Përçahen mjekët,një pjesë në operacione të tjerët, bojkot
Një pjesë e mjekëve i është rikthyer që dje punës së tyre të përditshme, ndërsa një grup tjetër mjekësh kanë deklaruar se nuk do të futen në sallat e operacionit as ditën e sotme.
TIRANE-Disa kanë vazhduar grevën dhe kanë deklaruar se nuk do të futen në sallat e operacionit as ditën e sotme, ndërsa disa të tjerë i janë rikthyer që dje punës së tyre të përditshme. Kjo ka qenë situate gjatë ditës së djeshme në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Greva është përçarë pas takimit që grupi i profesorëve zhvilloi me zv/kryeministrin Genc Pollo dhe ministren e Shëndetësisë, Anila Godo, të cilët u kanë premtuar se do të bëjnë ndrsyhimet në ligj në mënyrë që jeta e bluzave të bardha të mbrohet njësoj si ajo e policëve apo prokurorëve. Ndërkohë që greva në QSUT është përçarë, mjekët e Elbasanit dhe të Gjirokastrës kanë pezulluar punën sot për të përkrahur kolegët e tyre të Tiranës.
Thyhen mjekët
Një premtim i dhënë nga zëvendëskryeministri Genc Pollo për të bërë disa ndërhyrje në legjislacion, në mënyrë që mjeku të ketë një lloj statusi të ngjashëm me të një punonjësi policie, prokurorisë, etj, që do të thotë të ketë një mbrojtje të veçantë, në mënyrë që çdo qytetar, të cilit i vjen në mendje të fyejë verbalisht ose fizikisht, duhet të mendojë mirë veprimin që po bën, ka bërë që greva e mjekëve të QSUT-së të zbehet shumë. Këshilli i zgjeruar i profesoratit të QSUT-së (prof. Pjerin Radovani, Jovan Basho, Orion Gliozheni, Alfred Priftanji dhe E. Vevecka) në prani gjithashtu edhe të ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, dhe drejtoreshës së QSUT, Gjeorgjina Kuli, kanë rënë dakord të ndërpresin protestën e mjekëve të QSUT-së. Por duket se ky kompromis nuk ëhstë mirëpritur nga të gjithë. Kjo pasi, gjatë ditës së djeshme, ndërsa një pjesë e mjekëve u janë rikthyer sallave të operacionit, konsultave dhe vizitave, një pjesë tjetër kanë vazhduar të jenë në grevë dhe kanë deklaruar se do ta vazhdojnë bojkotin edhe gjatë ditës së sotme. Këtë qëndrim ndryshe të tyrin ata e argumentojnë me faktin se premtime u janë dhënë me qindra herë, por nuk është bërë asgjë konkrete. "Ne nuk duam premtime që mbeten në letër. Nëse do të ishin marrë masat, gjendja nuk do të ishte këtu ku ka arritur sot", - shprehen ata, të cilët shtojnë se janë të vendosur për ta çuar deri në fund grevën që kanë nisur. Ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë nuk e ka përkrahuar grevën e ish-kolegëve të saj, me argumentin se ky është një veprim që dëmton pacientët, të cilit për asnjë çast nuk duhet t'i mungojë shërbimi shëndetësor. "E gjithë kjo situatë nuk ka të bëjë me qytetarin dhe nëse mjekët bëjnë grevë është në dëm të shërbimit shëndetësor", - ka deklaruar ajo. Gjithashtu me zv/kryeministrin Pollo ata kanë rënë dakord për përcaktimin ligjor të përgjegjësisë së gabimeve ndaj pacienteve në dritën e legjislacionit të komunitetit europian, ndaljen sa më parë të indentifikimit të profesionit të nderuar të mjekut me njerëz të korruptuar duke konsideruar që abuzimi në detyrë është përgjegjësi personale dhe jo kolektive.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)