“Përballuam me sukses një nga dimrat më të vështirë të 3 dekadave të fundit”
Berisha falënderon mediat për pasqyrimin e drejtë të situatës së reshjeve të dëborës
Kryeministri Berisha pas përfundimit të mbledhjes së shtabit të emergjencës që u zhvillua në prefekturën e qytetit të Korçës zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët e mediave lokale të pranishme.
Duke i falënderuar ata dhe mediat në tërësi për angazhimin në raportimin e të gjithë problematikës së krijuar nga ky dimër i madh, kryeministri u shpreh se situata ishte e pazakontë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën.
Sipas kryeministrit, ky dimër shkaktoi në Evropë mbi 600 viktima si dhe izolimin e mijëra qendrave të banuara, ndërsa në Shqipëri rasti i vetëm i vdekjes nga moti, ishte i të riut në majën e Oplasit. “Ju falënderoj ju dhe mediave në tërësi, për angazhimin tuaj të plotë në raportimin e të gjithë problematikës së krijuar nga ky dimër i madh. Unë nuk jam gazetar, por nuk mund të mos them këtu se do të kisha dashur që të paraqitej krahas vështirësive edhe vendosmëria e qytetarëve, edhe përkushtimi i qytetarëve për ta kapërcyer me sukses këtë situatë, e cila nuk ishte e zakonshme, ishte e pazakontë jo vetëm për Shqipërinë, por e pazakontë për mbarë Europën. Në vende të zhvilluara, të fuqishme, krijoi paraliza të vërteta në trafik, por dhe fatkeqësisht, shënoi një numër të madh viktimash, çka deri sot në Shqipëri nuk pati, natyrisht në rrugë pati bllokime, por u ndihmua në kohë çdo qytetar apo qytetare, i këtij vendi kudo që u ndodh. Ka pasur një angazhim të paprecedent, sepse i paprecedentë ishte edhe situata, por mos harroni se në dhjetëra e dhjetëra raste, realisht kanë rrezikuar gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzish. Realisht kanë bërë vepra të vërteta guximi dhe jo vetëm ata, por edhe qytetarët. Unë ju thash ju dy të rinj u nisën në majën e Oplasit për të drejtuar antenat e një kompanie mobile, mbeten dhe janë nisur në drejtim të tyre në orë 9 të mëngjesit mbi 100 qytetarë, bashkëfshatarë të tyre, punonjës të administratës, prefekti dhe janë kthyer pas 12 orësh udhëtimi në dëborë. E rëndësishme është që kjo situatë u dominua”, u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit, zona e Korçës është e para që e dominoi dhe Korça është një nga rrethet që ka pasur reshje më të mëdha dhe më të zgjatura, ndaj dhe unë erdha para së gjithash për të përgëzuar autoritetet vendore, qytetarët e këtij rrethi, për mënyrën e përgjegjshme, në të cilën e përballuan këtë situatë, në të cilën mbarë vendin ka spikatur shkallë e lartë përgjegjësie dhe ky ka qenë operacioni më i gjerë i emergjencës civile, i marrë ndonjëherë në historinë e vendit.
“Operacion që ka konsistuar në hapjen e mijëra kilometra rrugë, në lëvizjen e miliona metër kub dëborë prej tyre. Në shpërndarjen e ndihmës mjekësore në të gjithë këto zona, evakuimin e të sëmurëve dhe nënave shtatzëna sipas rasteve, por edhe ne shpërndarjen e ndihmave ushqimore në zonat, shtëpitë apo lagjet më të izoluara në të gjithë territorin. Shpresojmë dhe po punohet me intensitet të madh që kalueshmëria e rrugëve, që është arritur në Korçe në të gjitha komunat, të arrihet së shpejti në mbarë Shqipërinë. Po punohet me intensitet të madh për kalimin e rrugës Kukës-Peshkopi, ju duhet ta dini që në këtë trajektore janë rreth 11 komuna, pra është një zonë dendësisht e populluar. Po punohet për të ecur drejt Shishtavecit dhe e vërteta është se 3-4 kilometrat e fundit të kësaj rruge, që është 32 kilometra dhe një ndër më të vështirat, por kilometrat e fundit të arrihen sot. Po punohet për të ecur drejt komunave të Pukës, ndonëse trashësia e dëborës vende-vende është mbi 3 metra. Punohet në rrethin e Hasit dhe janë hapur të gjitha rrugët drejt komunave. Në Kukës ka mbetur komunat e Grykës së Drinit. Në Shkodër po punohet drejt Vermoshit, rruga është 100 kilometra, trashësia e dëborës është shumë e madhe e kombinuar me akull, por unë dua të siguroj banorët e Vermoshit se e gjithë forca e shtetit do të jetë pranë tyre në çdo situatë më të vështirë më emergjente. Izoluar janë sërish komunat e Thethit e Dukagjinit, po përpiqemi për shkak se sasia e dëborës është shumë e madhe dhe më së shumti do të përpiqemi ti ndihmojmë të hapim rrugët, por do t’i ndihmojmë edhe nga ajri me furnizimet më bazë, që kanë nevojë. Pra në tërësi është një situatë e dominuar, një situatë e cila u përballua me objektivin më madhor në sigurimin e jetëve të njerëzve, por edhe në aspektet e tjera. Situata është në ecuri përmirësimi progresiv dhe të qartë. Nuk ka pasur dhe nuk ka të zhdukur. Shqipëria ka telefoninë mobile 29 për qind mbi mesataren e Europës dhe ky ka qenë një faktor i jashtëzakonshëm komunikimi, por unë mendoj se nuk është e drejtë të merret zhdukja e sinjalit për zhdukje familjesh. U njoftuan se janë zhdukur dy familje në një fshat ne Curraj të Epërm, ato ishin shëndoshë e mirë, dërguam helikopter, lartësia është e madhe, sepse po ta keni parasysh ato janë në ballkonin e Alpeve, por mediat thanë se ka të zhdukur, kur ata ishin shëndoshë e mirë, prandaj dhe nuk është e barabartë zhdukja e sinjalit me jetë njerëzish”, theksoi kryeministri Berisha.