E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçahet LDK, Sejdiu president pas tre votimesh

Kuvendi miraton Qeverinë e re, voton për Sejdiun president dhe Thaçin kryeministër
Parlamenti i Kosovës ka miratuar të mërkurën qeverinë e re të Hashim Thaçit dhe ka rizgjedhur Fatmir Sejdiun si President. Për z.Thaçi dhe kabinetin e tij qeveritar kanë votuar 85 deputetë nga 112 që ishin në sallë. Komandanti i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të udhëheqë qeverinë e koalicionit PDK-LDK për një mandat katërvjeçar. Kabineti i z.Thaçi do të ketë dy zëvendëskryeministra, Hajredin Kuçin, nga Partia Demokratike dhe Ramë Manajn, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
7 ministri do të udhëhiqen nga PDK-ja, 5 nga LDK-ja ndërsa 3 të tjera u janë lënë pakicave, prej të cilave dy pakicës serbe ndërsa një pakicave të tjera. Kuvendi ka zgjedhur sot edhe Kryetarin dhe Kryesinë e Parlamentit. Në krye të organit ligjvënës të Kosovës do të jetë Jakup Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së. Është po ashtu në kryesi edhe Xhavit Haliti; nga LDK, në Kryesi të Kuvendit janë Eqrem Kryeziu dhe Sabri Hamiti; nga AKR është Ibrahim Gashi, ndërsa nga LDD-PSHDK është Nexhat Daci. Përfaqësuesi i komunitetit serb dhe ai i komuniteteve joshqiptare e joserbe do të zgjidhen pas marrëveshjes midis përfaqësueseve të tyre.
Presidenti
Fatmir Sejdiu mori dje mandatin e dytë nga Kuvendi për President të Kosovës, duke mundur kandidatin e opozitës, Naim Maloku. Ai arriti të fitojë vetëm në rrethin e tretë të votimeve, me shumicë të thjeshtë, duke siguruar 68 vota, pasi në dy rrethet e para nuk arriti të merrte besimin e dy të tretave të deputetëve.
Në rrethin e parë të votimit, Sejdiu mori 62 vota. Në raundin e dytë, ai arriti të marrë 61 vota. Kundërkandidati i tij, Naim Maloku, ndërkaq mori 37 vota në dy rrethet e para të votimit, kurse në rrethin e tretë ai mori 39 vota. Sejdiu, ndërkaq, duke qenë një prej aktivistëve më të mëdhenj të LDK-së, ka qenë i ngarkuar në hartimin e Kornizës Kushtetuese. Fatmir Sejdiu, gjithashtu ka qenë deputet edhe në legjislaturën e kaluar. Ai është caktuar nga LDK si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe është i angazhuar në komisionin Parlamentar për Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, si dhe në disa Komisione tjera parlamentare. Përpara votimit të kandidaturës së tij nga Kuvendi, ai ka marrë mbështetje nga prania ndërkombëtare në vend, por edhe nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare, të cilët kanë mirëpritur zgjedhjen e tij. Më 10 shkurt 2006, ai u ngjit në postin e Kryetarit të Kosovës, duke pasuar kryetarin e ndjerë, Ibrahim Rugova.
 
Profili i Presidentit
Sejdiu, "profesori" i kompromisit me kundërshtarët
Fatmir Sejdiu, 56-vjeç, i rizgjedhur për një mandat të ri pesëvjeçar si President i Kosovës, vlerësohet të jetë njëri prej intelektualëve dhe politikanëve më të matur në Kosovë. Shkollimin e lartë e ka mbaruar në Prishtinë, më 1974 dhe menjëherë më pas ka vazhduar studimet Pasuniversitare, ku ka marrë titullin Doktor i Shkencave të Drejtësisë. Karrierën e tij shkencore e ka vazhduar në po këtë universitet, duke qenë profesor i tij për shumë vjet. Pas doktoraturës, zoti Sejdiu, fushën e dijës së tij e ka çuar tutje, duke studiuar në universitete të njohura të botës. Për një kohë më të gjatë, ai ka qëndruar në Francë - Universiteti Paris 2 dhe në Arizona - State University. Ai ka publikuar shumë studime nga fusha e drejtësisë, me specializim të ngushtë në çështjet kushtetuese, si dhe në fushën e historisë. Zoti Sejdiu, karrierën e tij politike e ka filluar në vitin 1989, duke qenë edhe pjesëmarrës i themelimit të partisë së parë politike, LDK-së, pas rënies së sistemit njëpartiak. Në kuvendin e parë të LDK-së, është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të saj. Që nga ajo kohë, zoti Sejdiu ka qenë njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë dhe më besnikë të presidentit Rugova. Për asnjë moment nuk është shkëputur nga veprimtaria e LDK-së, duke kryer edhe detyra të rëndësishme në udhëheqjen e saj. Në 12 vitet e fundit, ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së dhe tani kryetar i LDK-së. Fatmir Sejdiu ka qenë njëri prej arkitektëve të ndërtimit të politikave të LDK-së. Ai ka qenë dy herë pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare dhe ka dalë fitues i këtyre zgjedhjeve, duke u bërë kështu një nga deputetët e LDK-së në dy legjislacione të Kuvendit në periudhën e pasluftës. Zoti Sejdiu ka qenë deputet edhe i Kuvendit të vetëshpallur të Kosovës të paraluftës. Gjatë periudhës së tendosjeve të mëdha në Kosovë, të cilat kulmuan me luftë të armatosur, zoti Sejdiu ka qëndruar në përbërjen e ngushtë të drejtimit të LDK-së. Ai njihet si njeri me një karakter dhe temperament të veçantë. Njëra prej karakteristikave të tij, vlerësohet të jetë ruajtja e marrëdhënieve të mira me kundërshtarët politikë. Fatmir Sejdiu ka lindur në një fshat të Podujevës, Pakashticë. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Sipas RTK dhe BBC
Zyra në Prishtinë ka 1000 të punësuar, të shqetësuar për vendet e punës
OSBE, mision pa afat në Kosovë
Ministri finlandez i Punëve të Jashtme, Ilkka Kanerva, ka thënë se kohëzgjatja e misionit të OSBE-së në Kosovë nuk është përcaktuar ende. Mbas një takimi që pati të martën, më 8 janar, me homologun e tij gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) Kanerva tha se në muajt e ardhshëm do të diskutohet edhe njëherë për kohëzgjatjen e këtij misioni. Të dy politikanët, shpresojnë se rezultati i zgjedhjeve në Serbi do të ruajë kushtet për stabilitetin e mëtejshëm të Ballkanit.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, si Kryetar i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Illka Kanerva, ka thënë se në shkurt ose mars do të diskutohet edhe njëherë për kohëzgjatjen e veprimtarisë së OSBE-së në Kosovë. Sipas Kanervës puna e OSBE-së është shumë e rëndësishme për zhvillimin dhe ndërtimin e shoqërisë civile: "Personalisht shpresoj që ky mision do të mund të vazhdojë punën e tij dhe se në të ardhmen Bashkimi Evropian do të marrë gjithmonë e më shumë përgjegjësi mbi të",- tha shefi i OSBE-së për vitin 2008.
Misioni i OSBE-së në Prishtinë ka mbi 1000 të punësuar, të cilët muajt e fundit kanë qenë në shqetësuar për vendet e tyre të punës, pasi Rusia dhe Serbia kanë lajmëruar se nuk do ta mbështesin zgjatjen e mandatit nëse Kosova shpall pavarësinë.
Tema e Kosovës, si dhe zhvillimet në prag të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, ishin në qendër të takimit të parë bilateral mes dy ministrave të jashtëm. "Shpresojmë që këto javë nuk do të kemi dhunë dhe do të krijohet mundësia për të përgatitur vendimet e nevojshme që do të garantonin stabilitetin në Ballkanin Perëndimor",- tha Shtajnmajer, duke pasur parasysh zgjedhjet presidenciale në Serbi më 20 Janar.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme e theksoi edhe njëherë, se nuk ekziston ndonjë lidhje ndërmjet statusit të Kosovës dhe pranimit të Serbisë në BE. Duke iu referuar parapërgatitjes që po bën kryesia sllovene e radhës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Serbinë, qysh më datën 21 janar, Steinmeier theksoi se, "vetëm nëse konstatohet bashkëpunimi i plotë i Serbisë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, mund të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›