Shifrat e INSTAT pro Berishës: Ekonomia u rrit 9.9%
INSTAT-i njofton se ndërtimi u rrit 19%, postë-telekomunikacioni 12.8 për qind, industria pësoi rënie 6.4 për qind, bujqësia u rrit 0.1%, etj.
TIRANE- Më në fund, INSTAT- i ka publikuar të dhëna që mbështetin deklaratat e kryeministrit Berisha, bërë së fundi, me të cilat i habiti të gjithë duke shpallur një rritje dyshifrore të ekonomisë shqiptare. Normalisht, rritja vjetore e Prodhimit të Brendshëm Bruto është rrotulluar në shifrat e pranueshme, 5-6 për qind, duke shënuar një ritëm shumëvjeçar zhvillimi, që ka kaluar shumë vende të tjera të rajonit. Por, që nga vera e këtij viti, duket se ka filluar një lojë shifrash, që praktikisht luhet në një terren, të cilin pak vetë e kuptojnë drejt dhe, për më tepër, shumë pak vetë kanë akses në të. Fjala është për llogaritjen e nivelit të PBB-së.
Drejtoresha
Në konferencën e dy ditëve me parë, INSTAT shpalli se në terma vjetorë, rritja e PBB-së llogaritet në 9.9%. Pra, 0.1% më pak se “dyshifrorët” dhe 1.1% më pak sesa shpalli me entuziazmin e vet tradicional, Berisha. Interesant është të rikujtojmë këtu një moment domethënës, që ka të bëjë me besueshmërinë e një llogaritjeje të tillë. E kontaktuar nga Gazeta lidhur me interpretimin e të dhënave të PBB-së për frymë të popullsisë, ku spikatnin nivele të ndryshme, nga institucione të ndryshme, shqiptare e të huaja, drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Statistikave, Ines Nurja deklaronte më 20 gusht të këtij viti, se INSTAT nuk mund ta llogaritë që sivjet këtë tregues, pasi kërkon mjaft kohë.
Kjo është një deklaratë e sinqertë. Në faqen e internetit të INSTAT-it, në fakt, çdokush mund të lexojë qartë se rritja reale më e afërt e llogaritur e PBB-së i përket vitit 2006 ndaj vitit 2005 dhe ajo, jopërfundimtare. Në rast se ky institucion ka arritur të llogaritë pa përfunduar viti, një tregues të tillë kaq voluminoz, atëherë si mund të shpjegohet vonesa për shpalljen publikisht të deficitit tregtar, shifra e të cilit këtë muaj është me 15 ditë vonesë deri tani?
Vlerësimet
Në relacionin shoqërues të Buxhetit 2009, Ministria e Financave paraqiti, siç pritej, dy nivele të rritjes ekonomike. E para është rritja nominale dhe e dyta, rritja reale. Nga 10%, shifra reale raportohej 6%. Por, me një deklaratë të papritur, kreu i dikasterit, Ridvan Bode ka deklaruar se vlerësimi i PBB-së është shumë arbitrar. Madje, duke hedhur përgjegjësinë për këtë vlerësim tek ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. “FMN ka një ekspert të vendosur tek INSTAT-i. Eksperti i tyre veproi në mënyrë të pavarur dhe e llogariti rritjen 6%. Sepse rritja ekonomike është caktuar në mënyrë arbitrare e nuk ka interes shumë të madh. Dhe ne pranojmë aq sa thonë ata”, - tha Bode.
Ndoshta, në këtë deklaratë mund të zbulohet edhe një nga arsyet pse qeveria ‘Berisha’ nuk dëshiron më të “ketë nëpër këmbë” ekspertët e FMN-së.
Ka qenë një kërkesë e ndërkombëtarëve që INSTAT-i të heqë dorë nga llogaritja e vjetër e ndryshimit të çmimeve, që nuk është konsideruar më realiste, në kushtet e ndryshimit të shpejtë të tregut. Sipas raportit të FMN të korrikut të vitit të kaluar, në vendin tonë konstatohet një sistem i dobët statistikor. Një gjë e tillë vazhdon të pengojë hartimin e politikave të drejta. Dhe ndryshimi në drejtimin e INSTAT-it e ka ngadalësuar progresin, theksohej në raport. Ku viheshin në dukje mospasqyrimi si duhet i statistikave lidhur me fuqinë punëtore dhe rezultatet buxhetore, theksonte raporti i Fondit Monetar.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)