sidoqoftë, motivi i lojtarëve është për fitore dhe për arritjen e synimit tonë”, tha Zeneli.
Ballkani nuk arriti të sigurojë pikë të mjaftueshme për të siguruar mbetje direkte në Superligë, pasi zuri vendin e dhjetë, i cili dërgon në ndeshjet e barazhit. Ndërsa skuadra e Lepencit përfundoi sezonin në vend të tretë në Ligën e Parë dhe i mbeti që hyrjen në Superligë ta kërkojë nga ndeshja e barazhit.
Këtë sezon nga Superliga janë larguar Ferizaj dhe Flamurtari, derisa në sezonin e ardhshëm në këtë rang garash do të luajnë dy ekipet nga Gjilani, Drita dhe Gjilani.