E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm 27 komuna janë të bllokuara, vazhdon shpërndarja e ndihmave

19-02-2012 / Gazeta 55

Bilanci i Ministrisë së Brendshme

Ministria e Brendshme deklaroi dje se numri i komunave të bllokuara në rang vendi është 27. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja u shpreh se vijon puna për hapjen e akseve rrugore rurale që ende mbeten të izoluara. Sipas tij, për qarkun e Shkodrës,
akset rrugore kombëtare janë të hapura me përjashtim të segmenteve Qafë Mali- Qafë Shllak dhe Qafë Mali-Fierzë.
“Sot (dje) është punuar për hapjen edhe të këtyre segmenteve si dhe në akset rrugore që bashkojnë qendrat e komunave me akset kombëtare. Konkretisht është punuar nga forcat dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve dhe të Forcave të Armatosura për hapjen e rrugëve që lidhin akset rrugore kombëtare me qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Kelmend, Iballë, Fierzë, Blerim dhe Qelëz”, tha ai.
Në qarkun e Kukësit, ndër më të prekurit nga reshjet e dendura të dëborës, zëdhënësi Konja tha se, “është punuar nga forcat dhe mjetet e Forcave të Armatosura dhe Drejtorisë Rajonale të rrugëve për hapjen e segmentit prej 3 km Kukës-Qafë Shllak dhe Domaj-Draj Reç, po kështu në akset që rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shishtavec, Bushtricë, Grykë Çaje, Kalis, Surroj, Lekbibaj, Llugaj, Bytyç dhe Arrën”.
 Në qarkun e Dibrës është bërë e mundur avancimi i punës për hapjen e akseve rrugore kombëtare me qendrat e komunave Zall Dardhë, Trebisht, Arras, Luzni.
“Vijon puna dhe është pranë përfundimit, për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Kala e Dodës, Selishtë, Lurë, Zall Reç, Ostren”.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, në Qarkun e Korçës tashmë ka përfunduar puna për lidhjen e qendrave të komunave të bllokuara me rrugët kombëtare.
Një tjetër pikë e rëndësishme për Ministrinë e Brendshme mbeten emergjencat shëndetësore dhe furnizimi me ushqime i zonave të izoluara.
“Janë transportuar për në spitalin rajonal të Kukësit një i sëmurë nga fshati Buz, Komuna Bushtricë, dhe një grua me hemoragji nga Komuna Shishtavec. Janë transportuar për në spitalin e Bajram Currit dy gra të sëmura, nga fshatrat Zherkë dhe Rodogosh të Komunës Bytyç, si dhe medikamente në fshatin Degë, Komuna Dushaj. Është transportuar në spitalin e Kukësit një i sëmurë nga Komuna Golaj e Hasit. Është kryer transport medikamentesh në fshatin Kir, Komuna Pult të Shkodrës. Është transportuar në spitalin e Pukës një fëmijë i sëmurë, nga fshati Kabash”, tha ai.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë kryer gjithashtu fluturime për transport ndihmash në Valbonë, Lekbibaj dhe Margegaj të Tropojës, Poroçan dhe Kukur të Gramshit dhe në komunën Arras të Peshkopisë.

Nishani: Kemi shfrytëzuar motin e mirë për të zhbllokuar akset rrugore

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani pasqyroi dje situatën aktuale në të gjitha zonat e prekura nga fatkeqësia natyrore. Në vlerësimin e ministrit Nishani situata nga moti është në përmirësim dhe është shfrytëzuar pikërisht ky ndryshim klimaterike për hapjen e të gjitha rrugëve të bllokuara.
“Situata nga moti është në përmirësim dhe kjo është bërë e mundur nga puna intensive e shtabit. Janë zhbllokuar si akset kombëtare dhe ato nacionale. Duhet vënë në dukje se bashkëpunim me kryetarët e komunave ka qenë mjaft i mirë dhe angazhimi i Shtabit të Emergjencave ka qenë maksimal. Vetë salla operative e emergjencave është në dispozicion 24 orë, me qëllim marrjen në kohë të çdo informacioni në ndihmë të zonave të bllokuara”, vuri në dukje ministri Nishani. 
Në vlerësimin e Ministrit të Brendshëm zonat më problematike janë ato në qarkun e Kukësit dhe të Dibrës, por që shtabi po bën të pamundurën për të shpëtuar çdo jetë njerëzore, jo vetëm në këto zona, por në të gjitha ato komuna ku gjendja ka qenë e vështirë.
Njëkohësisht, ministri Nishani shprehu gatishmërinë e plotë të Shtabit të Emergjencave për të zhbllokuar dhe komunën më të largët dhe për t’u ardhur në ndihmë çdo banori, deri në përfundimin me sukses të kësaj situate. Sipas tij, mesazhet e ardhura nga opozita nuk kanë pasur në thelb një sensibilitet qytetar. Ajo ka mekanizma shumë të rëndësishme për të ardhur në ndihmë të kësaj situate dhe kjo duke shpërndarë ndihma, por të kontribuojë në mirëfunksionimin e mekanizmit të vetëm, që është shteti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›