Nderohet në Ankara

Drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Turqisë i kanë bërë pritje me nderimet më të larta shtetërore Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në këtë vend mik, me ftesë të Presidentit Abdullah Gyl.
“Presidenti Sejdiu e ka filluar ditën e martë duke vizituar Muzeun Anitkabir, ku ka vënë kurora lulesh dhe ka nderuar kujtimin e krijuesit të Republikës modern të Turqisë, Kemal Ataturk, si dhe dëshmorëve të rënë për lirinë e këtij vendi”, njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, nëpërmes një komunikate shtypi.
Më pas, ai është pritur personalisht nga Presidenti Abdullah Gyl.
Dy presidentët kanë dëgjuar himnet e dy shteteve, të cilat u intonuan të shoqëruara me të shtëna solemne topash, si dhe janë nderuar nga Garda Kombëtare e Turqisë.
Të dy presidentët patën një takim kokë më kokë për të ardhur së bashku në takimin me delegacionet e të dyja vendeve, në të cilin ata sërish rikonfirmuan zotimin e dy shteteve për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të gjithanshme dhe vëllazërore ndërmjet dy vendeve.
Presidenti Gyl tha se Turqia i gëzohet çdo ditë progresit të arritur në Kosovë, që është një argument se ky vend është faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon.
“Popujt e dy vendeve tona janë në solidaritet të plotë me njëri-tjetrin. Ne e mbështesim Kosovën në të gjitha forumet ndërkombëtare në të cilat marrim pjesë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përherë, duke lobuar kudo për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga sa më shumë vende”, tha Presidenti Gyl, i cili vlerësoi se njohja e Kosovës nga 65 vende të botës, si dhe anëtarësimi i saj në institucione të ndryshme ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, është dëshmi se në Kosovë janë arritur suksese.
Duke shfaqur bindjen se procesi i njohjes së Kosovës do të ketë nxitje pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Presidenti Gyl vlerësoi se integrimi sa më i shpejtë i Kosovës në institucionet euroatlantike, në Bashkimin Europian dhe në NATO do të siguronte paqe dhe stabilitet të përhershëm në gjithë rajonin.
“Republika e Turqisë ka qenë udhërrëfyese për të gjitha vendet e botës islamike, duke e njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës, ndaj ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga vendet e kësaj konference që edhe ato, sa më parë, të ndjekin rrugën tonë”, pohoi Gyl.
“Uroj që Kosova të ketë një të ardhme të ndritur”, shtoi ai.
Sikur thuhet më tutje në komunikatën shpërndarë medieve, Sejdiu ka theksuar se në Turqi kishte ardhur për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e madh të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për mbështetjen e jashtëzakonshme që ka dhënë dhe po jep Republika e Turqisë për vendin tonë.
“Ju jeni pjesë e historisë së Kosovës në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se mbështetja e Turqisë për Kosovën ka qenë dhe është substanciale.
“Na jeni gjetur pranë në orët më të liga të historisë sonë dhe po na ndihmoni edhe sot, si në procesin e njohjeve dhe të integrimit, ashtu edhe në atë të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, ndaj ne jemi thellësisht të përkushtuar që marrëdhëniet tona të intensifikohen edhe më shumë për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve”, ka shtuar ai.
Krejtësisht në frymë të njëjtë miqësie e mirëkuptimi ka qenë edhe takimi me Kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mehmet Ali Shahin, i cili ritheksoi vendosmërinë e këtij institucioni të lartë të shtetit turk për të mbështetur parlamentarët e Kosovës edhe në të ardhmen.
Presidenti Sejdiu, po ashtu, takoi edhe Kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan.
“Një theks të veçantë Kryeministri Erdogan i kushtoi çështjes së investimeve turke në Kosovë, duke premtuar se do t’i nxisë bizneset turke të jenë sa më të pranishme në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës, të lëshuar pas këtij takimi.