Prostitucioni, Gjykata e Krimeve liron 4 të akuzuarit
TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje për lirimin nga qelia të katër të akuzuarve për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese. Alket Rushiti, Ervin Premci, Gjergji Xheraku dhe Agim Hoxha, kanë rifituar lirinë për shkak të shuarjes së masës së sigurisë ndaj tyre. Dje, Gjykata e Krimeve të Rënda, që rinisi shqyrtimin e dosjes penale në ngarkim të tyre, vendosi të ndryshojë masën e sigurisë, nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie". Katër të pandehurit akuzohen për shfrytëzimin e një vajze nga Dibra për ushtrim prostitucioni si dhe për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë ndaj saj. Pas një maratone të gjatë gjyqësore, Gjykata e Krimeve të Rënda i dënoi me 64 vjet burg. Ky vendim u la në fuqi nga shkalla e dytë e gjyqësorit. Por të pandehurit, duke mos qenë dakord, bënë rekurs në Gjykatën e Lartë. Një kolegj penal pranë kësaj gjykate e riktheu sërish dosjen për rigjykim, për shkak se gjeti shkelje të shumta procedurale. Dje, gjatë seancës së parë gjyqësore, avokatët i kërkuan gjykatës lirimin e të pandehurve për shkak të përfundimit të të gjitha afateve të paraburgimit të përcaktuara nga ligji. Kërkesa e mbrojtësve ligjorë u cilësua si e ligjshme dhe të pandehurit u dërguan në shtëpitë e tyre, ku do të qëndrojnë deri në dhënien e një vendimi të formës së prerë. Katër të pandehurit akuzohen për trafikimin në vitin 2004, të Afërdita M., 26 vjeçe, nga një fshat i Dibrës. Vajza u largua nga shtëpia pasi e thirri një fqinje me emrin Sybie dhe prej atij momenti të pandehurit e sollën në Durrës, duke e këmbyer fillimisht me një makinë "Mercedes Benz", më pas e kanë shitur për 1.5 milionë lekë. Gjatë kësaj kohe, vajza ka mbetur shtatzënë dhe është detyruar të abortojë në spitalin e Durrësit. Në kallëzimin e saj, vajza pretendon se është përdhunuar dhe trafikuar për prostitucion.
(s.g/BalkanWeb)