E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballë krimit mjedisor

Hajro Limaj

 

Kohët e fundit kryeministri Berisha ka shprehur shqetësimin e gjendjes së rëndë mjedisore. Për këtë ai propozoi që 20 Prilli të caktohet Dita e Shqipërisë së Pastër. Në këtë ditë qytetarët duhet të pastrojnë qytetin dhe fshatrat e tyre. Këtë reagim,edhe pse shumë me vonesë e vlerësojmë, por këtë nismë më parë e kishte marrë shoqëria civile, e cila ditën e 9 Majit e shpalli ditën e pastrimit. Prandaj e mira do të ishte që kryeministri ti bashkohej kësaj date dhe së bashku me institucionet e shoqërisë civile të bashkërendonin organizimin dhe hartën e pastrimit të vendit, i cili prej vitesh ndodhet në një gjendje të pashoqe dhe krimet e mjedisit kanë marrë ose shkurtuar shumë jetë njerëzish. Vitet e fundit në përbërje të qeverisë është ngritur Ministria e Mjedisit, e cila është krejtësisht inefektive. Gjendja e mjedisit tregon se pushteti qendror dhe pushteti vendor në lidhje me këtë detyrë kanë dështuar plotësisht dhe janë shkaktarët e kësaj gjendje kriminale. Pirgjet e plehrave apo të mbetjeve urbane, rrugët dhe trotuaret e pa pastruar, kazanët e plehrave të pa mbyllur dhe të pa dizinfektuara, qentë e infektuar që kanë pushtuar lagjet, ujërat e pa pastra që derdhen nga lokalet, shishet që nxjerrin nga kazanët romët çdo mëngjes, ushqimet, frutat dhe zarzavatet që tregtohen pa asnjë kontroll, ndërtimet ditë e natë me maune rrugëve të qytetit, makinat e vjetra që Evropa i ka nxjerrë jashtë përdorimit është panorama e vërtetë. Kryeministri e vlerësoi krim mjedisor ndërsa unë e vlerësoj atë gjenocid, i cili po shuan jetë nëpërmjet sëmundje të gjithanshme. Çdo familje në Tiranë nëpërmjet faturës se ujit paguan  4500 lekë të vjetra në muaj që bëjnë 54 000 lekë për çdo vit. Llogarisni familjet dhe shumëzojeni me këtë shumë që të shikoni se sa sakrifikon qytetari i varfër për këtë mjedis. Kryeministri Berisha deklaroi se kimet ndaj mjedisit janë krime të rënda. Por nuk mjafton vetëm ta deklarosh. Ai tani duhet të verë gishtin mbi përgjegjësit e kësaj gjendje kriminale dhe ti denoncojë ata në Prokurori. I pari duhet të shkarkohet ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, i cili mbas tragjedisë së Gërdecit na solli tragjedinë mjedisore dhe ekologjike. Kryetarët e Bashkive dhe të komunave që nuk kryejnë detyrat ligjore për mbrojtjen e mjedisit. Inspektoriatet që i ngarkon ligji. Pra faktet tregojnë se qeverisja qendrore dhe vendore nuk funksionojnë dhe nuk kryejnë detyrat. Ndaj kryeministri me te drejtë tha se Në rast se nuk ka dinamikë serioze në pastrimin e mbajtjen e mjedisit, ne do të etiketohemi si vend që nuk ia vlen të vizitohet. Shumë mirë, por kujt ja thotë këtë? Popullit dhe qytetarit të thjeshtë që e vuan dhe i mallkon për ditë qeveritarët ? Jo! Ai këtë duhet tua thotë qeveritarëve të të gjitha niveleve dhe tu tregojë vendin që meritojnë. Prandaj qeveria nëse mendon të reflektojë ndaj kësaj epidemie, duhet të kalojë në gjendje të jashtëzakonshme të gjitha institucionet përgjegjëse duke analizuar përgjegjësitë. Atëherë mund të këtë ndryshim, në të kundërt edhe kjo është retorika e radhës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›